TË FUNDIT

Mujanoviq: Serbia bashkëpunon ngushtë me Rusinë kundër interesave të Kosovës dhe Bosnjës

Politologu boshnjako-amerikan, Jasmin Mujanoviq, ka vlerësuar se Serbia vazhdon të ndjekë një politikë armiqësore ndaj Kosovës dhe shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë, duke theksuar se Beogradi bashkëpunon ngushtë me Rusinë, përfshirë në fushën e inteligjencës dhe të sigurisë.

Në një intervistë për Telegrafin, Mujanoviq ka thënë se politika e Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi duhet të shihet në kontekstin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor dhe të bashkëpunimit ndërmjet strukturave serbe dhe ruse të inteligjencës.

“Duhet të jemi të qartë se Serbia ende ndjek një politikë thellësisht armiqësore dhe të dëmshme ndaj pothuajse të gjitha shteteve fqinje, veçanërisht ndaj shteteve që ishin pjesë e ish-Jugosllavisë. Në krye të tyre janë Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi”, ka deklaruar Mujanoviq.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ndryshon qasjen dhe intensitetin e presionit ndaj këtyre vendeve, varësisht nga nevojat politike të momentit.

Mujanoviq ka theksuar se Serbia bashkëpunon ngushtë me Rusinë në çështjet që lidhen me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke pretenduar se operativët e inteligjencës së të dyja vendeve janë aktivë në terren në Ballkanin Perëndimor.

“Ne e dimë se inteligjenca serbe dhe ajo ruse bashkëpunojnë ngushtë. E kemi ditur këtë që nga publikimi i dokumenteve qeveritare pas rënies së Nikola Gruevskit në atë që atëherë ishte Republika e Maqedonisë, ndërsa sot është Maqedonia e Veriut”, ka thënë ai.

Politologu ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, operativët serbë dhe rusë janë aktivë në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, duke theksuar se për këtë bashkëpunim, sipas tij, ekzistojnë dëshmi bindëse./Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *