Kurti në takim me ambasadorët e KE-së: Kosova hapa të mëdhenj drejt demokratizimit
Kurti në takim me ambasadorët e KE-së: Kosova hapa të mëdhenj drejt demokratizimit
Në përfundim të ditës së parë nga vizita në Strasbourg, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit nga mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare në Këshillin e Evropës.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti ka folur mbi progresin dhe zhvillimin e Kosovës në demokratizimin e vendit, rritjen ekonomike, sundim të ligjit e drejtësi.
“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik, tregues të së cilës janë indekset dhe rankimet ndërkombëtare që faktojnë se Kosova është një histori suksesi e demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka folur dhe mbi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
“Republika e Kosovës ndan të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, të cilat janë të mishëruara edhe në Kushtetutën e Republikës”, ka theksuar Kurti.
Ai i falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e deritanishme dhe kërkoi nga to vazhdimin e saj për të avancuar tutje në këtë proces deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.