Angelina Jolie dhe Brad Pitt arrijnë marrëveshje për pronësinë e verarisë franceze
Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë arritur një marrëveshje jashtë gjykatës në lidhje me mosmarrëveshjen për pronësinë e verarisë franceze Chateau Miraval, duke i dhënë fund një beteje të gjatë ligjore që nisi pas ndarjes së tyre.
Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e dy aktorëve konfirmuan se palët e kanë zgjidhur çështjen në mënyrë private, në interes të familjes, dhe se nuk do të japin komente të tjera për këtë marrëveshje.
Jolie kishte paraqitur kërkesën për divorc në vitin 2016, pas një incidenti të pretenduar gjatë një udhëtimi me avion privat nga Evropa.
Divorci i tyre u finalizua në fund të vitit 2024, por mosmarrëveshja për verarinë vazhdoi edhe më pas.
Në vitin 2022, Pitt e paditi Jolien, duke pretenduar se ajo kishte shkelur një marrëveshje mes tyre, sipas së cilës ai duhej të blinte pjesën e saj në Chateau Miraval.
Jolie e kishte shitur pjesën e saj te një grup ndërkombëtar i industrisë së verës, veprim të cilin Pitt e konsideroi të paligjshëm dhe të bërë pa pëlqimin e tij.
Gjatë procesit gjyqësor, u publikuan edhe pretendime për sjelljen e Pittit gjatë incidentit të vitit 2016.
Angelina, Brad dhe fëmijët e tyre
Jolie dhe avokatët e saj pretenduan se aktori kishte kërkuar që ajo të nënshkruante një marrëveshje të gjerë konfidencialiteti, si pjesë e negociatave për verarinë, gjë që sipas tyre do të pengonte zbulimin e pretendimeve për abuzim ndaj saj dhe fëmijëve. /Telegrafi/
