TË FUNDIT

VV-ja: Rama gënjeu për NPB-në, s’e bëri asnjë veprim për ta mbrojtur

Sekretari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi, ka thënë se konferenca e thirrur është kundërreagim ndaj siç i ka quajtur ai “gënjeshtra të pacipa” të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama lidhur me borxhin e Ndërmarrjes Publike Banesore, për çka ka deklaruar se fajtore për të është Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka thënë se Rama u përpoq ta bëjë fajtore LVV-në dhe Qeverinë për gjendjen në NPB.

“Dihet qartë që LVV-ja e ka kundërshtuar këtë proces që nga dita e parë. Që nga viti 2018 kemi paralajmëruar se drejtorët e Shpend Ahmetit po falsifikojnë dokumente dhe NPB-ja është në rrezik. Është e vetmja LVV-ja që ka alarmuar për rrezikun që po i kanosej NPB-së”, ka thënë ai.

Ka shtuar se kanë paralajmëruar publikisht për dëmin që mund t’i shkaktohej NPB-së. Por, sipas tij, në Kuvendin Komunal janë bllokuar vazhdimisht nga PDK-ja, LDK-ja e Aleanca.

Sipas Azemit, Rama nuk ka bërë asnjë veprim të vetëm për ta mbrojtur NPB-në.

“Për më shumë se katër vjet PDK-ja ka pasur rol vendimtar në NPB. Kronologjia është e qartë, LVV-ja e kundërshtoi këtë marrëveshje të dyshimtë. Edhe një herë po dëshmohet se kur bëhet fjalë për interesa të ngushta, këta bëhen bashkë sepse në realitet janë bashkë”, ka thënë ai.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama e ka vendosur përgjegjësinë mbi qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, për bllokimin e llogarive të Ndërmarrjes Publike Banesore. Kjo ndërmarrje nga gjykata komerciale është e obliguar që tri kompanive t’u paguajë 32 milionë euro, në emër të fitimit të humbur. Rama ka thënë se atë kontratë e kishte nënshkruar qeverisja para tij, derisa gjatë qeverisjes së tij, ishte kërkuar hetimi i kontratës.

Në vitin 2021, Ndërmarrja Publike Banesore hyri në një marrëveshje bashkinvestimi me tri kompani private për zhvillimin e një projekti banesor dhe afarist në parcelat e NPB-së në Lakrishtë. Projekti parashihte ndërtimin e pesë objekteve, por nuk u realizua dhe mosmarrëveshja mes palëve përfundoi në gjykatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *