TË FUNDIT

Angazhimi i FSK-së në Gazë, ekspertët tregojnë rëndësinë strategjike për Kosovën

Të hënën, Kosova ka formalizuar angazhimin e saj në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gazë, duke nënshkruar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në këtë mision.

Marrëveshja u nënshkrua nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti i ISF-së në Gazë, gjeneralmajor Jasper Jeffers, në praninë e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, marrëveshja rregullon aspektet teknike të angazhimit të kontingjentit të FSK-së në Gazë, ndërsa gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit amerikanë dhe drejtuesit e ISF-së është diskutuar gatishmëria e Kosovës për të kontribuar në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

Kurse, Bordi i Paqes, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, e ka konfirmuar përfshirjen e Kosovës në ISF, duke e cilësuar marrëveshjen si hap drejt pjesëmarrjes së Kosovës në këtë forcë.

“Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, nënshkruan Marrëveshjen për Shtetet Pjesëmarrëse, për përfshirjen e Kosovës në ISF”, thuhet në reagimin e Bordit të Paqes në X.

Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë si një zhvillim me rëndësi të veçantë strategjike për Kosovën angazhimin e FSK-së në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gazë.

Sipas tyre, ky mision mund të forcojë bashkëpunimin me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë, të rrisë përvojën dhe profesionalizmin e FSK-së, si dhe të ndikojë në profilin ndërkombëtar të Kosovës dhe aspiratat e saj euroatlantike

Dashevci: Kosova po kalon nga përfituese në kontribuuese aktive në sigurinë ndërkombëtare

ImageEksperti i sigurisë, Arben DashevciFoto galeri
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar rëndësinë strategjike dhe politike të vendimit të fundit për Kosovën.

Dashevci ka thënë se angazhimi i Kosovës në bashkëpunim me partnerët strategjikë, veçanërisht me SHBA-në dhe NATO-n, përbën një të arritur të rëndësishme në praktikë

“Ky vendim ka rëndësi të madhe strategjike dhe politike për Kosovën.

Kosova në aspektin e mbrojtjes ka dëshmuar në shumë raste profesionalizmin e saj gjithandej ku e kanë kërkuar partnerët tanë strategjik SHBA dhe NATO, ka dëshmuar seriozitet të jashtëzakonshëm gjithandej ku është kërkuar dhe kjo është e arritura në praktikë”, ka thënë ai.

Më tej, Dashevci ka potencuar se roli i Kosovës në fushën e sigurisë ndërkombëtare po ndryshon, duke kaluar nga një vend përfitues në një kontribuues aktiv në përpjekjet për paqe dhe siguri.

“Kosova nga përfituese po kalon në kontribuuese aktive në sigurinë ndërkombëtare, po ndihmon në paqe aty ku kërkohet dhe përfitimet janë të mëdha në forcimin e partneritetit dhe marrëdhëniet me SHBA-në, partnerët ndërkombëtarë dhe integrimet euroatlantike”, ka potencuar ai.

Në fund, Dashevci e ka lidhur këtë zhvillim edhe me synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Kosova synon të anëtarësohet në NATO dhe kjo pjesëmarrje është dëshmi faktike që ne shumë shpejtë mendoj unë do të jemi edhe të anëtarësuar aty ku po synojmë dhe e meritojmë pra në NATO”, ka përmbyllur Dashevci.

Hoxha: Pjesëmarrja e FSK-së në Gazë mund ta ndryshojë perceptimin e Kosovës nga “recipient i sigurisë” në “partner i sigurisë”

ImageHafir HoxhaFoto galeri
Ndërsa, ish-ushtaraku Hafir Hoxha, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se marrëveshja e nënshkruarpërbën një zhvillim me rëndësi të veçantë strategjike për Kosovën.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e FSK-së në një mision ndërkombëtar jashtë territorit të Kosovës do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm.

“Po marrëveshja e nënshkruar nga FSK-ja është pikërisht për pjesëmarrje në ISF në Gazë, ky është një zhvillim me peshë më të madhe se sa duket në pamje të parë. SHBA-ja tashmë ka paraparë mbi 206 milionë dollarë për mbështetjen e ISF-së, ndërsa Kosova është ndër vendet që kanë premtuar kontribut në këtë forcë. Ky është ndoshta aspekti më i rëndësishëm strategjik.

Për shumë vite Kosova ka qenë kryesisht përfituese e sigurisë ndërkombëtare: KFOR-i është vendosur në Kosovë që nga viti 1999. Nëse tani FSK-ja dërgon personel në një mision ndërkombëtar jashtë Kosovës, mesazhi ndryshon.

Kosova nuk kërkon vetëm që të tjerët ta mbrojnë; ajo po bëhet vend që kontribuon në sigurinë e të tjerëve me ato forca që ka.

Kjo është shumë e rëndësishme për profilin ndërkombëtar të shtetit.

Për SHBA-në është një sinjal politik shumë pozitiv”, ka cilësuar ai.

Tutje, Hoxha ka theksuar se pjesëmarrja e Kosovës në këtë forcë, e cila udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, mund të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim dhe rritje të kapaciteteve të FSK-së.

“ISF-ja është projekt i udhëhequr nga SHBA-ja dhe komandanti i saj, gjeneralmajor Jasper Jeffers, është amerikan. Prandaj pjesëmarrja e Kosovës krijon një kanal të drejtpërdrejtë bashkëpunimi me strukturën amerikane të sigurisë.

Për Kosovën kjo mund të sjellë rritje të besimit të Uashingtonit te FSK-ja, më shumë mundësi për trajnime dhe interoperabilitet me ushtrinë amerikane, përvojë operative ndërkombëtare, forcim të lidhjeve ushtarake dypalëshe, kapital politik për çështjet e sigurisë së Kosovës.

Por duhet bërë një dallim , pjesëmarrja në ISF nuk është garanci automatike për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Megjithatë, praktikisht e forcon argumentin se Kosova është prodhuese e sigurisë, jo vetëm konsumuese e saj. Kjo mund të jetë shumë e vlefshme për zhvillimin e FSK-së.

Pjesëmarrja në një operacion shumëkombësh i ekspozon pjesëtarët e saj ndaj komandës shumëkombëshe, procedurave amerikane dhe aleate, planifikimit operacional, logjistikës ndërkombëtare, koordinimit civil-ushtarak, menaxhimit të krizave dhe mbrojtjes së civilëve”, është shprehur ai.

Sipas ish-ushtarakut, angazhimi në Gazë nuk do të kishte vetëm rëndësi operative për FSK-në, por do t’i ofronte asaj edhe përvojë institucionale që mund të shfrytëzohet në misionet e ardhshme.

“ISF-ja synon, ndër të tjera, stabilizimin e zonave, mbështetjen e sigurisë dhe trajnimin e policisë palestineze.

Pra, FSK-ja nuk fiton vetëm një mision; fiton përvojë institucionale që mund ta përdorë edhe në të ardhmen. Për Kosovën ka edhe një dimension diplomatik. Këtu shoh një përfitim shumë interesant.

Kosova është ende shtet me njohje jo universale dhe nuk është anëtare e NATO-s. Prandaj çdo pjesëmarrje në një koalicion ndërkombëtar ku marrin pjesë shtete të ndryshme krijon mundësi që Kosova të shihet jo vetëm përmes konfliktit të saj të vitit 1998–99. një shtet që merr përgjegjësi ndërkombëtare për paqen dhe stabilitetin.

Ky është ndryshim i rëndësishëm në perceptimin diplomatik. Kosova nuk duhet ta shohë këtë vetëm si marrëdhënie me SHBA-në”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Hoxha ka folur edhe për rëndësinë që një angazhim i tillë mund të ketë në raport me NATO-n dhe aspiratat euroatlantike të Kosovës.

“Për NATO-n, rëndësi ka aftësia e një force për të vepruar së bashku me forcat e vendeve të tjera. Kosova ende nuk është anëtare e NATO-s dhe rruga drejt saj mbetet politikisht e komplikuar.

Prandaj çdo mision ndërkombëtar ku FSK-ja demonstron disiplinë, interoperabilitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi mund të jetë një tjetër dëshmi në dosjen e Kosovës.

Unë do të isha i kujdesshëm me një gjë: misioni në Gazë është politikisht dhe ushtarakisht shumë më kompleks se një mision klasik paqeruajtës.

Edhe sot ka mosmarrëveshje serioze rreth çarmatosjes së Hamasit, tërheqjes izraelite dhe mënyrës së zbatimit të planit. Reuters raporton se pikërisht këto çështje vazhdojnë të pengojnë zbatimin e plotë të planit”, ka potencuar ai.

Pikërisht për shkak të kompleksitetit të situatës në Gazë, Hoxha ka nënvizuar nevojën që pjesëtarët e FSK-së të kenë mandat të qartë dhe mbrojtje të përshtatshme gjatë misionit.

“Prandaj Kosova duhet të ketë mandat shumë të qartë, rregulla të qarta angazhimi dhe mbrojtje të fortë juridike e operative për pjesëtarët e FSK-së.

Ky vendim mund të jetë një hap strategjikisht shumë i rëndësishëm për Kosovën.

Ai e zhvendos gradualisht FSK-në nga një forcë që u krijua për të ndërtuar sigurinë e Kosovës në një forcë që është në gjendje të kontribuojë në sigurinë ndërkombëtare.

Dhe kjo është pikërisht ajo që një shtet aspirues për NATO-n duhet të dëshmojë.

Nëse Kosova, FSK e menaxhon mirë këtë mision, përfitimi më i madh nuk do të jetë numri i pjesëtarëve që dërgohen në Gazë. Përfitimi do të jetë ndryshimi i perceptimit të Kosovës nga “recipient i sigurisë” në “partner i sigurisë”.

Kjo mund të jetë veçanërisht e vlefshme në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe në rrugën afatgjatë euroatlantike”, ka përfunduar Hoxha për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *