TË FUNDIT

Grenell sërish kundër Kurtit: Nga rrëzimi i Qeverisë Kurti, te “gjashtëshja” e LDK-së, çfarë kërkon Beogradi?

Shkruan: Xhevdet Mazrekaj

Richard Grenell është shfaqur sërish në një moment vendimtar për Kosovën.

Dhe përsëri, siç ka ndodhur edhe më parë, pozicionimi i tij politik përfundon në një drejtim që i konvenon Beogradit.

Vetëm pak orë pasi gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër marrëveshjes së arritur mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, Grenell publikoi fotografinë e tyre dhe u dha mbështetje publike.

“Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të shkëlqyer të Amerikës”, shkroi Grenell në platformën X.

Në fotografi janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri – pikërisht gjashtë deputetët që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidaturën e Sejdiut.

Në pamje të parë, vetëm një fjali.

Por në politikë nuk ka rëndësi vetëm çfarë thuhet.

Ka rëndësi kur thuhet, kujt i thuhet dhe çfarë efekti politik prodhon ajo që thuhet.

Prandaj postimi i Grenellit nuk mund të lexohet jashtë momentit në të cilin u bë.

Marrëveshja që mund ta zhbllokonte Kosovën – dhe ndërhyrja e Grenellit

Vetëm një ditë më parë, Kurti dhe Abdixhiku kishin arritur marrëveshjen që Bekim Sejdiu të ishte kandidati i përbashkët për president.

Reuters e përshkroi marrëveshjen si një zhvillim që mund t’i japë fund ngërçit të gjatë politik dhe të hapë rrugën për funksionalizimin e institucioneve. Kosova ka kaluar tri palë zgjedhje brenda më pak se 18 muajsh, ndërsa paqëndrueshmëria institucionale ka vonuar reforma dhe procese të tjera të rëndësishme.

Por më pas dolën gjashtë deputetët e LDK-së.

Lumir Abdixhiku deklaroi se, pa votat e tyre, marrëveshja rrezikohet dhe vendi mund të shkojë përsëri në zgjedhje.

Dhe pikërisht në këtë moment shfaqet Richard Grenell.

Jo me një thirrje që Kosova t’i krijojë institucionet.

Jo me një përshëndetje për kompromisin politik të arritur mes dy partive të mëdha shqiptare.

Por duke zgjedhur pikërisht fotografinë e gjashtë deputetëve që po e kundërshtojnë marrëveshjen dhe duke i shpallur ata “miq të shkëlqyer të Amerikës”.

Pse?

Çfarë interesi amerikan rrezikon zgjedhja e Bekim Sejdiut?

Dhe kush e autorizon një individ, qoftë edhe politikan amerikan, të ndajë në Kosovë certifikata se kush është “mik i Amerikës” dhe kush jo?

Kosova ka qenë dhe mbetet një nga vendet më proamerikane në Evropë. Por Amerika është shumë më e madhe se Richard Grenell.

Dhe këto dy gjëra nuk duhet të ngatërrohen.

Në fotografinë e Grenellit është edhe Arben Gashi

Në gjithë këtë histori ka një detaj që nuk duhet kaluar lehtë.

Mes gjashtë deputetëve që Grenell sot i quan “miq të shkëlqyer të Amerikës” është edhe Arben Gashi.

Po, pikërisht Arben Gashi.

I njëjti politikan i LDK-së që në vitin 2021 bëri një deklaratë jashtëzakonisht të rëndë për rolin e Grenellit në rrëzimin e Qeverisë Kurti I.

Gashi kishte deklaruar në Kanal 10 se LDK-së i ishte dhënë një afat prej shtatë ditësh për rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe se kishte pasur madje numërim mbrapsht.

“Ne e kemi pasur në mënyrë të qartë dhe të saktë të shkruar, i kemi pasur 7 ditë me e rrëzu Qeverinë”, kishte deklaruar ai, duke folur për mesazhet që, sipas tij, vinin dita-ditës. UNMIK-u e përmblidhte deklaratën e tij nën titullin: “Gashi: Grenell told us we had seven days to bring down Kurti-led government”.

Kjo nuk është deklaratë e Albin Kurtit.

Nuk është deklaratë e Vetëvendosjes.

Është deklaratë e një politikani të lartë të LDK-së që kishte qenë brenda procesit.

Grenell e mohoi më vonë kategorikisht, duke thënë se pretendimi ishte “100 për qind gabim”, ndërsa edhe Isa Mustafa deklaroi se Grenell nuk kishte kërkuar nga LDK-ja rrëzimin e qeverisë.

Pra, për korrektësi, nuk mund të shkruhet si fakt i pakontestueshëm se Grenell kishte urdhëruar rrëzimin e Qeverisë Kurti I.

Por nuk mund të fshihet as fakti tjetër:

Arben Gashi e ka thënë publikisht këtë.

Dhe sot pikërisht Gashi është në fotografinë që Grenell e publikoi për t’i shpallur gjashtë deputetët “miq të shkëlqyer të Amerikës”.

A nuk është kjo të paktën politikisht domethënëse?

Çfarë kërkonte Grenell nga Kurti në vitin 2020?

Për ta kuptuar më mirë zhvillimin e sotëm, duhet rikthyer kujtesa te viti 2020.

Grenell atëherë kërkonte me këmbëngulje heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe.

Kurti propozoi heqjen graduale të tarifës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet – pra Serbia të trajtohej ashtu siç ajo e trajtonte Kosovën.

Grenell e kundërshtoi edhe reciprocitetin.

Zëdhënësi i tij deklaroi atëherë në mënyrë të qartë se Kosova duhej ta hiqte tarifën ndaj mallrave serbe pa masa reciprociteti.

Pra, presioni konkret ishte ndaj Kosovës.

Pyetja që e kam shtruar edhe atëherë dhe që mbetet aktuale sot është:

Pse, sa herë që bëhej fjalë për kompromisin Kosovë–Serbi, kërkesat më të rënda i drejtoheshin Prishtinës?

Kurti nuk pranoi.

Më 25 mars 2020 Qeveria e tij u rrëzua me mocion mosbesimi.

Dhe më vonë, siç thamë, vetë Arben Gashi deklaroi publikisht atë që deklaroi për afatin e Grenellit.

Gjashtë vjet më vonë, përsëri kemi Kurtin, përsëri kemi Grenellin dhe përsëri kemi një grup brenda LDK-së.

Rrethanat nuk janë të njëjta.

Por kujtesa politike nuk mund të fillojë çdo mëngjes nga zero.

Vuçiqi nuk e dekoroi Grenellin pa arsye

Ka edhe një fakt tjetër që e bën të pamundur ta shohim Grenellin vetëm si një ndërmjetës neutral të dikurshëm.

Në vitin 2023, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e dekoroi Richard Grenellin me Urdhrin e Flamurit Serb të shkallës së parë.

Kjo është e dokumentuar në faqen zyrtare të Presidencës së Serbisë.

Sipas Presidencës serbe, dekorata iu dha Grenellit për merita të veçanta në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Por Vuçiqi shkoi edhe më tej.

Gjatë ceremonisë e quajti Grenellin “mik të vërtetë” të Serbisë, duke theksuar edhe rolin e tij në dialogun Beograd–Prishtinë.

Atëherë kam të drejtë të pyes:

Çfarë pa Vuçiqi te Grenelli që e konsideroi të denjë për një dekoratë të tillë?

Sepse Aleksandar Vuçiqi nuk është president i Kosovës.

Ai është presidenti i Serbisë – shtetit që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, që vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të territorit të vet dhe që punon ndërkombëtarisht kundër konsolidimit të shtetësisë së saj.

Prandaj dekorata e Vuçiqit nuk është një detaj folklorik.

Ajo është fakt politik.

Plani që dikur e vuri territorin e Kosovës në tavolinë

Dhe këtu vijmë te pjesa më e ndjeshme e historisë.

Në vitet 2018–2020 u hap seriozisht çështja e ndryshimit të kufijve Kosovë–Serbi.

Aleksandar Vuçiq fliste për “razgraničenje”, ndërsa Hashim Thaçi filloi të përdorte termin “korrigjim i kufirit”.

Reuters raportonte në vitin 2018 për diskutimet rreth ndryshimit të kufirit dhe mundësisë së një marrëveshjeje territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në të njëjtën kohë, administrata e parë Trump kishte sinjalizuar se nuk do ta përjashtonte një zgjidhje territoriale nëse Prishtina dhe Beogradi arrinin marrëveshje.

Këshilltari i atëhershëm për Siguri Kombëtare, John Bolton, deklaronte se politika amerikane nuk përjashtonte “rregullimet territoriale” nëse dy palët arrinin një zgjidhje të kënaqshme për to.

Kjo ishte një kthesë e madhe.

Për herë të parë pas shumë vitesh, një administratë amerikane po linte të hapur një derë që më parë konsiderohej tepër e rrezikshme: ndryshimin e kufijve.

Thaçi shkoi deri te “dhuratat e Rankoviqit”

Por ajo që bëri Hashim Thaçi në atë periudhë ishte edhe më shqetësuese.

Ai nuk mbeti vetëm te termi diplomatik “korrigjim kufijsh”.

Në shtator të vitit 2018, Thaçi shkroi publikisht:

“Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç.”

Kjo fjali nuk ishte e rastësishme.

Sipas raportimeve të asaj kohe, Thaçi kishte identifikuar si të ashtuquajtura “dhurata” të periudhës së Rankoviqit pjesë të Leposaviqit, Leshakun dhe pjesë të Zubin Potokut. KOHA raportonte se ideja e tij për “korrigjim kufijsh” po merrte kështu karakterin e një shkëmbimi territorial.

Këtu duhet ndalur.

Presidenti i Republikës së Kosovës po përdorte termin “dhuratë” për pjesë të territorit të shtetit që përfaqësonte.

Dhe jo çfarëdo “dhurate”.

Por “dhuratë” të Aleksandër Rankoviqit – një prej emrave që në kujtesën historike shqiptare lidhet me aparatin represiv jugosllav ndaj shqiptarëve.

Përse duhej një president i Kosovës ta ndërtonte argumentin në këtë mënyrë?

Sepse sapo një pjesë të territorit të shtetit tënd fillon ta përshkruash si “dhuratë” të dikujt tjetër, ke krijuar edhe argumentin politik që nesër dikush të thotë:

Nëse ishte dhuratë, atëherë pse të mos kthehet?

Kjo ishte ajo që e bënte projektin e “korrigjimit” shumë më të rrezikshëm sesa tingëllonte emri i tij.

Nuk po diskutohej vetëm një vijë në hartë.

Po diskutohej territori i Republikës së Kosovës.

Po Grenell?

Këtu duhet të jemi korrektë edhe me faktet që nuk i përshtaten domosdoshmërisht tezës sonë.

Grenell ka mohuar se ka ekzistuar një plan sekret amerikan për shkëmbimin e territoreve.

Në mars të vitit 2020, ai, ambasadori amerikan Philip Kosnett dhe Matthew Palmer dolën me deklaratë të përbashkët duke thënë se nuk kishte një plan sekret për shkëmbim tokash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se Grenell “kurrë nuk kishte parë apo diskutuar një plan të tillë”.

Ky është qëndrimi i tij dhe duhet thënë.

Por edhe një fakt tjetër mbetet:

ideja territoriale ekzistonte.

Thaçi fliste publikisht për korrigjimin e kufirit.

Vuçiqi fliste për ndarje/delimitim.

Administrata Trump, përmes Boltonit, kishte deklaruar se nuk do të pengonte rregullime territoriale nëse palët pajtoheshin.

Pra, debati nuk ishte shpikje e Kurtit dhe as teori konspirative e krijuar vite më vonë.

Debati ishte real.

Pyetja ka qenë dhe mbetet se deri ku kishte arritur konkretisht projekti dhe cilët aktorë ishin të gatshëm ta çonin deri në fund.

Beogradit i duhet qeveria me të cilën mund të bëjë marrëveshje

Këtu, sipas meje, gjendet çështja më e madhe edhe sot.

Serbisë nuk i intereson vetëm kush bëhet president i Kosovës.

Madje Bekim Sejdiu mund të jetë pjesa më e vogël e gjithë kësaj historie.

Beogradit i intereson kush do ta qeverisë Kosovën kur të vijë faza vendimtare e dialogut me Serbinë.

Kush do të ulet përballë Vuçiqit?

Kush do të pranojë çfarëdo modeli të Asociacionit që kërkon Beogradi?

Kush do të bëjë koncesione?

Dhe, nëse një ditë rikthehet në tavolinë ideja e ndryshimit territorial, kush do të jetë i gatshëm të diskutojë për territorin e Kosovës?

Nuk ka sot prova publike se ekziston një plan i ri për t’ia dhënë veriun Serbisë.

Këtë duhet ta themi qartë.

Por do të ishte po aq naive të silleshim sikur projekti territorial nuk ka ekzistuar kurrë.

Ka ekzistuar.

Është diskutuar publikisht.

Dhe vetë presidenti i atëhershëm i Kosovës kishte arritur deri aty sa pjesë të veriut t’i lidhte me “dhuratat” e Rankoviqit.

Prandaj Beogradi ka një interes elementar strategjik: në Prishtinë të ketë përballë një pushtet me të cilin mund të arrijë më shumë sesa mund të arrijë me Kurtin.

Kjo nuk do të thotë se secili kundërshtar i Kurtit është proserb.

As se secili deputet që kundërshton Bekim Sejdiun punon për Beogradin.

Një përfundim i tillë do të ishte i padrejtë dhe pa fakte.

Por është krejt tjetër gjë të pyesim:

Cila qeveri i konvenon më shumë Serbisë?

Një qeveri që refuzon të negociojë territorin dhe kërkon reciprocitet?

Apo një qeveri më e dobët, e varur nga vota të brishta dhe më e ndjeshme ndaj presioneve të jashtme?

Përgjigjja nuk është shumë e vështirë.

Dhe Grenell shfaqet sërish pikërisht kur vendoset pushteti

Kjo është arsyeja pse postimi i Grenellit duhet parë në një kontekst shumë më të gjerë.

Në vitin 2020 ai ishte në përplasje të drejtpërdrejtë me Kurtin për masat ndaj Serbisë.

Qeveria Kurti I u rrëzua.

Një nga politikanët e LDK-së që sot Grenell po e mbështet, Arben Gashi, deklaroi më vonë se Grenell u kishte dhënë shtatë ditë për ta rrëzuar atë qeveri. Grenell e mohoi.

Në vitin 2023, Aleksandar Vuçiq e dekoroi Grenellin dhe e quajti mik të vërtetë të Serbisë.

Dhe sot, në vitin 2026, kur Kurti dhe Abdixhiku arrijnë një marrëveshje që mund ta zhbllokojë shtetin dhe t’i hapë rrugën krijimit të institucioneve, Grenell shfaqet përsëri.

Dhe kujt i del në krah?

Pikërisht gjashtë deputetëve që mund ta fundosin marrëveshjen.

Këto janë faktet.

Pastaj secili mund ta bëjë interpretimin e vet.

Unë timin e kam.

Serbia nuk e ka ndryshuar qëllimin

Mund të ndryshojnë qeveritë.

Mund të ndryshojnë ndërmjetësuesit.

Mund të ndryshojnë emrat e planeve – nga “korrigjimi i kufirit”, te “normalizimi”, te Asociacioni apo te ndonjë formulë tjetër që mund të dalë nesër.

Por interesi strategjik i Serbisë ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

Beogradi vazhdon të mos e njohë Republikën e Kosovës.

Prandaj Serbia ka interes që Kosova të jetë sa më e dobët politikisht, sa më e përçarë brenda dhe sa më e cenueshme në negociata.

Ka interes që përballë Vuçiqit të mos jetë një Prishtinë që thotë “jo”.

Por një Prishtinë që bindet.

Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar përgjigjja edhe për zhvillimet e sotme.

Nuk e di nëse gjashtë deputetët e LDK-së kanë menduar për interesin e Grenellit apo të Beogradit kur kanë marrë vendimin e tyre. Nuk kam asnjë fakt për ta thënë këtë dhe nuk do t’ua atribuoj një motiv që nuk mund ta provoj.

Por e di çfarë efekti politik ka vendimi i tyre:

rrëzimin e marrëveshjes Kurti–Abdixhiku, pamundësimin e zgjedhjes së presidentit dhe rrezikun e zgjedhjeve të reja.

Dhe di edhe një gjë tjetër:

Richard Grenell zgjodhi pikërisht ata për t’i përkrahur publikisht.

Prandaj pyetja ime nuk është vetëm se pse Grenell u doli në krah gjashtë deputetëve të LDK-së.

Pyetja është shumë më e rëndë:

Pse Richard Grenell shfaqet përsëri në momente vendimtare për pushtetin në Kosovë dhe pse pozicionimet e tij përfundojnë kaq shpesh në drejtimin që i konvenon Beogradit?

Dhe, mbi të gjitha:

Çfarë qeverie kërkon Serbia në Prishtinë kur të vijë dita e marrëveshjes përfundimtare – një qeveri që e mbron territorin e Kosovës, apo një qeveri me të cilën mund të rihapet ajo që dikur u quajt “korrigjim i kufijve”?

Kjo është pyetja që nuk duhet ta harrojmë.

Sepse Kosova mund të bëjë shumë gabime politike.

Por gabimin më të madh do ta bënte nëse, pas gjithë asaj që ka ndodhur, do ta vendoste përsëri territorin e saj në tavolinë./Bota Sot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *