Lirim Gashi: Ministria ballkanike e Vëllazërimit- Bashkimit
Po të kishte ekzistuar Ministria e Vëllazërim-Bashkimit Ballkanik, ajo pa asnjë dyshim do t’i shpallte zotërinjtë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq si projektin më të suksesshëm rajonal që nga shpikja e rakisë së kumbullës.
Madje, Edi dhe Aleksandri do të mund të bëheshin vëllezër gjaku, pa e kaluar asnjë procedurë burokratike, sepse në Ballkan gjërat e pamundura zakonisht realizohen më lehtë sesa ato të mundshmet.
Diplomatët do të njoftonin solemnisht se problemi shumëshekullor ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve më në fund është zgjidhur, jo përmes konferencave të paqes, por përmes ekonomisë sentimentale dhe integrimeve familjare.
Gazetat do ta botonin me shkronja të mëdha titullin:
„VËLLAZËRIM-BASHKIMI LULËZON SI KURRË MË PARË“
Ndërsa populli, si gjithmonë, do të vazhdonte të grindej për politikë, por këtë herë me krenarinë e veçantë se, të paktën, po grindej brenda së njëjtës familje.
Nuk e di sa do të çmendej nga gëzimi zoti Grenell, por nëse po, atëherë edhe për çmendurinë e tij do ta gjenim një zgjidhje në Spitalin e Shtimes.
