Kosova do të votojë programin qeverisës të të mirave publike dhe vizionin kombëtar të Albin Kurtit
Kosova shkon në votime më 7 qershor 2026. Edhe në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më tërheqës vizioni kombëtar dhe programi i të mirave publike të Kryeministrit Kurti dhe të LVV-së.
Vizioni, misioni kombëtar dhe programi i Kurtit nuk mund të krahasohen me programin e vetëm me parulla, intriga dhe akuza bajate e të neveritshme të opozitës në Kosovë kundër Kurtit. Opozita jo vetëm që nuk ka program, por opozitarët në Kosovë nuk e kuptojnë dhe as nuk kanë kapacitetin intelektual për të artikuluar, madje as për të kopjuar apo imituar programin e Kurtit.
Vizioni kombëtar i Albin Kurtit tashmë dihet, sepse flasin vetë faktet dhe sukseset e qeverisjes së tij, i cili vendosi legjitimitetin dhe sovranitetin në tërë territorin e Kosovës, duke realizuar kështu integrimin territorial dhe sundimin e ligjit dhe të Kushtetutës në Republikën e Kosovës, e cila, mjerisht, brenda saj paska pasur edhe zyra e struktura paralele serbe, bankë serbe, targa automjetesh serbe, paranë serbe, kontrabandë serbe, banda terroriste serbe dhe bashkëqeverisje me Listën Serbe, e cila nuk e njeh Kosovën shtet.
Me Kurtin funksionon Ushtria e Kosovës dhe ai ka në program rritjen e numrit të ushtarëve, trajnimin e tyre dhe pajisjen me armë moderne, si ato të ushtrive të NATO-s, si dhe anëtarësimin e Ushtrisë së Kosovës në NATO.
Po kështu, Kurti në programin e tij përfshin aspektin zhvillimor të rritjes ekonomike në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve, të përkrahjes dhe ndihmës për biznesin e vogël dhe të mesëm, si dhe të subvencioneve financiare për ta dhe për bujqësinë. Në programin e tij, Kurti ka transparencë, kontroll dhe llogaridhënie të plotë për mënyrën se ku do të investohet dhe si do të shpenzohet paraja publike, si dhe për atë se cila shtresë do të mbështetet nga buxheti i shtetit. Ai ka në program konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë korruptive dhe të paligjshme, rritjen e numrit të të punësuarve, nxitjen e inovacionit, mbështetjen e arsimit profesional dhe universitar, përkujdesjen shëndetësore etj.
Për mbështetjen e Kurtit nuk janë të interesuar vetëm votuesit në Kosovë dhe diaspora, por po interesohet gjithnjë e më shumë edhe publiku në Shqipëri.
