Gazeta gjermane FAZ: Durimit të BE-së me Serbinë i erdhi fundi – Vuçiqi nuk duhet të tolerohet më
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kohë që shkel vlerat dhe interesat e BE-së. Tani po merr faturën për këtë, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Varrimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq dhe minimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën nga ana e Boegradit e kanë mbushur kupën.
Bashkimi Evropian është shume i durueshëm dhe i aftë të durojë shumë kur bëhet fjalë për shtetet kandidatë për anëtarësim. Të gjithë në Bruksel e kuptojnë se reformat e nevojshme janë një balancim i ndjeshëm mes detyrimeve evropiane dhe ndjeshmërive kombëtare, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një koment.
Por, kur një qeveri as që përpiqet ta gjejë këtë ekuilibër dhe shkel në mënyrë sistematike vlerat evropiane, atëherë edhe durimi i madh prej engjëlli konsumohet në një moment.
Turqia dhe Gjeorgjia tashmë e kanë provuar këtë mbi kurrizin e tyre; negociatat e tyre u pezulluan politikisht. Serbia tani është në të njëjtën rrugë.
Varrimi i kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, me nderime ushtarake dhe me përfaqësues të lartë shtetërorë, është pika që e mbush kupën.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka mbushur atë prej vitesh: duke minuar normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke shpërfillur sundimin e ligjit, demokracinë dhe ndarjen e pushteteve në vendin e tij, duke i bërë qejfin Putinit dhe duke injoruar sanksionet kundër Rusisë.
Këshilli Evropian tani duhet të tërheq konsekuencat. Me këtë rast, ai me siguri nuk do ta mbyllë derën për në BE përpara zgjedhjeve parlamentare në Serbi në fund të tetorit.
Për serbët, ky mund të jetë shansi i fundit për një perspektivë evropiane, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”./Telegrafi/
