BE pa perspektivë të qartë për Ballkanin? Profesori paralajmëron status periferik për rajonin
Një propozim i ri i kancelarit gjerman Friedrich Merz për të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian ka hapur debat në rajon.
Komisioni Evropian konfirmoi se ka pranuar letrën e Merz, ku kërkohet që Ukrainës t’i ofrohet statusi i anëtares së asociuar, ndërsa vendeve të Ballkanit Perëndimor statusi i vëzhguesit.
Në mesin e vendeve të rajonit, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë status kandidati për anëtarësim në BE, derisa Kosova vazhdon të mbetet pa këtë status.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se propozimi i kancelarit Merz tregon një qasje të re shqetësuese të BE-së.
Sipas tij, Ukraina po favorizohet me një “korsi të shpejtë”, ndërsa Ballkani Perëndimor rrezikon të mbetet për një kohë të pacaktuar në pritje me statuse që nuk garantojnë anëtarësim të plotë.
ImageMirsad VocaFoto galeri
“Propozimi i kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për t’i ofruar Ukrainës statusin e anëtares së asociuar dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor statusin e vëzhguesit, shpërfaq një realitet të ri e mjaft shqetësues në arkitekturën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ky propozim dëshmon se dinamikat gjeopolitike pas luftës në Ukrainë po krijojnë një “korsi të shpejtë” për Kievin, ndërsa rajoni ynë po rrezikon të mbetet në një dhomë pritjeje të pafundme, me statuse zëvendësuese që nuk garantojnë integrim te plotë”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se propozimi i kancelarit gjerman ka peshë të madhe gjeopolitike, pasi vjen në një kohë kur Gjermania po merr rol udhëheqës në BE dhe NATO.
“Ky propozim merr një peshë të jashtëzakonshme gjeopolitike kur shohim pozicionin e ri të Berlinit. Gjermania tashmë ka marrë një rol të qartë udhëheqës në Evropë, si në kuadër të BE-së ashtu edhe në NATO, duke u shndërruar në lideren kryesore të politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë në kontinent. Prandaj, kur një iniciativë e tillë vjen nga Friedrich Merz, ajo nuk duhet parë si një ide e izoluar, por si pasqyrim i një mendësie të re strategjike gjermane.
Evropa prej vitesh ka premtuar anëtarësim të plotë në këmbim të reformave dhe zgjidhjes së problemeve bilaterale. Propozimi aktual tregon se në mendjen e elitave udhëheqëse evropiane po zë vend ideja që Ballkani Perëndimor mbase nuk do të anëtarësohet kurrë plotësisht, por do të lihet në një status hibrid e periferik si “ vëzhgues” . Ky është një zhgënjim i madh strategjik për të gjithë rajonin”, ka theksuar ai.
Tutje, Voca ka vlerësuar se Kosova rrezikon të mbetet plotësisht jashtë proceseve integruese evropiane, pasi nuk njihet nga pesë shtete të BE-së dhe ende nuk ka status kandidati.
“Për Kosovën, ky skenar është një goditje e dyfishtë që na nxjerr plotësisht jashtë loje. Nëse vendet fqinje si Shqipëria, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut e kalojnë këtë prag dhe bëhen vëzhguese, ato të paktën do të ulen në një dhomë me BE-në. Ndërsa Kosova, si vendi i vetëm që nuk njihet nga pesë shtete anëtare dhe nuk ka as statusin e kandidatit, rrezikon të mbetet tërësisht e izoluar në një zonë “gri” juridike e politike.
Ky realitet zhvesh dështimin e diplomacisë sonë aktuale për ta mbajtur Kosovën në agjendën kryesore të Brukselit dhe Berlinit. Derisa bota gjeopolitike po lëviz me shpejtësi të madhe dhe Gjermania po riorganizon sigurinë evropiane, qeverisja në Prishtinë po dështon ta kuptojë këtë ritëm. Duke u mbyllur në vetvete, duke u mbytur në “luftëra të brendshme” politike dhe duke u mjaftuar me narrative popullore, ne po harrojmë se partnerët tanë ndërkombëtarë thjesht do të gjejnë zgjidhje të tjera pragmatike pa na përfshirë ne”, ka vlerësuar Voca.
Po ashtu, Voca ka vlerësuar se ky propozim e dobëson pozitën negociuese të Kosovës në dialogun me Serbinë, pasi BE-ja nuk po ofron më një perspektivë të qartë anëtarësimi për kompromiset e bëra.
Ai tha se kjo duhet të jetë një alarm për Prishtinën, pasi Kosova rrezikon të margjinalizohet edhe më shumë në arenën ndërkombëtare.
“Ky propozim dobëson ndjeshëm edhe pozicionin negociues të Kosovës në dialogun me Serbinë. Kur BE-ja, nën lidershipin e ri gjerman, nuk ofron më një perspektivë të qartë dhe të prekshme anëtarësimi si shpërblim për kompromiset, ajo humb forcën e saj shtytëse mbi palët”, ka cilësuar Voca.
