Pse Vjosa Osmani thotë se presidenti nuk ka pushtet?
Dy deklarime të Vjosa Osmanit e tradhtojnë atë në synimet e veta. Në rastin e parë ajo u shpreh para pak ditësh se “Nëse votoni Albin Kurtin, votoni për të shkuar prapë në zgjedhje”! Dhe në rastin e dytë tha se “Nëse do të kisha dashur pushtet, do të kandidoja për kryeministër”! Të dy këto deklarime elektorale të sh-presidentes së Republikës së Kosovës janë montim i keq i propagandës me mungesë të theksuar argumenti. Do të ishte më mirë të thoshte se “Po! Unë luftoj për pushtet”, sesa të triblonte për të mbuluar diçka që e sheh gjithkush! Në fund të fundit, politika është luftë për pushtet!
Deklarimi i parë ishte presion dhe kërcnim për zgjedhësit. Një lloj arsyetimi idiot, i cili zbulon thelbin e angazhimit aktual të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në këtë rast ajo u thotë votuesve, se ju jeni fajtorë për krizat institucionale të gati një viti e gjysëm në Kosovë, sepse ju votuat Albin Kurtin dhe koalicionin e tij. Pra, përpiqet që fajin ta çojë te qytetarët, duke i akuzuar ata pse votojnë Kurtin dhe Vetëvendosjen. Ndaj dhe paralajmëron: – Nëse i votoni ata sërishmi, do ta çoni vendin në zgjedhje të reja. Prej këtej rrjedh shpalosja e qëllimit të ardhshëm. Nëse Lidhja Demokratike do të ketë më 7 qershor 15 deputetë, atëherë prapë do të ketë bojkot dhe për pasojë edhe zgjedhje të reja. Por nëse do të ketë bojkot dhe zgjedhje të reja, atëherë Kosova do të votojë në pjesën e parë të muajit gusht. Do të votojë kur e gjithë diaspora të jetë në Kosovë. Dhe me këtë skemë Vjosa dhe aleatët e saj do të dalin krejt të humbur.
Megjithatë deklarata kërcënuese drejtuar votuesve nuk është diçka e re. Ne në Shqipëri e përjetojmë në çdo palë zgjedhje. Lideri i mazhorancës te ne körcönon votuesit hapur dhe pa asnjë ndjenjë turpi. Mesa duket për Vjosa Osmanin edhe në fushatë zgjedhore model është Edi Rama! Dashtë Zoti dhe nuk do të bëjë thirrje që qytetarët “të mos dalin në votime, nëse ata nuk kanë ndërmend ta votojnë Vjosën dhe LDK-në”, siç bën kreu i ekzekutivit në Shqipëri.
Kërcënimi ose presioni mbi zgjedhësit është një metodë populiste e përhapur në demokracitë e brishta. Dhe kur këtë metodë presioni e përdor ish-kryetarja e shtetit, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë të madh. Lidershipi edhe në Kosovë po infektohet nga negativiteti dhe arroganca elektorale e vendeve jo demokratike në rajon. Kjo për faktin se deklarata e Osmanit nuk ishte konstatim. Ishte konkluzion i saj, shenjë definuese e një rezultati të ardhshëm. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se zonja ish-presidente shkon deri në këtë pikë.
Nga ana tjetër duhet thënë se deklarata kërcënuese për votuesin shpjegon edhe deklaratën, sipas së cilës zonja Osmani nuk qenka e interesuar për pushtet. Sipas saj posti i kryeministrit është post që të jep pushtet, ndërsa posti i presidentit nuk të jepka pushtet. Atëherë lind pyetja: – Kur presidenti nuk paska pushtet, pse ajo lakmoi aq shumë rolin e kryetares së shtetit në një mandat të dytë? Për t’i bërë fresk kryeminstrit Albin Kurti?! Pse arriti deri te veprimi hakmarrës anti-kushtetues i shpërndarjes së parlamentit, kur pa që zgjedhja e saj si presidente ishte jashtë axhendës së mazhorancës e madje edhe opozitës?!
Pavarësisht kësaj, në analizën time logjikisht arsyetoj se deklarata, sipas së cilës presidenti nuk paska pushtet dhe kryeministri po, paska pushtet, i adresohet më së shumti Albin Kurtit. Duke parë se rezultati zgjedhor i 7 qershorit do të jetë së paku ai i 28 dhjetorit 2025 ose edhe edhe më i lartë, zonja Osmani dëshiron t’i thotë zotit Kurti, se do të jetë luajale ndaj ekzekutivit qeveritar dhe nuk do ta pengojë qeverinë në qeverisje. Pra e shoh atë deklaratë si një sinjal kompromisi, deri në kufijtë e pazareve. Sepse gjithkush e di se ka shumë gjasa që votat e mazhorancës plus ato të Lidhjes Demokratike mund ta zgjedhin presidentin. Dhe Vjosa Osmani dëshiron ta joshë mazhorancën që ta pranojë kompromisin me Lidhjen Demokratike e ajo të vijojë mandatin e dytë në krye të shtetit. Pra ajo i thotë Albinit, se “Unë si presidente nuk kam pushtet. Pushtetin e ke ti si kryeministër. Dhe unë nuk do t’i shfrytëzoj kompetencat e mia kushtetuese për të bllokuar vendimmarrjen e qeverisë dhe mazhorancës në parlament.
A do të besojë Albin Kurti në këtë truk politik të Vjosa Osmanit? Këtë do ta shohim pas zgjedhjeve të 7 qershorit!
