KQZ ‘gati’ për diasporën, politologu nga Brukseli: Mund të ndikojë qartë në rezultatin zgjedhor, por ka rrezik që…
105 mijë pako individuale me fletëvotime për qytetarët e regjistruar jashtë Kosovës janë përgatitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për votimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku po zhvillohej përgatitja e dërgesave, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se procesi i votimit me postë do të nisë më 21 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor.
Sipas tij, deri tani janë përgatitur 75 mijë pako, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 30 mijë pakosh do të finalizohet gjatë ditës.
KQZ ka bërë të ditur se shpërndarja e pakove do të realizohet përmes operatorit ekonomik dhe shërbimeve postare në shtete të ndryshme ku jetojnë votuesit e regjistruar.
Për secilën dërgesë është vendosur një numër unik gjurmimi, i cili u është dërguar votuesve për të mundësuar ndjekjen e vendndodhjes së pakos së tyre.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve jashtë vendit që të mos presin afatin e fundit për kthimin e votës, por ta dërgojnë pakon sa më herët, në mënyrë që ajo të arrijë me kohë për procesin e numërimit në Kosovë.
Për të lehtësuar procesin, KQZ ka vendosur kuti postare në 22 shtete, përfshirë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Përveç tyre, mbetet funksionale edhe kutia e përhershme postare e KQZ-së në Kosovë.
Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim.
Politologu shqiptar në Bruksel, thotë se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë interesim publik tashmë të rritur.
Ai e sheh të mundur që zgjedhjet e 7 qershorit të shënojnë një pjesëmarrje shumë të lartë të diasporës, gjersa përmend edhe një kontekst politik shumë të veçantë.
“Po, është e mundur që zgjedhjet e 7 qershorit të shënojnë një pjesëmarrje shumë të lartë të diasporës, ndoshta edhe më të lartën e regjistruar deri më sot. Interesimi politik i kosovarëve që jetojnë jashtë vendit vazhdon të rritet dhe diaspora po e ndjek gjithnjë e më nga afër zhvillimin politik në Kosovë. Megjithatë, ky mobilizim duhet parë në një kontekst politik shumë të veçantë. Këto do të jenë zgjedhjet e katërta brenda më pak se një viti e gjysmë, prej të cilave tri zgjedhje parlamentare. Kjo përsëritje zgjedhore reflekton një paqëndrueshmëri të thellë institucionale. Zgjedhjet e para nuk arritën të prodhonin një shumicë të qartë dhe stabile qeveritare. Zgjedhjet pasuese mundësuan krijimin e një qeverie më stabile, por pa një shumicë të mjaftueshme parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri, gjë që çoi sërish në krizë politike. Në këtë kontekst, mobilizimi i madh i diasporës shpreh njëkohësisht përkushtim demokratik dhe shqetësim në rritje për bllokimin institucional të vendit”, shprehet Gjanaj.
ImageRamadan GjanajFoto galeri
Ai krahason interesimin e diasporës në zgjedhjet e 7 qershorit me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe 9 shkurtit 2025, ku sipas tij në këto zgjedhje ata votojnë si përpjekje për ta nxjerrë vendin nga një ngërç institucional që po dëmton kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe funksionimin normal të institucioneve
“Interesimi i diasporës mbetet shumë i lartë dhe sot duket më i strukturuar sesa në vitet 2021 dhe 2025. Në vitin 2021 ekzistonte një dinamikë e fortë për ndryshim politik, e nxitur sidomos nga shpresa për rinovim të klasës politike dhe një luftë më efektive kundër korrupsionit. Në vitin 2025, diaspora konfirmoi se tashmë përbën një faktor të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm elektoral në jetën politike të Kosovës. Por situata aktuale është ndryshe. Vota e diasporës zhvillohet tani në një klimë lodhjeje elektorale dhe krizash të përsëritura institucionale. Shumë qytetarë që jetojnë jashtë vendit i shohin këto zgjedhje jo vetëm si një zgjedhje të zakonshme politike, por edhe si një përpjekje për ta nxjerrë vendin nga një ngërç institucional që po dëmton kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe funksionimin normal të institucioneve. Pra, vërehet një evolucion: në vitin 2021 vota ishte më shumë e motivuar nga shpresa për ndryshim, ndërsa sot ajo motivohet gjithashtu nga dëshira për të shmangur një paralizë të re politike”, thekson politologu.
Diaspora mund të ndikojë qartë në rezultatin zgjedhor, thotë Gjanaj, por sipas tij ekziston edhe rreziku i rritjes së abstencionit brenda Kosovës.
Në fund, politologu konsideron se “sfida kryesore e Kosovës sot nuk është vetëm mobilizimi elektoral, por mbi të gjitha aftësia e forcave politike për të rikthyer besimin e qytetarëve tek institucionet dhe tek stabiliteti i sistemit demokratik”.
“Diaspora mund të ndikojë qartë në rezultatin zgjedhor dhe të luajë një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e mandateve ndërmjet partive politike. Megjithatë, duhet shmangur mbivlerësimi i ndikimit të saj. Edhe me një pjesëmarrje rekord të diasporës, sot duket shumë e vështirë që partia e parë — veçanërisht LVV-ja — të sigurojë e vetme apo me aleatët e saj një shumicë të kualifikuar prej të paktën 80 deputetësh. Ndërkohë, kjo shumicë është thelbësore jo vetëm për të garantuar një qeveri stabile, por edhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës dhe shmangien e një paralize të re institucionale. Ekziston gjithashtu një element tjetër shumë i rëndësishëm: rreziku i rritjes së abstencionit brenda Kosovës. Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të katërtat brenda më pak se një viti e gjysmë, prej të cilave tri parlamentare. Kjo përsëritje zgjedhore mund të shkaktojë lodhje demokratike te një pjesë e qytetarëve, të zhgënjyer nga krizat politike të njëpasnjëshme, vështirësitë për krijimin e institucioneve stabile dhe përshtypja e një bllokimi të vazhdueshëm të sistemit politik. Në këtë kontekst, edhe nëse pjesëmarrja e diasporës rritet ndjeshëm, efekti politik i pritur mund të neutralizohet pjesërisht nga rënia e pjesëmarrjes së votuesve që jetojnë në Kosovë. Me fjalë të tjera, rritja e votës nga jashtë nuk nënkupton automatikisht një përmbysje të madhe të ekuilibrave politikë nëse, paralelisht, rritet abstencioni brenda vendit. Prandaj, sfida kryesore e Kosovës sot nuk është vetëm mobilizimi elektoral, por mbi të gjitha aftësia e forcave politike për të rikthyer besimin e qytetarëve tek institucionet dhe tek stabiliteti i sistemit demokratik”, përfundon Gjanaj.
