OPINIONTË FUNDIT

Publicisti me kritika të ashpra: Egoja e Vjosës dhe kontakti me Ramën, rrezik për skenën politike në Kosovë

Afrimi i Vjosa Osmanit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u komentua gjerësisht në opinionin publik si një ndryshim i rëndësishëm në orientimin e saj politik. Dikur e afërt me frymën politike të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Osmani me kalimin e kohës nisi të mbante qëndrime më të rezervuara ndaj qeverisë së Kosovës, duke krijuar përshtypjen e një distance politike mes tyre.

Shumë analistë e lidhën këtë ndryshim me afrimin e saj me Edi Ramën, sidomos në temat që lidhen me bashkëpunimin rajonal dhe raportet ndërshqiptare.

Sipas kritikëve, ndikimi politik i Ramës reflektoi edhe në diskursin e Osmanit, e cila gradualisht e ashpërsoi gjuhën ndaj Albin Kurtit dhe qeverisë së tij.

Megjithatë, mbështetësit e Osmanit e konsiderojnë raportin e saj me Ramën si pjesë normale të bashkëpunimit institucional mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, afrimi i tyre mbeti një nga temat më të diskutuara politike dhe u perceptua nga shumë qytetarë si një ndër faktorët që ndikoi në prishjen e raportit mes Osmanit dhe Kurtit.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Dedë Preqi.

ImageDedë PreqiFoto galeri
Publicisti vlerëson se zgjedhjet e vitit 2021 ishin një moment historik dhe shpresëdhënës për Kosovën, ku qytetarët zgjodhën Albin Kurti dhe Vjosa Osmani si figura që përfaqësonin ndryshimin dhe vullnetin popullor.

Ai gjithashtu mbron veprimet e Lëvizja Vetëvendosje, duke theksuar se ato kanë qenë të lidhura me mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare të Kosovës.

“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, do të mbahen në mendje si zgjedhjet më frymëzuese dhe premtuese të mbasluftës, ku populli i Kosovës, e shprehi vullnetin e vet në mënyrë demokratike, duke zgjedhur dy figura të rëndësishme në udhëqje të vendit, qoftë edhe si një kërkim, që të gjejmë njerëz të tillë dhe të pranuara nga populli i këtij vendi.

Kryeministër i vendit zgjedhët Albin Kurti, ndërsa presidente Vjosa Osmani, si dy figura të njohura politike dhe më të votuara në vendin tonë, të cilët arritën të formojnë një kualicion të përbashkët, edhe pse u bashkuan « rastësisht » por sikur e gjetën një vijë të përbashkët politike për të udhëqë Kosovën, si një dyshe në një front të përbashkët me kauzën e ndërtimit dhe villimit të këtij vendi.

Konceptet e LVV, që në fillim të veprimtarisë së saj shpeshherë janë atakuar si veprime që janë përkthyer edhe në vepra penale, mirëpo, duhet të kemi parasysh se shumë veprime të tyre kanë qenë në mbrojtje të kauzës me domëthënje të rëndësishme shtetërore dhe ligjore”, u shpreh ai.

Duke vazhduar tutje, publicisti thekson se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti u angazhuan kundër proceseve që i konsideronin të dëmshme për Kosovën, duke u paraqitur si mbrojtës të interesave shtetërore, luftues të korrupsionit dhe përkrahës të partneritetit me BE-në dhe SHBA-të, së bashku me Vjosa Osmani.

“Në fakt narrativa e veprimeve të LVV, ishte kundër demarkacionit me Malin e Zi, që do të përfitonte nga Kosova me dhjetëra hektarë tokë, madje kundër Asociacionit të komunave serbe, që kuptohet se është një plan i rrezikshëm për këtë vend, mandej kundër shkëmbimit të teritoreve të Kosovës me Serbinë, dhe kundër Gjykatës Speciale, e cila do t’a gjykonte luftën dhe luftëtarët e UçK-së.

Lideri i VV, Albin Kurti, i udhëhequr nga idetë e një politikani të ri, por i pjekur dhe i regjur dhe nga regjimi i Millosheviçit, i cili në demokracinë e re të Kosovës, del si një politikan dhe lider pro-popullor dhe njëri ndër ata që kundërshtoi haptas korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat elemente mbas luftës ia shtuan peshën e vuajtjeve kësaj shoqërie njerëzore.

Albin Kurti, si kryeministër dhe Vjosa Osmani si presidente e Kosovës, do paraqesnin modelin më të mirë dhe të rrallë në rajon, që përveq marrëdhënieve me vendet e BE-së, në asnjë mënyrë nuk do heçnin dorë edhe nga marrëdhëniet me SHBA-të, si mikun më të madh të të gjitha kohërave ndaj vendit tone”, shpjegon Preqi.

Duke vazhduar tutje publicisti përshkruan rrugëtimin politik të Vjosa Osmani nga largimi i saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës deri te bashkëpunimi me Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, duke e cilësuar këtë aleancë si një shpresë të madhe për Kosovën, por që më vonë përfundoi me ndarje dhe rikthimin e saj pranë LDK-së.

“Vjosa Osmani, më herët ishte anëtare e kryesisë së LDK, dhe pjesë shumë aktive e këtij subjekti politik, mirëpo, ajo largohet pa dëshirën e saj nga kryesia dhe anëtarësia e këtij subjekti politik, sipas sëcilës është thënë se asaj, i janë bërë shumë pengesa dhe intriga nga rrethi dhe vetë kryesia e kësaj partie, të cilat e kanë shtyrë largimin e saj në mënyrë edhe të dhunshme.

Fillimisht z.Osmani, sikur e humbi rëndësinë e saj nga LDK, e cila e formon Listën « Guxo » dhe së bashku me LVV dhe kryetarin e saj Albin Kurti, garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, duke arritur një fitore të thellë, me ç’rast kjo zgjedhet presidente e shtetit dhe Kurti, kryeministër.

Vjosa dhe Albini, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, do të garonin në një listë të përbashkët dhe si patner të një binomi të mirëpritur nga populli për ti pri këtij vendi, sikur do të ishte një nga fatet më të mira që ka pasur ndonjëherë Kosova, me ndjesinë e thellë të angazhimit dhe bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë të këtij vendi.

Mirëpo, askush nuk e mendoi se një bashkëpunim dhe binom i tillë do të përfundonte një ditë në rrethana jo të mira, duke mos zgjatë deri në fund të mandateve të tyre, dhe sikur ndodhi diçka e pa pritur që do t’i prekte « syri i keq », apo në mes tyre hyri një dreq, i cili ua mjegulloi rrugët e tyre, të cilën shumica e njerëzve rreth e përqark ua patën zili.

Pikërisht kohën e fundit, kur Vjosa e përfundon mandatin e saj si presidente e vendit dhe nuk do mund të mandatohet për të dytin herë, kjo i bashkohet LDK-së, apo shoqërisë së vjetër, duke i ndarë rrugët me LVV dhe Albin Kurtin”, potencon publicisti.

Në fund publicisti kritikon ashpër Vjosa Osmani për akuzat ndaj Albin Kurti, duke i cilësuar ato si të nxitura nga ambicia politike dhe ndikimi i Edi Rama, ndërsa thekson se këto veprime kanë dëmtuar besimin publik dhe imazhin e saj politik.

“Siç thuhet, nuk ka pushtet njerëzor që nuk ka përgjegjësi përkatëse, por, për fat të keq me një përshtypje të tillë, duke zbrazur gjithë energjinë në akuza të rënda dhe të pa qena ndaj njëri-tjetrit, gjegjësisht ndaj kryeministrit Kurti, dhe jo vetëm që nxjerr helm e vrerë ndaj tij, por duke mos kursyer edhe gjëra përtej asaj që nuk do duhej të fliten në publik sipas kodit të besimit apo si sekrete shtetërore.

Pikërisht në çastin e shpërthimit të akuzave ndaj kryeministrit të vendit, që i publikon ish-presidentja Vjosa Osmani, janë momente emocionale të fushatave parazgjedhore, por duke nisur nga një cak i qartë i saj, kanë përshtypjen për të fituar besimin tek subjekti që është kthyer nga ishte përzënë më herët, apo thënë ndryshe, kjo energji e akumuluar nuk qëndron gjatë, sepse haset në kundërshti nga moszgjidhja e problemit.

Kritikat e saj të « vjellura » ndaj kryeministrit Kurti, në këto momente parazgjedhore duken të dyshimta dhe ekspozohen në forma të liga, të cilat nuk janë joshëse, që e tërheqin opinionin shqiptar dhe më gjerë, sepse nuk janë mbresëlënëse dhe vlerë me domethënjen e një autoriteti me përgjegjësinë më të madhe shtetërore.

Prandaj, edhe në demokraci nganjërë lindin edhe befasi të frikshme përshkak të « etjeve » që i krijon pushteti, por rreziku mund të vijë përveç kësaj edhe nga fakti që pushteti mund të ketë një vullnet me orientim të gabuar dhe moralisht të rremë.

Nuk mund të ndodh që pas kësaj të mos ketë më një vullnet ndryshe dhe më të sinqertë, të cilit mund ti drejtohesh që të përgjigjet, dhe në këto rrethana kemi diçka shumë komplekse nga ish-presidentja Vjosa Osmani, duke mos gjetur mbështetjen reale nga qytetarët e këtij vendi, sepse qëllimet bazë janë thellë dhe fshihen në egon e Vjosës, e cila më herët nuk dukej e tillë, por kjo u helmua në kontakt me Edi Ramën”, përfundoi publicisti Preqi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *