OPINIONTË FUNDIT

Vuçiq alarmohet nga nisma amerikane për Kosovën në NATO: Do të luftojmë që kjo të mos ndodhë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj nismës së tre kongresmenëve amerikanë për mbështetjen e integrimit të Kosovës në NATO.

Sipas mediave serbe, Vuçiq, pas një paraqitjeje në Pançevë, u pyet për iniciativën që Kosova të integrohet në Aleancën Veriatlantike, ndërsa deklaroi se Serbia do të angazhohet për ta penguar një zhvillim të tillë.

“Shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që një gjë e tillë të mos ndodhë”, ka deklaruar Vuçiq, duke shtuar se katër vende anëtare të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ai ka përmendur faktin se, sipas tij, përderisa ekzistojnë vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, ekzistojnë edhe katër vende të NATO-s që mbajnë të njëjtin qëndrim, duke aluduar në pengesat që Serbia synon t’i përdorë kundër avancimit të Kosovës drejt NATO-s.

Reagimi i Vuçiqit vjen pas nismës së kongresmenëve amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, të cilët kanë paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që shpreh mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës në NATO.

Në njoftimin zyrtar të kongresmenit Keith Self thuhet se Kosova ka dëshmuar qeverisje demokratike, mbikëqyrje civile të forcave të sigurisë dhe bashkëjetesë multietnike, duke e bërë anëtarësimin e saj në NATO një rast të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.

Rezoluta thekson gjithashtu se përfshirja e Kosovës në NATO do të shërbente si kundërpeshë ndaj forcave destabilizuese në rajon dhe do të ndihmonte në mbylljen e një boshllëku strategjik në Evropën Juglindore.

Aktualisht, katër vende anëtare të NATO-s – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ndërsa vendimmarrja në NATO bëhet me konsensus. Kjo mbetet një nga pengesat kryesore në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Aleancë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *