POLITIKATË FUNDIT

Kërcënohet me djegie, deputeti i VV-së çuditet me vendimin e prokurorit Paulin Pashku

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pasi ka marrë mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale, ku një prej tyre përfshinte edhe kërcënim për djegien e pronës së tij.

Sipas Dugollit, pas një postimi të fundit që, siç thotë ai, u shndërrua në një “lajm të porositur”, ai ka pranuar një numër të madh reagimesh nga qytetarët. Ndërsa shumica ishin në mbështetje të tij, ai thekson se nuk munguan as mesazhet me gjuhë fyese dhe kërcënuese.

Rastin e ka denoncuar në Policia e Kosovës, e cila, sipas tij, e ka trajtuar me profesionalizëm duke hapur rast dhe duke ndjekur procedurat përkatëse hetimore.

Megjithatë, Dugolli shpreh shqetësim për vendimin e prokurorit kujdestar, Paulin Pashku, i cili e ka cilësuar rastin si pa elemente të veprës penale, duke sugjeruar që çështja të trajtohet përmes padisë civile.

Postim i plotë:

Miq të nderuar,

Dje, pas një postimi tim për një çështje që u shndërrua në një “lajm” të porositur, pranova shumë mesazhe në profilin tim. Shumica dërrmuese ishin mbështetje dhe solidarizim me të vërtetën, por nuk munguan edhe disa me fyerje, sharje të ulëta dhe kërcënime. Njërin prej tyre po e veçoj (shih më poshtë screenshot).

Pas konsultimit me disa miq, sot u paraqita në stacionin e Policisë në rajonin e Jugut. Policia hetimore e trajtoi rastin me profesionalizëm dhe seriozitet të lartë. Pasi u zhvilluan procedurat standarde për marrjen e deklaratës dhe hapjen e rastit me prioritet, për veprime të mëtejme kërkohej autorizimi i prokurorit.

Habia ime ishte mënyra se si prokurori kujdestar, Paulin Pashku, e kishte hedhur poshtë këtë rast. Sipas tij, rasti nuk përmban elemente të veprës penale dhe mund të adresohet përmes një padie civile.

Këtu shtrohet pyetja: a duhet të pres që këto kërcënime të materializohen, që dikush të rrezikojë jeten dhe pronën time private (deri në djegien e shtëpisë) që pastaj të ketë reagim institucional?

E di që për raste të ngjashme prokuroria ka ndërmarrë veprime dhe kjo është për t’u vlerësuar. Por lind pyetja: a duhet domosdoshmërisht të plotësohen “kritere” të tjera, si përkatësia politike, që një rast i tillë të trajtohet seriozisht?

Dihet gjithashtu se për disa deputetë të partive opozitare, që kanë marrë mesazhe të ngjashme kërcënuese, janë hapur raste dhe madje janë arrestuar persona të implikuar, ndërsa për mua qe jam i Vetëvendosjes, nuk vlejnë të njëjtat rregulla dhe standarde!!

Prokuroria dhe prokurorët duhet të jenë të paanshëm dhe të kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, ashtu siç po vepron Policia e Kosovës, e jo të zbatojnë standarde të dyfishta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *