Rënia heroike e Sali Çekajt, rrëfimi i bashkëluftëtarit: Si e kishte vënë në shënjestër UDB-ja
Sali Çekaj, luftëtar dhe veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, i njohur për angazhimin e tij në organizimin dhe ideimin e lëvizjeve me karakter politik e ushtarak, ra heroikisht 27 vjet më parë në betejën e Koshares.
Së bashku me të ranë edhe bashkëluftëtarët e tij: Shefqet Mustafaj nga Gllogjani, Mejdi Korrani, Luan Gashi, Ilir Hoxha, Hysni Temaj, Izet Morina, Bejtë Kajdomçaj, Aziz Gashi, Afrim Stajku, Fatos Limani, Fisnik Ibrahimi dhe Leonard Palucaj.
Bashkëluftëtari i tij, Sami Tahiraj, ka rrëfyer për “Bota sot” se Sali Çekaj ishte një nga figurat qendrore të organizimit dhe veprimtarisë së hershme politike e ushtarake, i cili u shqua për angazhimin e tij të vazhdueshëm në përgatitjen dhe koordinimin e strukturave të rezistencës.
Sipas tij, Çekaj mbeti i përkushtuar deri në fund në misionin e tij, duke qenë i pranishëm në zhvillimet vendimtare të luftës dhe në betejën e Koshares, ku edhe ra heroikisht së bashku me bashkëluftëtarët e tij.
Po ashtu, ai ka kujtuar se aktivitetin patriotik Çekaj e nisi me demonstratat e vitit 1981 dhe më pas u angazhua në udhëheqjen politike në Deçan në vitet ’90, duke qenë pjesë e protestave dhe lëvizjeve popullore në mbështetje të minatorëve të Trepçës dhe kërkesave të kohës.
ImageSami TahirajFoto galeri
“Për të folur për figurën e Sali Çekajt është një nder i madh, por është edhe një përgjegjësi e madhe, sepse kemi të bëjmë me një ndër figurat më të mëdha të kombit në historinë më të re të Kosovës. Ai ishte një figurë poliedrike, shumëdimensionale, e cila ngërthen në vete të gjitha ato veti që rrallëherë në histori mund t’i gjesh të kompletuara te një personalitet udhëheqës, i cili e bën të pranueshëm për të gjitha shtresat e shoqërisë. Te Sali Çekaj gjeje vetitë e burrërisë tipike shqiptare: trimërinë, bujarinë, besnikërinë, dashurinë ndaj familjes dhe shokëve. Te Sali Çekaj gjeje juristin, politikanin, oficerin, guerilin dhe intelektualin e madh, i cili diti në mënyrën më unike që të gjitha t’i fusë në shërbim të çështjes madhore kombëtare. Figura e tij ka nevojë për një studim të mirëfilltë shkencor adekuat, i cili do ta zbërthejë në tërë kompleksivitetin e saj dhe të dalë në pah e gjithë e vërteta, të cilën e ka mbuluar pluhuri i harresës nga injoranca e elitës totalitare bolshevike. E gjithë kjo bëhet me të vetmin qëllim që t’i vazhdohet jeta gënjeshtrës së madhe historike, e cila u ndërtua nga “hajnat e historisë”, mbi të cilën ndërtuan karrierën e tyre politike dhe sot qëndrojnë në majat e pushtetit në Kosovë. Aktivitetin patriotik Sali Çekaj e filloi më 1981, ku demonstratat masive gjithëpopullore e gjejnë në mesin e tyre. Ndryshimet e mëdha politike të viteve 1990 e gjejnë në krye të udhëheqjes politike në komunën e Deçanit. Ai vihet në ballë të gjitha kërkesave gjithëpopullore të kohës, siç ishin protestat, tubimet dhe marshimet drejt Prishtinës në përkrahje të minatorëve të Trepçës”, ka vlerësuar ai.
Tahiraj ka rrëfyer se si Çekaj u vendosë në shënjestër të UDB-së, e cila e ndiqte nga afër, derisa ai arriti t’i shmangej arrestimit dhe u arratis në Gjermani me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve.
“Ai doli hapur në përkrahje të tyre në emër të të gjitha strukturave udhëheqëse të komunës së Deçanit. Ishte në ballë të luftës politike kundër ndryshimeve kushtetuese, dorëzimit masiv të librezave të LKJ-së, e cila filloi pikërisht në gjykatën komunale ku ai kishte bazën. Jo rastësisht kjo gjykatë u quajt “çerdhe e nacionalizmit shqiptar” nga UDB-ja. Ishte njëri ndër themeluesit e LDK-së dhe pluralizmit në Deçan, ishte edhe kryetar i KKPP-së. Ishte njëri ndër hartuesit kryesor të statutit komunal, në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut. Të gjitha këto aktivitete dhe shumë të tjera, Sali Çekën e vënë në shënjestër të UDB-së, të cilët e gjurmonin hap pas hapi, derisa një ditë u vërsulën për ta arrestuar, por falë gjatësisë së tij dhe disa shokëve, ai arriti t’u shpëtojë dhe u arratis në Gjermani.
Menjëherë pas arritjes në Gjermani, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik pranë degës së LDK-së. Krahas saj, edhe atë ushtarak pranë M.M.R.K.
Pas një marrëveshjeje në mes të udhëheqjes së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për stërvitje ushtarake të të rinjve nga Kosova dhe trevat shqiptare, Sali Çekën e gjejmë ndër të parët në këto stërvitje, edhe pse ai kishte njohuri të mjaftueshme profesionale, sepse ishte oficer rezervë. Qëllimi i tij ishte që, krahas stërvitjeve taktiko-fizike, të njihej për së afërmi me të gjithë shokët me të cilët më vonë do të bëheshin bartësit kryesorë të ngjarjeve të mëdha që ndodhën në Kosovë, që nga sulmet e para guerile e deri te lufta e hapur.
Të dy grupet, tashmë më të njohura për opinionin shqiptar si grupi i parë në përbërje të të cilit ishin heronjtë e kombit Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe Ahmet Hoxha, dhe grupi i dytë që në mesin e tij kishte edhe heronjtë Adem Jashari, Ilaz Kodra dhe të tjerë, ishin dhe do të mbeten bazamenti kryesor mbi të cilin u ndërtua e gjithë ajo që quhet luftë e armatosur”, ka shtuar ai.
Tutje, Tahiraj ka deklaruar se nisma e luftës së armatosur në Kosovë filloi në dhjetor 1991, kur një grup i armatosur, nën komandën e Sali Çekajt, kaloi kufirin Shqipëri–Kosovë dhe u shpërnda në territore të ndryshme shqiptare, duke shënuar fillimet e veprimeve të organizuara ushtarake.
Ai ka shtuar se Çekaj më vonë u përfshi në strukturat ushtarake pranë MMRK-së të udhëhequr nga Ahmet Krasniqi, duke qenë aktiv deri në fazën e luftës së hapur.
“Fillimi i saj filloi në dhjetor të vitit 1991, kur këta trima të armatosur deri në dhëmbë thyen kufirin shqiptaro-shqiptar dhe, nën komandën e Sali Çekajt, u futën në Kosovë duke u shpërndarë në të gjitha trevat shqiptare. Kështu filluan luftën e armatosur, për të mos e ndalur deri në çlirimin definitiv të vendit. E gjithë kjo ngjarje, që nga Shqipëria e deri sa përfundoi, ishte nën komandën e Sali Çekajt. E them këtë argument për të vërtetuar me fakte konkrete një të vërtetë shumë të madhe, mbi të cilën do të ndërtohet e gjithë e vërteta historike për luftën në Kosovë.
Këta ishin nismëtarët e parë të luftës në Kosovë dhe Sali Çekaj ishte komandanti i parë i kësaj nisme, i cili nuk e ndali kurrë deri në rënien e tij heroike si komandant në Koshare. Të gjitha aksionet guerile që u kryen në Kosovë u kryen nga këta trima të udhëhequr dhe të koordinuar nga tre kolosët: Sali Çekaj, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti.
Çdo veprimtari politiko-ushtarake që ndodhi në Dukagjin në këto periudha kohore është e lidhur ngushtë me emrin e Sali Çekajt. Sado që elita e kuqe pansllaviste tenton ta eliminojë këtë figurë të madhe të nacional-demokracisë nga historia më e re e Kosovës, ajo ngrihet dhe rritet edhe më madhështore, më fitimtare, duke u shtrirë dhe përqafuar në tërë hapësirën shqiptare dhe duke u bërë figura më e dashur, më e çmuar dhe më e respektuar e kohës.
Pas gjithë këtyre aktiviteteve politiko-ushtarake në Dukagjin e më gjerë, Sali Çekën lufta e hapur e gjeti në majat e organizimit ushtarak pranë MMRK-së, të udhëhequr nga Ahmet Krasniqi”, ka deklaruar ai.
Më tej, Tahiraj ka deklaruar se Sali Çekaj, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, vuri bazat e organizimit ushtarak në Dukagjin, duke filluar nga prilli i vitit 1998 dhe duke e shtrirë këtë strukturë në shumë zona të rajonit.
Sipas tij, më pas u formua shtabi me tri brigada operative (131, 133 dhe 134), të komanduara nga Tahir Zemaj, ndërsa Çekaj dhe bashkëpunëtorët e tij patën rol në organizim, furnizim dhe koordinim të strukturave ushtarake.
“Sali Çekaj, së bashku me shokë, vuri bazat e para të këtij organizimi në Dukagjin. Nga prilli i vitit 1998, ai së bashku me Rrustem Bruqin, Adem Ukhagen dhe shumë shokë të tjerë, e shtrinë këtë organizim në shumë territore të Dukagjinit, ku më vonë do të vendosej shtabi me tri brigadat operative 131, 133 dhe 134, të komanduara nga komandanti Tahir Zemaj.
Baza në Tropojë për shpërndarjen e armatimit, via e furnizimit përmes Vokshit që komandohej nga komandanti Guri – Adem Ukhaga, si dhe baza në shkollën e Viqidolit ku vendosej komanda e udhëhequr nga Tahir Zemaj, ishin mbi 100 ushtarë që Rrustem Bruqi me shokë i sollën nga Kosova në Shqipëri, me të cilët u formuan këto tri brigada operative. Gjithashtu, via e furnizimit nga shtetet perëndimore ishte rezultat i punës së Sali Çekajt me shokë.
Pas futjes së njësive operative në Kosovë, nën komandën e Tahir Zemajt, Sali Çekaj pati rol kyç në komandën e këtij shtabi; ai ishte edhe komandant i brigadës 134.
Këto njësi operative patën një mori suksesesh në disa beteja, si ajo e Llukës dhe ajo e Logjës, në të cilën ra heroikisht bashkëpunëtori dhe bashkideatori më i ngushtë i Saliut, Rrustem Bruqi. Krahas këtyre sukseseve, ata patën edhe shumë pengesa serioze nga i ashtuquajturi SHPUQK. Edhe pse në mes të MMRK dhe SHPUQK u arrit një marrëveshje në Oslo, SHPUQK kurrë nuk e respektoi atë”, ka nënvizuar ai.
Gjithashtu, Tahiraj ka deklaruar se në terren ka pasur sabotime dhe pengesa serioze, ndërsa zhvillimet kanë kulmuar me vrasjen e ministrit të mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, në Tiranë, të cilën ai e cilëson si një nga ngjarjet më të rënda të asaj periudhe.
“Historia po përsëritet si në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj. Komunistët shqiptarë, të dirigjuar nga ideologët bolshevikë pansllavistë Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviqi, prishën marrëveshjen e Mukjes në Shqipëri dhe filluan likuidimin e elitës nacionaliste shqiptare në të dy anët e kufirit, e cila vazhdoi deri në ditët e sotme.
Në Tiranë ndodhi vazhdimësia: “Mugoshat” dhe “Popoviçët” e rinj tradhtuan marrëveshjen e Oslos dhe filluan likuidimet ndaj udhëheqjes institucionale. Ata nuk mund ta shihnin në krye të ushtrisë së Kosovës një bir të familjes nacionaliste, një nip të nacionalistit Aziz Zhilivoda, një nxënës të ideologut të madh nacional-demokrat Metush Krasniqi.
Prandaj u përdor strategjia e njohur bolshevike: “pastrimi i kokave të mëdha”, që nesër rruga drejt pushtetit të jetë pa pengesa. Dhe kjo ndodhi; filloi me Ahmet Krasniqin dhe përfundoi me Isuf Haklin.
Këtu ngjarjet morën tatëpjetën. Sali Çekaj i përjetoi shumë rëndë këto zhvillime; atij iu gjymtuan pjesët kryesore të trupit dhe kështu, i plagosur rëndë, vazhdoi rrugën drejt Koshares, ku së bashku me Agim Ramadanin ishin ideologët dhe zbatuesit kryesorë të ngjarjes së madhe historike të pastrimit të kufirit shqiptaro-shqiptar, deri në rënien e tyre heroike në fushën e nderit, duke rënë për të mos vdekur kurrë dhe duke u bërë gurthemeli i përjetshëm i shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Tahiraj.
