Bulliqi: Ka hapësirë për marrëveshje politike për Presidentin – flet edhe për Podujevën
Në një intervistë për “Bota sot” ka folur kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Kryetari Bulliqi ka thënë se këtë vit në Podujevë do të realizohen shumë projekte, duke përfshirë zonën ekonomike, shkollën ekonomike, qendrën për të moshuar dhe një palestër multisportive.
Ai tha se bashkëpunimi me nivelin qendror ka qenë shumë i mirë dhe ka ndihmuar në realizimin e projekteve të mëdha që Komuna e Podujevës nuk mund t’i financojë vetë.
Derisa, për zgjedhjen e presidentit, Bulliqi thotë se mund të arrihet marrëveshje dhe se Albin Kurti po zhvillon takime me opozitën për këtë çështje në Kosovë.
Kurse, sa i përket opozitës ai u shpreh se ajo duhet të bashkëpunojë për zgjedhjen e Presidentit/es në Kosovë.
Ndërsa, në rast të zgjedhjeve të reja se si do të dalë VV-ja, ai deklaroi se zgjedhjet e reja nuk do ta dobësonin Lëvizjen Vetëvendosje, pasi rezultati do të ishte i ngjashëm.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Cilat janë tri prioritetet kryesore për Podujevën këtë vit?
Shpejtim Bulliqi: Sikur edhe gjatë mandatit të kaluar edhe këtë vit në Komunën e Podujevës parashihet realizimi i shumë projekteve si në arsim, zhvillim ekonomik, kulturë, sport, infrastrukturë rrugore, etj. Është shumë e rëndësishme për ne që këtë viti të fillojë ndërtimi i infrastrukturës në Zonën ekonomike. Janë disa projekte tjera që pritet të përfundojnë këtë vit, siç është Qendra rezidenciale për të moshuar, objekti i Shkollës Ekonomike, Qendra multifunksionale, Tregu i gjelbër, etj. Këtë vit do të fillojë ndërtimi edhe i një Palestre multisportive e shumë projekte tjera në secilën fushë.
“Bota sot”: Si po e përmirësoni infrastrukturën dhe shërbimet publike në komunë?
Shpejtim Bulliqi: Siç e potencova edhe më lartë, në Komunën e Podujevës vazhdimisht punohet në realizimin e projekteve të shumta në secilin sektor që ndikoljnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në kuadër të kësaj, janë duke u ndërtuar disa objekte shkollore si shkolla në Lluga, Shajkoc, Bradash, Dobërdol, çerdhet në qytet, Batllavë, Gllamnik, palestrën sportive në Shkollën “Shaban Shala” dhe në Shkollën “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik, pastaj kemi ndërtuar edhe rrugë të reja, siç është rruga përgjatë lumit Llap që lidh rrugën “Vllezërit Frashëri” me rrugën magjistrale (është duke u punuar në ndriçimin e saj, pjesa tjetar është përfunduar), pastaj fillimin e ndërtimit të rrugës së re afër hekurudhës në qytet, është kryer rikonstruimi i rrugëve “Skënderbeu” e “Xhemjal Mustafa” dhe tash do të punohet në rrugët “Brigadat”, “28 Nëntori”, rrugën e fshatit Letanc, etj.
Shumë punë të mira janë kryer edhe nga Ndërmarrja Komunale “Eko Llapi”, të cilën e kemi themeluar gjatë mandatit të kaluar
“Bota sot”: Zoti Bulliqi, si e vlerësoni bashkëpunimin me nivelin qendror dhe sa ndikon ai në realizimin e projekteve komunale?
Shpejtim Bulliqi: Bashkëpunimi me nivelin qendror ka qenë i shkëlqyer dhe sigurisht që ky bashkëpunim i mirë ka ndikuar edhe në realizimin e disa projekteve që janë të kushtueshme dhe që buxheti i Komunë nuk mund t’i mbulojë.
“Bota sot”: A ka Podujeva mbështetjen e mjaftueshme buxhetore për projektet që i keni planifikuar, apo ka mungesë të fondeve?
Shpejtim Bulliqi: Kërkesat tona për mbështetje financiare në realizimin e projekteve në Komunën tonë janë gjithmonë edhe më të mëdha. Megjithatë, ne jemi të kënaqur me mbështetjen që na e ka dhënë Qeveria e Kosovës, siç e ka bërë jo vetëm me Komunë tonë, por me të gjitha komunat e Kosovës.
“Bota sot”: Zoti Bulliqi, si e vlerësoni procesin aktual për zgjedhjen e presidentit dhe a mendoni se ka hapësirë për marrëveshje politike?
Shpejtim Bulliqi: Sigurisht që ka hapësirë për një marrëveshje që do t’i jepte zgjidhje zgjedhjes së Presidentit/es dhe në këtë kuptim edhe Kryetari i Lëvizjes “VETËVENDOSJE”, Albin Kurti, njëherit edhe Kryeministër i Republikë së Kosovës, po zhvillon takime me liderët e partive opozitare.
“Bota sot”: Kalojmë të politika qendrore. Nëse nuk arrihet konsensus brenda afatit kushtetues, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sa të mundshme e shihni këtë skenar?
Shpejtim Bulliqi: Duke e ditur që vitin e kaluar kemi kaluar nëpër disa procese zgjedhore nuk do të ishte mirë që për këtë kohë të shkurtër të zhvillohet edhe një proces i ri zgjedhor. Dhe siç e thash, Kryetari Kurti po zhvillon takime që të gjendet një zgjidhje. Megjithatë, nëse nuk gjendet një zgjidhje brenda afatit që e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, sigurisht që ne jemi të gatshmë edhe për zgjedhje të reja.
“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e opozitës në këtë proces – a po kontribuon për zgjidhje apo po e bllokon situatën?
Shpejtim Bulliqi: Opozita duhet të jetë më bashkëpunuese, sepse çështja e Presidentit nuk është vetëm punë e një partie, por është përgjegjësi e të gjitha partive parlamentare.
“Bota sot”: Nëse shkohet në zgjedhje, çfarë rezultati pret LVV dhe a do ta forconte apo dobësonte pozicionin e saj?
Shpejtim Bulliqi: Jo, shkuarja në zgjedhje nuk do ta dobësonte pozicionin e LVV-së dhe rezultati do të ishte përafërsisht i njëjti.
