PDK e LDK reflektojnë, AAK hesht: A rrezikon partia e Haradinajt të shuhet politikisht?
Kanë dalë të vend të dytë e të tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe pas këtij rezultati Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë filluar reflektimin, marrjen e përgjegjësi e reformatimin.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka dalë e dyta ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e brendshme të partisë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka paralajmëruar sot se partia e tij po hyn në një fazë të re riorganizimi.
Hamza ka theksuar se zgjedhjet e brendshme, për të cilat sot ka diskutuar edhe me kryetarët e degëve, janë hap i domosdoshëm për forcimin e PDK-së.
“PDK-ja po hyn në një fazë të re riorganizimi. Zgjedhjet e brendshme, për të cilat sot diskutova edhe me kryetarët e degëve, janë hap i domosdoshëm për forcimin e PDK-së. Ne synojmë më shumë, sepse Kosova ka nevojë për më shumë. Ka nevojë edhe për një PDK më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar. Kjo kërkon punë të vazhdueshme, degë aktive dhe hapësirë më të madhe për të rinjtë, në çdo nivel të partisë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka shtuar se kjo është rruga për një PDK më afër qytetarëve dhe gjithnjë në shërbim të Kosovës.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka dalë e treta është në vendim para dorëheqjes së kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Të hënën pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, u njoftua se më 31 janar do të mbahet Kuvendi që do të vendos për dorëheqjen e Abdixhikut.
“Sikurse rëndom, pati një diskutim gati katër orë, një diskutim i hapur dhe demokratik. Duke filluar nga një analizë e zgjedhjeve dhe duke kulmuar, sipas kërkesës së vetë kryetarit, që të ftohet Kuvendi me datë 31 janar. Në këtë Kuvend, ai do të ofrojë dorëheqjen e tij, duke ia lënë Kuvendit që të vendosë.”
“Është formë e kërkesës së votëbesimit. Kryetari Abdixhiku do të kërkojë votëbesim. 355 delegatë do të vendosin se si do ta trajtojnë këtë votëbesim. Dhe e dyta, do të ketë një proces tjetër për të ardhur deri te kandidaturat. Për momentin, jemi në procesin e votëbesimit”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Por, ndryshe nga PDK e LDK, një reflektim apo ndonjë reformatim nuk ka pasur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
AAK ka fituar 5.73 % të votave ose rreth 48 630 vota, duke siguruar vetëm 5-6 vende në Kuvendin e Kosovës.
A është heshtja e AAK-së shenjë stabiliteti të brendshëm, apo mungesë vullneti për reformim dhe hapje ndaj kritikës dhe a rrezikon AAK-ja të mbetet një parti e personalizuar dhe statike në një skenë politike që po kërkon ripërtëritje, apo ka ende potencial për rimëkëmbje dhe ripozicionim politik, për këtë kanë folur analistët politikë për “Bota sot”.
Rreziku për shuarjen e AAK-së
Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se nëse zëvendësohet Haradinaj, atëherë AAK rrezikon të shuhet plotësisht.
Sipas tij, ai mbetet boshti kryesor mbi të cilin është ndërtuar partia.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“AAK nuk ka asnjë alternativë tjetër reale – nëse zëvendësohet Haradinaj, rrezikon të shuhet plotësisht. Pa të, aty nuk ka më peshë politike, as figurë që ta mbajë partinë gjallë në skenën politike. Prandaj, largimi i Haradinajt nuk është në interes të AAK-së, sepse ai mbetet boshti kryesor mbi të cilin është ndërtuar dhe funksionon partia”, deklaron Bujrani.
Sipas tij, Haradinaj duhet të punojë në hapjen e partisë, në afrimin e njerëzve të rinj dhe në krijimin e një brezi të ri politik që mund ta ringjallë partinë.
“Haradinaj, megjithatë, nuk duhet të mendojë se gjithçka mbaron me ruajtjen e pozitës së liderit. Ai duhet të punojë seriozisht në hapjen e partisë, në afrimin e njerëzve të rinj dhe në krijimin e një brezi të ri politik që mund ta ringjallë AAK-në dhe t’i japë frymë të re. Ndryshimi i liderit në këtë fazë nuk do të sillte reformë, por do ta çonte partinë drejt zhdukjes politike – gjë që kjo është e ditur shumë mirë edhe brenda vetë AAK-së”, shton analisti.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është themeluar në vitin 2001. Ajo u krijua në një periudhë pasluftës, kur skena politike e Kosovës ishte ende në konsolidim.
AAK u themelua nga Ramush Haradinaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një nga figurat më të njohura të luftës.
Në zgjedhjet e vitit 2004, AAK arriti një nga rezultatet më të mira të saj, duke u renditur si forca e tretë politike në vend. Po atë vit, Ramush Haradinaj u zgjodh Kryeministër i Kosovës, por mandati i tij zgjati vetëm disa muaj, për shkak të dorëheqjes pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Me gjithë mungesën e liderit për periudha të gjata (për shkak të proceseve gjyqësore në Hagë), AAK arriti të mbijetojë politikisht, por pa arritur ndonjëherë ta ruajë hovin e fillimit.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, AAK vazhdoi të jetë pjesë e koalicioneve qeverisëse dhe opozitare, por rrallëherë si faktor vendimtar. Partia shpesh u perceptua si parti koalicioni, e cila hyn në qeveri përmes marrëveshjeve politike, e jo përmes fuqisë së saj elektorale. Në vitin 2017, pas zgjedhjeve të parakohshme, Ramush Haradinaj u bë sërish Kryeministër i Kosovës, këtë herë në krye të një koalicioni të gjerë.
Në vitet e fundit, AAK ka shënuar rënie të vazhdueshme elektorale, duke mbetur një parti me përkrahje relativisht të kufizuar (rreth pragut zgjedhor).
Ndryshimi i AAK-së nga PDK-ja dhe LDK-ja
Analisti Milazim Maraj, thotë se secila nga partitë ka specifikat e veta.
“PDK-ja Përgatitet për Zgjedhje të Brendshme! Për LDK kërkohet reflektim dhe përgjegjësi AAK mbetët jashtë çdo debati për reforma secila nga partitë ka specifikat e veta. PDK duhet të fillojë me reforma brenda partisë nga se rënia është e rëndë dhe në vazhdim. Pas arrestimit të kreut të PDK kjo parti ka pas një tronditje të rëndë, ndoshta edhe më të rëndë së LDK pas Dr. Ibrahim Rugovës. PDK pati një zgjedhje që bazuar në pasojat pas tyre nuk ishin demokratike. Të zgjedhurit nuk gëzuan besimin në anëtarësinë e vet. Kjo parti ra në kundërshtim me anëtarësinë e vetë Drenas. Kjo u reflektua në anëtarësinë e gjerë brenda dhe jashtë Kosovës”.
ImageMilazim MarajFoto galeri
“PDK nëse pretendon të mbetët parti në fuqi duhet të bej zgjedhje demokratike duke respektuar plotësisht proceset dhe normat demokratike. PDK ka ardhur në pushtet më bagazhin së është pronare e UÇK. Slogani “LIRIA KA EMER” ishte titulli i këtij pretendimi. Por tani në zgjedhje janë të rinjtë që u linden pas lufte. Thirrja në Luftë, vlera të luftës, luftën për të mbrojtur këto vlera nga shqiptaret janë të tejkaluara dhe nuk funksionojnë më. Nuk ka ndonjë narrativë të re që e kërkon koha, që kërkojnë brezat e ri, që është funksionale dhe e dobishme për Kosovën ne gjeopolitikën që po ndërron kohë pas kohe. PDK, përveç kësaj ka dëme që anëtarët e saj gjatë udhëheqjes së saj kanë bërë. Këtë ende nuk janë zbardhë. Kështu që këto rendojnë si të vërteta deri sa të sqarohen. Kjo situatë e krijuar ka nxitur mosbesimin e anëtarësisë së kësaj partie. Zgjedhjet demokratike janë e vetmja terapi që do të shëronte të këtë subjekt politik në Kosovë”, deklaron Maraj.
Sipas tij, AAK ka një tjetër natyrë të organizimit.
AAK është parti e personalizuar, thotë Maraj, gjersa shton se AAK nuk u përballon debateve demokratike.
“AAK ka një tjetër natyrë të organizimit. Në këtë parti autoriteti qëndron në krye të kësaj partie. Mbahet nga figurat e caktuara qoftë në nivel vendi apo në nivel lokal. AAK është parti e personalizuar. Këtë përqindje ka kohë që e mbanë. Në nivele lokale ka figura të besueshme në anëtarësinë e vet. Kanë punuar mirë gjatë mandatit të tyre dhe përsëri kanë marrë besimin e votuesve. Këto nivele nuk varën shumë nga kryesitë e partisë. Këto kanë një besim lokal dhe një numër votuesish që nuk ndryshon shumë në numër në votime. AAK është statike që disa zgjedhje. Kjo edhe nëse bënë zgjedhje nuk mund të dali nga rrethi i tanishëm. AAK nuk u përballon debateve demokratike. Kjo mjaftohet të kaloj pragun për të qenë parti parlamentare. Ndërsa në nivel lokal ka disa komuna që udhëhiqen nga kryetar punëtor që nuk po e humbin autoritetin në anëtarësinë e vet. Kryesia qendrore e AAK ka pas disa afera. Si krime, pas lufte, për bashkëpunim me serbet, për kufirin më Malin e Zi, për mbajtjen zi për kriminelin Oliver Ivanoviq i cili ishte dënuar më 9 vite burg për krime lufte në Mitrovicë. Por në nivel lokal nuk ndryshoj gjendja. Kjo parti mbajti komunat që i kishte fituar më parë. Pra filozofia politike në këtë parti ndryshon nga LDK e cila është dëmtuar pikërisht nga ky ndryshim. Ndërsa PDK ka probleme me demokracinë e brendshme dhe përplasjet për poste me çdo kusht. Kjo tani më nuk po funksionon”, përfundon Maraj.
