“Vota masive që fshiu iluzionet e opozitës”, Bekteshi: “Stuhitë” pritet të vazhdojnë edhe ditët në vijim…
Veprimtari Ramazan Bekteshi vlerëson se zgjedhjet e fundit shënuan një ndëshkim të ashpër qytetar ndaj opozitës për bllokadën politike dhe mungesën e vizionit, duke i dhënë një fitore plebishitare VV-së me aleatë.
Sipas tij, qytetarët mbështetën kryeministrin Albin Kurti për qëndrueshmëri, integrimin e veriut dhe refuzimin e kompromisit mbi sovranitetin.
Bekteshi kërkon reformim të opozitës, përgjegjësi nga udhëheqësit partiakë dhe profesionalizim të debatit publik, ndërsa thekson se qeveria e re duhet të veprojë me përulësi dhe rezultate konkrete.
Shkrimi i plotë:
Vota masive që fshiu iluzionet e opozitës
Orteku i VV-së me aleatë dje varrosi nën gurë e dru partitë politike të opozitës, si ndëshkim i zemërimit qytetar për dhjetë muaj të humbur për Kosovën. Dhjetë muaj bllokadë politike, ku opozita as nuk pranoi bashkëpunim me partinë fituese, as nuk ishte në gjendje të krijonte qeveri. Dhe për ta bërë këtë ndëshkim edhe më të ashpër, orteku u shoqërua me “stuhi”.
“Stuhitë” pritet të vazhdojnë edhe ditët në vijim, duke i hedhur në sokak kryetarët e partive që nuk arritën të fitojnë asnjë komunë, apo vetëm dy, siç ishte rasti i “partisë së dytë”. Kjo “stuhi” duhet të pastrojë edhe deputetët e përjetshëm, të ngulitur në politikë pa rezultat e pa përgjegjësi.
Partitë humbëse duhet të kërkojnë llogari nga udhëheqësit partiakë që gjatë fushatës nuk folën për punë e programe, por u morën obsesivisht me Kurtin, duke predikuar se ai “kurrë më” nuk do të bëhej kryeministër. Populli reagoi në mënyrë plebishitare: ia dha votën kryeministrit që nuk lëshon pe, kryeministrit që integroi veriun e vendit, por që opozita e shihte me dyshim e e sulmonte pa reshtur.
Shpresa është që kjo “stuhi” të ndikojë edhe në reformimin e mendimit kritik të një pjese të gazetarëve dhe analistëve, të cilët në të kaluarën e kanë abuzuar profesionin në emër të fjalës së lirë, përmes dezinformatave e shpifjeve. Po ashtu, të ndalet ose të profesionalizohet loja e sondazheve që turpshëm dështuan — ose u keqpërdorën me paramendim të lig.
Dje ishte një ditë e acartë, por e ndritshme për historikun më të ri të zgjedhjeve. Triumfoi slogani “Mos lësho pe”, u praps keq “Bashkë. Përpara.”, ndërsa u shua përfundimisht slogani i “akademikëve”: “Zgjidhe shpresën”.
Kosova dje e kaloi testin qytetar me standarde të larta ndërkombëtare, pa incidente, falë votuesve, KQZ-së, por edhe partive politike.
Kremtimi i fitores përfundoi natën vonë. Partinë fituese tani e presin punë të mbetura pezull, andaj duhet të përvjelë mëngët dhe të përballet me sfidat që e presin. Nuk ka kohë për vetëkënaqësi. Fitorja duhet të shërbejë si motivim shtesë për realizimin e punëve që nuk u përmbushën në mandatin e kaluar.
Partia fituese i mbetet borxh qytetarit që ia dha votën. Prandaj, duhet të veprojë jo me mendjemadhësi, por me përulësi dhe angazhim serioz për të përmirësuar institucionet aty ku kanë defekte dhe për t’i avancuar aty ku janë dëshmuar funksionale.
E nesërmja e këtij vendi është e mbushur me shpresë. Kurrë nuk duhet të ketë përkulje para ndërkombëtarëve kur është në pyetje sovraniteti i vendit, përndryshe ndëshkimi do të jetë i njëjtë me atë që pësoi opozita, e dënuar rëndë nga sovrani për vasalitet të tepruar ndaj të huajve.
Tani barra i mbetet qeverisë së re të zgjedhë kuadro profesioniste dhe meritore, të afta për ta çuar vendin drejt progresit ekonomik. Ekziston besim i plotë se kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, në këtë mandat do të befasojë me avancime të reja shtetërore, ashtu siç befasoi me lidership të fortë në mandatin e kaluar, kur u përball me agresionin në Banjskë, me akte terroriste kundër infrastrukturës, me një regjim brutal serb, me një opozitë të padenjë dhe me studio televizive shpifëse e dezinformuese, por ai doli triumfues.
Urime të sinqerta koalicionit fitues për votën plebishitare.
