Zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së, Enver Hoxhaj ka pakënaqësi – kërkon shtyrjen e Konventës
Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri është caktuar të mbahet më 17 nëntor, ditë e hënë.
Por, pakënaqësi rreth thirrjes së kësaj konvente ka shprehur anëtari i PDK-së, Enver Hoxhaj, duke theksuar se konventa duhet të shtyhet për të dielën e ardhshëm.
“Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin”, tha Hoxhaj.
Sipas tij, kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme.
“Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në”, theksoi ai.
Mes tjerash, ai ka pohuar se “për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime”.
“Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara. Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”.
Ndryshe, Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje para disa ditësh, ndërsa deri tani Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së.
