TË FUNDIT

Historia e ‘arnautëve’ të Lindjes së Mesme shpaloset në Seminarin e Gjuhës Shqipe

Historia e arnautëve (shqiptarëve) të Lindjes së Mesme është shpalosur të premten, më 22.08.2025, në kuadër të Seminarit të 43-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që po mbahet në Prishtinë.

Prania e shqiptarëve në Lindjen e Mesme është mjaft e hershme dhe me përqendrim të madh gjatë dhe pas kohës së Perandorisë Osmane.

Historia e shqiptarëve në këtë rajon të trazuar për shekuj, u prezantua në këndvështrime të ndryshme gjatë tryezës, “Arnautët në Lindjen e Mesme, nga historia në realitet”.

Studiues që merren me këtë problematikë thanë gjatë kësaj tryeze se shqiptarët patën një rol të rëndësishëm politik e ushtarak të shumanshëm në shtetet e Lindjes së Mesme. Ndërsa, institucionet shkencore në Shqipëri e Kosovë duhet të bëjnë më shumë për të sqaruar historinë e shqiptarëve të këtij rajoni, qoftë në aspektin politik, historik, demografik e ekonomik-social.

Studiuesi Feti Mehdiu gjatë kumtesës së tij, “Shqiptarët në Turqi: çështje që preokupon institucionet shkencore dhe obligon institucionet shtetërore”, prezantoi qasjen e ndryshme të institucioneve shtetërore, Shqipëri-Kosovë dhe kujdesin e tyre për shqiptarët në Turqi dhe roli i tyre në afrimin e arnautëve me gjuhën dhe kulturën e trungut të tyre. Sipas tij, arnautët në Turqi janë të pranishëm duke filluar nga fillimi i shekullit XV, në forma e në pozicione të ndryshme.

“Për shkaqe objektive edhe unë shfrytëzoj literaturën në dokumentet arkivore dhe së pari mendoj se për çështjen shqiptare duhet saktësuar motivi dhe format e vendosjes së tyre atje, dhe statusi aktual i atyre në Anadoll. Paraprakisht duhet saktësuar se a janë shqiptarë në Turqi të mërguar apo të dëbuar. Deri më tani çarqet shqiptare nuk kanë bërë dallimin mbi këtë status”- tha ndër të tjerash Mehdiu.

Studiuesi Dogukan Oruç (Doğukan Oruç) tha gjatë kumtesës së tij “Lindja e Mesme Osmane përmes Syve Shqiptarë: Raporte, Besnikëri dhe Ndjeshmëri Etnike në Epokën Hamidiane”, u ndal tek disa prej personaliteteve të njohura shqiptare të kohës si: Turhan Pasha, Ferid Pashë Vlora e Vasa Pasha.

“Këto personalitete, mbanin poste të rëndësishme në administratën qendrore, ashtu edhe në atë provinciale, gjithashtu prodhuan një gamë të gjerë memorandumesh, traktatesh politike dhe vlerësimesh administrative që kishin të bënin me Lindjen e Mesme Osmane”- tha ia ndër të tjera.

Studiuesi tjetër Ugur Bajraktar (Uğur Bayraktar) foli rreth përfshirjes dhe involvimit të shqiptarëve në mënyrë të ndryshme në shoqërinë osmane të kohës. Kurse, Elez Osmani foli për gjendjen e shqiptarëve në perandorinë Osmane në gjysmën e shakullit të 19-të, sipas arkivit të Vasil Gërmenji.

“Për gjendjen e arnautëve në Turqinë e re kemi një burim të dorës së parë në arkivimin e Vasil Gërmenj, nipi i Themistokli Gërmenj, përmes së cilit jepen të dhëna me rendësi për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi”- tha ai.

Studiuesi siriano-kosovar, Muhamed Mufaku mbajti kumtesën “Prej Egjiptit deri në Siri: Historia dhe e tashmja e arnautëve”. Ai dokumentoi se shqiptarët (arnautët) luajtën rol të rëndësishëm si komandantë në ushtrinë osmane e zyrtarë të lartë administrativ, sidomos në Egjipt me ardhjen e Mehmet Ali Pashës në Kajro, përkatësisht emërimi i tij si vali i Egjiptit, ku patë një prezencë të madhe të shqiptarëve.

“Por, me grushtshtetin e vitit 1952 dhe shpalljen e Republikës më 1953, si dhe me fushatën kundër kolonive evropiane (kolonia shqiptare ishte e pesta nga numri) gjatë 1952–1962, prania e arnautëve u zvogëlua dukshëm deri në fillim të shek. XXI, kurse tani kemi ndonjë familje atje-këtu”- tha ai.

Seminari i 43-të i Gjuhës Shqipe ka nisur të hënën, më 18.08.2025, në Prishtinë.

Në program të Seminarit edhe këtë vit do të jenë kurse të gjuhës shqipe për pjesëmarrësit e huaj, ligjërata, referime, tryeza e sesione shkencore.

Temat boshte të Seminarit këtë edicion fokusohen në zhvillimet aktuale, qoftë në leksik, në ndikimin apo përdorimin e shqipes në rrjetet sociale dhe në postmodernizmin në letërsinë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *