POLITIKATË FUNDIT

“Drenica prej Adem Jasharit po kalon te…”– Mehmeti tregon pse Lladrovci humbi përballë Hajdarit: Ja kush e kontrollon PDK-në

Nën qeverisjen e tij komunale kishte zënë vendin e parë për performancë më të mirë, por tashmë kryetari Ramiz Lladrovci nuk do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për vazhdim të mandatit për zgjedhjet e 12 tetorit.

Në një mbledhje kryesie të mbajtur nga Partia Demokratike e Kosovës, u vendos me 26 vota që Petrit Hajdari të jetë kandidat për kryetar të Drenasit.

Lladrovci i cili në mbledhje të kryesisë mori vetëm 4 vota, paraprakisht kishte debate se nuk do të lejonte kandidaturë tjetër nga PDK përpos vetes.

“Nuk ka bir nane që më largon nga PDK-ja”, kishte thënë Lladrovci përsëritur disa herë në një seri paraqitjesh televizive.

Madje, ai para mbledhjes që do të caktonte ‘fatin’ e tij bënte thirrje që kryesia të reflektojë dhe ta miratojë kandidaturën e tij.

“Vendosja e emrit tim në garë, për tu zgjedhur nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së, pa marrë parasysh sukseset e komunës dhe punës së shkëlqyer të degës, nuk ishte e pritshme për qytetarët e bastionit të PDK. Anëtarët e Kryesisë pres të mos jenë të ndikuar nga keqbërësit. Mospjesëmarrja në votim për kandidatin për degën e Drenasit do të ishte argument se janë kundër bedelëve. Asnjë anëtarë të Kryesisë nuk e kam kontaktuar rreth votimit, sepse, pres të mos jenë pjesë e padrejtësisë”.

Për më tepër, Lladrovci i kujtoi Kryesisë së PDK-së që në rast të zgjedhjes së kandidatit tjetër, duhet të kihen parasisheh implikimet që pasojnë.

“Mos e shkelni unitetin qytetarë, të simpatizantëve dhe të anëtarësisë së degës të PDK në Drenas, pra, anëtarë të Kryesisë, mos u bëni pjesë e padrejtësisë. Nëse vendosni për kandidatin, duhet t’i keni parasysh edhe vendimet që duhet të pasojnë, si riemërimi apo emërimi i Ushtruesit të detyrës së Kryetarit të Degës, emërimi i Kryesisë së Degës deri në zgjedhjet e brendshme, të emëroni shefin e shtabit zgjedhor për zgjedhjet e 12 Tetorit, etj.

Qytetarët e komunës së Drenasit nuk e meritojnë këtë trajtim, nuk meritojnë qeverisje të bedelëve të vitit 2021 dhe 2025, të cilët tash janë sërish bashkë. Unë nuk zmbrapsem, me qytetarët do t’ua tregoj vendin dhe askush nuk mund të më largojë nga PDK!”, shkroi ai.

Por, asgjë nga këto si duket nuk i bënin përshtypje PDK-së, e cila përsëri vazhdoi me kandidatin e ri, Petrit Hajdari.

Analisti Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Sami Lushtaku e kontrollon PDK-në dhe se kjo u pa në mbledhjen e kryesisë.

Sipas tij, Drenica nga e Adem Jasharit po kalon në komandën e Sami Lushakut dhe kjo është tmerruese dhe trishtuese.

“Po vërehet përfundimisht që Sami Lushtaku po e kontrollon PDK-në dhe se kush del kundër tij del i humbur, kjo u pa edhe në mbledhjen e kryesisë ku 26 vota ishin për kandidatin tjetër Petrit Hajdarin që është thjesht një piun i Sami Lushtakut, praktikisht piun i Sami Lushtakut do të jetë edhe kryetari i Drenasit, sepse dihet që këdo që e kandidon PDK atëherë fiton.

Me pak fjalë, Drenica përfundimisht prej Adem Jasharit po kalon në komandën e Sami Lushtakut dhe kjo është tmerruese dhe trishtuese. Kështu që z. Lladrovci pavarësisht kritikave që mund të kemi për të, ka treguar se nuk dorëzohet përballë pushtetit të Sami Lushtakut dhe kjo i ka penguar Samiut dhe kushdo që del kundër tij është i humbur. Dihet fatkeqësisht se Sami Lushtaku së bashku me dy e tre persona tjerë po e kontrollojnë PDK-në, une ende nuk e kuptoj pse nuk e bëjnë kryetar të partisë, sepse Memli është një kukull aty dhe nuk e pyet kush atë çfarë të bëhet”, deklaron Mehmeti.

ImageAnalisti Faton MehmetiFoto galeri
Ramiz Lladrovcit i cili ka udhëhequr Drenasit për 4 vite, pavarësisht mos kandidimit nga PDK, ai konfirmoi që do të garojë për kryetar të Drenasit.

Në reagim të tij, ai ka thënë se ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre

Ramiz Lladrovci ka konfirmuar se do të garojë për kryetar të Drenasit.

“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di. Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre. Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”, shkroi Lladrovci në reagimin e tij.

Analisti Faton Mehmeti, thotë se e gjitha kjo ka një të mirë, sepse votuesit mund ta shohin se PDK nuk është reformuar.

Sipas tij, duhet solidarizim me Ramiz Lladrovcin, sepse ka qenë e ditur që përballë Sami Lushtakut nuk ka pasur mundësi të fitojë.

“Kjo është tmerruese dhe po dëshmohet edhe një herë që PDK është e kapur dhe vështir që kjo parti me këta individë të ecë përpara. Gjithsesi, në krejt këtë të keqe është edhe një e mirë, kjo për shkak se qytetarët dhe ata që kanë thënë se PDK është reformuar, kanë parë që aty nuk ka reforma, janë vetëm ndryshime kozmetike për t’i tërhequr votuesit, ama fatkeqësisht Sami Lushtaku është si të themi komandant i PDK-së dhe ai që e kontrollon PDK-në.

Kështu që, duhet ne si media dhe në këtë rast unë si analist duhet të tregojmë një solidarizim me zotërin Lladrovcin se mbi të gjitha e ka fituar dinjitetin e tij, pavarësisht se ka qenë e ditur që përballë Sami Lushtakut nuk ka pasur mundësi të fitojë”, përfundon analisti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *