POLITIKATË FUNDIT

“Sulm ndaj grave në politikë” – VV reagon ashpër ndaj Lirim Mehmetajt

Deklaratat e fundit të Lirim Mehmetajt ndaj Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë nxitur reagime të ashpra nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetja Arbëresha Kryeziu-Hyseni ka dënuar publikisht gjuhën seksiste dhe denigruese të përdorur, duke theksuar se sulme të tilla përbëjnë dhunë psikologjike dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

Postimi i plotë:

“Reagim ndaj shpifjeve dhe gjuhës denigruese

Statusi i publikuar nga Lirim Mehmetaj përmban një gjuhë të papranueshme, të dhunshme dhe thellësisht seksiste, që synon poshtrimin, por edhe frikësimin e Ministres Haxhiu.

Askush nga ne nuk do të jemi peng i gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve politike të ulëta. Nuk jemi në politikë për t’i bërë qejfin askujt, por për të përfaqësuar qytetarët dhe për të çuar përpara Kosovën.

Zotimet tona, përfshirë zbardhjen e rastit Dehari dhe Vettingun në drejtësi, janë trajtuar me seriozitet institucional dhe përkushtim. Çdo sfidë në këtë rrugë nuk ka ardhur prej mungesës së vullnetit, por prej rezistencës së fortë që reforma të tilla ndeshin nga struktura që duan ta ruajnë status quo-në.

Në vend të kritikës konstruktive, Ministrja Haxhiu po përballet me përbaltje, me etiketime çnjerëzore si “fundrrinë politike”, “terroriste politike”, “specie e përçudnuar” e të tjera që s’kanë asnjë vend në një diskurs demokratik.

Kjo nuk është thjesht kritikë politike. Kjo është një përpjekje për dhunë psikologjike ndaj një gruaje në politikë, që sanksionohet edhe me ligj.

Pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë detyrën tonë me dinjitet dhe me përgjegjësi, dhe nuk do të lejojmë që dhuna verbale të na ndalë as në përpjekjet për drejtësi, as në mbrojtjen e barazisë gjinore, as në angazhimin tonë publik.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *