Escobar: Nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon Asociacionin, ne do ta bëjmë
I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shpreson që së shpejti të hiqen barrikadat në veri të Kosovës, që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.
Në një intervistë për N1, ai tha se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u shpreh se njëra palë nuk duhet të heqë dorë nga ajo.
“Nëse qeveria nuk fillon ta bëjë këtë, ne do ta bëjmë. Unë do të punoj me ata njerëz për ta bërë atë realitet”, tha Escobar.
closevolume_off
Kur u pyet nëse ky ishte një paralajmërim për kryeministrin e Kosovë, Albin Kurtin, Escobar thotë se e kishte informuar.
“Njerëzit i dinë mundësitë e ASK-së. Mitrovica e Veriut është në kufirin e katër vendeve, dhe sa i përket biznesit, mund të bëhet një zonë pa taksa për Ballkanin e Hapur ose diçka të ngjashme. Asociacioni do të ndihmojë të gjitha vendet në rajon. Ka elemente për optimizëm. Ne kemi nevojë për një zgjidhje më të qëndrueshme. Ne duam që kjo zgjidhje të jetë më e përhershme”, tha Escobar.
Duke folur për barrikadat në veri, ai tha se i ka dëgjuar shqetësimet e njerëzve që i kanë vendosur dhe se ato janë legjitime.
“Dëshirojmë të punojmë me komunitetin serb në veri të Kosovës, për të përmbushur kërkesat e tyre. Ka një mënyrë për të ecur përpara, ashtu siç ka një arsye pse vendosin barrikadat dhe pse do t’i heqin ato. Po ashtu serbët duhet të kthehen në institucionet e përbashkëta, sepse ata janë të nevojshëm atje. Mendoj se në të ardhmen e afërt, kjo do të ndodhë”, thotë Escobar.
Sipas tij, prioritet është gjetja e një zgjidhjeje për të gjithë rajonin, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë.
Siç tha ai, ka përkushtimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se do të mundohet të punojë drejt heqjes së barrikadave, por se nuk ka afat për largim.