Gjithmonë në përkrahje të rinisë apo të studentëve, por jo edhe të studentëve pleq, ish-funksionarë partiakë
A ma shpjegon një çështje të pakuptimtë? Kur kam qenë në pushtet, nuk i kam përkrahur studentët, pasi i kam harruar se ekzistojnë të njëjtët. E tani, kur nuk kam pushtet, vrap para studentëve në protesta. Me studentët duhet të jesh gjithmonë, sepse ata janë gjaku ynë, fëmijët, vëllezërit e motrat tona. Këta e meritojnë përkrahjen dhe mbështetjen e parezervë dhe të përhershme për kauzat e tyre të drejta e me vend, por jo edhe kur protestat organizohen dhe orkestrohen nga subjekti politik që më parë nuk e përkrahte askënd, e lëre më studentët.
Ku ishin atëherë kur mundnin t’i përkrahnin studentët e nuk i përkrahnin dot për asgjë, e tani gojën e kanë plot: studentë, studentë, studentë. Askund nuk ishin. Janë zbuluar apo janë bërë të tejdukshme veprimet, tendencat dhe qëllimet e tilla të tyre. Janë déjà vu, apo ky është jo një skenar i parë filmi, por një seri e skenarëve të parë me episodet e para të filmave të emetuar këtu te ne.
Në protestën e kaluar i pamë disa studentë partiakë pleq, që në pamundësi që t’u prijnë protestave, rrinin anash studentëve. Këta ishin ata që më herët kishin kohë të mjaftueshme që studentët sot të mos i ngarkojnë me çështjen në fjalë, por këta atëherë nuk e bënë të mundur dhënien e provimit të jurisprudencës nga ana e studentëve në gjuhën shqipe. Ndërsa gjatë tërë kohës më parë, të njëjtët gojën e kishin plot me patriotizëm apo me gjuhën shqipe: “gjuha shqipe, gjuha shqipe”.
Ne nuk harrojmë se në një kohë të mëhershme janë rrahur studentët apo të njëjtëve u mbyllej goja që të mos flasin për të vërtetat e hidhura, e tani disa vrap para tyre në protesta. Nuk është përkrahje kjo, por tendencë për t’i futur në sherr studentët me qëllim që të përfitohet politikisht për vete nga ndonjë situatë e pakëndshme e mundshme e krijuar.
Dhelpra e vajton pulën, pasi e ha vetë atë, por jo se i dhimbset viktima, por për faktin se asaj i dhemb barku pasi është tejngopur me mishin e pulës së ngrënë. Edhe një herë: nuk përkrahen studentët vetëm kur je pa pushtet, por më mirë e më lehtë ata përkrahen kur ke pushtet. E disa, kur kishin pushtet, nuk i përkrahnin asesi studentët, e tani kur nuk janë në pushtet, vrap para studentëve në protesta.
