Bytyqi për çështjen e autobusëve privat: Nuk është e lehtë t’i merren kompetencat Qytetit të Shkupit, bëjmë thirrje për bisedime
Transporti publik në Qytetin e Shkupit është nën kompetenca të Qytetit të Shkupit. Ne po bëjmë gjithçka që komunat në qytet dhe në tërë shtetin të kenë mjaftueshëm mjete financiare dhe e avancojmë gjendjen e tyre që të munden të japin shërbime përkatëse ndaj qytetarëve. Vlerësoj se Qyteti i Shkupit duhet që të reflektojë dhe përfundimisht të ulet dhe ta zgjidh problemin. Nëse nuk është e mundur ne treguam se gjithmonë jemi këtu për qytetarët, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, njofton Portalb.mk.
“E zgjodhëm problemin me energjinë termike, e zgjodhëm problemin me energjinë elektrike dhe ndoshta tani do të hyjmë edhe në bisedime, por ajo do të kuptojë diçka tjetër. Nëse është ajo marrje e kompetencave të Qytetit të Shkupit, hyrje në thelb, ndryshime sistematike nuk e di, pasi që sjellja e këtillë e përgjegjësve vlerësoj se është në dëm jo vetëm të Qytetit të Shkupit, por në funksionimin e plotë të sistemit”, tha Bytyqi.
Sipas tij, nuk është proces i thjeshtë marrja e kompetencave.
“Ne po luftojmë në 20 vitet e fundit për decentralizim. Marrja e kompetencave është kthim 20 vite mbrapa. Bëjmë thirrje për arsyeshmëri, bëjmë thirrje se askush nuk ka dëm prej bisedimeve. Gjithsesi, Qyteti i Shkupit i ka argumentet e saja që vlerëson se janë manipuluar dhe se janë shantazhuar, transportuesit kanë argumentet e tyre. Është mirë që një personalitet nga shoqata është tërhequr nga protestat, vlerësoj se ky është një hap drejt zgjidhjes së problemit. Vlerësoj se nuk ka problem i cili nuk mund të zgjidhet, vetëm duhet të ketë dy palë të arsyeshme”, shtoi Bytyqi.
Ndryshe, transportuesit privatë vazhdojnë të bllokojnë bulevardin “Ilinden” afër Qytetit të Shkupit. Korsitë janë bllokuar në bulevardin në shtrirjen nga Fontana në Parkun e Qytetit deri në udhëkryqin në SPQ “8 Shtatori”.
Transportuesit privatë nga “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres” kanë nisur bllokimin e kryeqytetit më 28 nëntor, kur me rreth 30 autobusë në udhëkryqin afër Mavrovkës, gjegjësisht në bulevardet “Goce Dellçev” dhe “Kërste Petkov Misirkov” kërkuan që t’iu paguhen borxhet, në mënyrë që të fillojnë përsëri punën.
Pasi nuk pati rezultat, më 5 dhjetor të këtij viti, transportuesit privatë bënë një bllokadë më të madhe duke vendosur rreth 200 autobusë në disa pika kryesore të kryeqytetit, pra në udhëkryqet përballë qendrës tregtare “Mavrovka”, Kryqi i kuq, si dhe bulevardi “Ilinden”. Të premten kanë zhbllokuar udhëkryqet në afërsi të Mavrovkës dhe Kryqit të Kuq dhe kanë paralajmëruar se bllokada do të vazhdojë vetëm para barkave të Qytetit të Shkupit deri në zgjidhjen e problemit të tyre, ndërsa ata tashmë kanë ofruar kompromis.
Bllokada e transportuesve privatë vazhdon në bulevardin “Ilinden”
Portalb.mk paraprakisht shkruajti se qytetarët e Shkupit e vazhdojnë ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve mes transportuesve privat dhe Qytetit të Shkupit, derisa Qeveria rri anash dhe shpallet jokompetente për t’ia marrë kompetencat Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për ta rregulluar çështjen e transportit publik, i cili është jetik për funksionimin e kryeqytetit.
Autobusi që duhet të vijë në 7-8 minuta vjen në 30 minuta e 1 orë. Grumbuj qytetarësh mund të vërehen në çdo stacion autobusi duke pritur për t’u ngjitur në autobusët, të cilët për shkak vonesave janë të stërmbushur me udhëtarë. Në atë gjendje, nxënës, punëtorë, të moshuar, të sëmurë detyrohen të shtypen njëri me tjetrin vetëm për të arritur në destinacionin përkatës, pasi që për autobusin e radhës duhet të presin kushedi sa. Por, ka raste kur për shkak të stërmbushjes, autobusët fare nuk ndalojnë në stacione.
Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.
Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.
Pas disa ditësh, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”, që nënkupton të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.
NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.
Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.
- LEXO: Transportuesit privat do t’i lirojnë dy udhëkryqe, do të protestojnë vetëm para Qytetit të Shkupit
- LEXO: U tërhoq organizatori i protestës me autobusët në Shkup, nga komuna kërkojnë të reagojë MPB-ja
- LEXO: Shkupi në ditën e tretë të bllokadës nga transportuesit privatë: duan patjetër zgjidhje
S. B. Send an email 14:51, 12-12-2022