TË FUNDIT

Nga kriminel lufte në “hero serb”: Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e glorifikimit të Mlladiqit

Ratko Mlladiqi“Glorifikimi i Mlladiqit nuk është vetëm rehabilitim i një individi – është përpjekje për të rikthyer një ideologji që prodhoi gjenocid”“Beogradi po e rikthen Mlladiqin në historinë ushtarake të Serbisë – glorifikimi i tij rrezikon të ushqejë nacionalizmin te brezat e rinj”
Pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, figura e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska është rikthyer në qendër të vëmendjes përmes narrativave që tentojnë ta paraqesin atë si hero kombëtar, pavarësisht se ai u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Deklaratat e zyrtarëve serbë pas vdekjes së tij kanë nxitur debat të ri mbi mënyrën se si Serbia po e trajton figurën e Mlladiqit dhe mbi përpjekjet për ta shkëputur atë nga përgjegjësia për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Në këtë kuadër, mbetet pyetja nëse vdekja e Mlladiqit po shfrytëzohet për të forcuar narrativat nacionaliste dhe për ta zhvendosur figurën e tij nga përgjegjësia penale drejt një miti të ri politik e kombëtar. Ekspertët vlerësojnë se glorifikimi i një figure të dënuar për gjenocid nuk përbën vetëm një problem të së kaluarës, por mund të ketë pasoja edhe në të ardhmen, veçanërisht nëse një narrativë e tillë arrin te brezat e rinj.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” kanë folur eksperti i sigurisë Drizan Shala dhe ish-hetuesi Agim Rexhepi.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se deklaratat e zyrtarëve serbë pas vdekjes së Mlladiqit kanë një peshë më të madhe sesa një qëndrim individual, pasi sipas tij ato tregojnë mënyrën se si Beogradi po tenton ta pozicionojë figurën e tij në raport me shtetin serb.

Duke iu referuar deklaratës së ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Nenad Vujiç, i cili e cilësoi Mlladiqin si “gjeneral” dhe përmendi protokollet që lidhen me një figurë të tillë, Shala thotë se kjo deklaratë rikthen në vëmendje raportin mes Mlladiqit, Ushtrisë së Republikës Srpska dhe strukturave shtetërore të Serbisë.

“Gjenerali Mlladiq është gjeneral dhe protokollet janë të njohura. Kjo deklaratë e ministrit të Drejtësisë së Serbisë nuk duhet parë vetëm si një çështje protokollare. Ajo tregon një përpjekje për ta rikthyer Mlladiqin në prejardhjen ushtarake të Serbisë dhe për ta paraqitur si pjesë të historisë së saj ushtarake. Për vite me radhë, sa herë që përgjegjësia për luftën e Bosnjës kalonte drejt Beogradit, ishte ruajtur një ndarje mes Ushtrisë së Republikës Srpska dhe Ushtrisë së Serbisë. Mlladiqi komandonte të parën, ndërsa Serbia përpiqej të mos identifikohej me veprimet e saj. Por tani, kur bëhet fjalë për prestigjin dhe nderimin e tij, kjo ndarje po zbehet”, deklaron Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, një paradoks i tillë është i rëndësishëm për t’u analizuar, pasi Mlladiqi nuk mund të shkëputet nga krimet për të cilat është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.

“Biografia e Mlladiqit nuk mund të ndahet nga krimet për të cilat ai është dënuar. Gjenocidi në Srebrenicë, terrori ndaj civilëve në Sarajevë, përndjekjet dhe krimet e tjera janë pjesë e pandashme e historisë së tij. Ushtria që ai komandonte kreu krime të dokumentuara dhe të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare. Prandaj, kur sot një zyrtar i lartë serb e rikthen atë në rolin e ‘gjeneralit’ dhe e lidh me protokollet shtetërore, kjo nuk është vetëm çështje ceremoniale. Ajo ngre pyetje mbi mënyrën se si shteti serb po e trajton trashëgiminë e tij”, thekson ai.

Shala vlerëson se glorifikimi i Mlladiqit duhet parë edhe në kontekstin e narrativave më të gjera nacionaliste që vazhdojnë të jenë të pranishme në rajon.

“Problemi nuk është vetëm se si po trajtohet një person pas vdekjes së tij. Problemi është mesazhi që përcillet te shoqëria. Nëse një person i dënuar për gjenocid paraqitet si figurë për t’u nderuar, atëherë po tentohet të ndryshohet perceptimi për vetë krimet. Rreziku është që përgjegjësia individuale për krimet të zëvendësohet me mitin e heroit kombëtar. Kjo është veçanërisht e rrezikshme në një rajon ku plagët e luftës ende nuk janë mbyllur plotësisht dhe ku narrativat nacionaliste vazhdojnë të kenë ndikim”, shprehet Shala.

Ndërkaq, ish-hetuesi Agim Rexhepi vlerëson se vdekja e Ratko Mlladiqit nuk ndryshon asgjë nga përgjegjësia e tij penale dhe as nga faktet e dokumentuara nga drejtësia ndërkombëtare. Sipas tij, problemi kryesor qëndron në përpjekjen për ta transformuar figurën e Mlladiqit nga një person i dënuar për gjenocid në një simbol të nacionalizmit serb.

“Vdekja e Ratko Mlladiqit nuk e ndryshon historinë dhe nuk e ndryshon verdiktin e drejtësisë. Përkundrazi, rikthimi i figurës së tij në qendër të narrativave nacionaliste dëshmon se beteja për të vërtetën historike dhe për kujtesën e viktimave ende nuk ka përfunduar. Mlladiqi nuk ishte thjesht një komandant ushtarak i një lufte të kaluar. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Prandaj, çdo përpjekje për ta shndërruar nga i dënuar për gjenocid në ‘hero kombëtar’ nuk është thjesht një interpretim tjetër i historisë, por përpjekje për ta përmbysur kuptimin e saj”, deklaron Rexhepi pwr “Bota sot”.

Ai thekson se glorifikimi i Mlladiqit shërben për ta zhvendosur vëmendjen nga krimet konkrete te narrativat për “mbrojtjen e kombit”.

“Kur një kriminel lufte paraqitet si hero, viktima fillon të paraqitet si pengesë e historisë. Dhe kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Glorifikimi i Ratko Mlladiqit është glorifikim i një ideologjie që prodhoi gjenocid. Në këtë narrativë, vrasjet masive, dëbimet, terrori dhe krimet tentojnë të relativizohen duke u paraqitur si pjesë e një lufte për mbrojtjen e kombit. Por një komb nuk mbrohet duke vrarë civilë dhe patriotizmi nuk mund të jetë justifikim për krime kundër njerëzimit”, shprehet Rexhepi.

Sipas tij, rreziku më i madh lidhet me ndikimin që këto narrativa mund të kenë te brezat e rinj.

“Rreziku më i madh nuk është vetëm që një figurë e tillë të glorifikohet nga grupe ekstremiste. Rreziku është që gradualisht, përmes përsëritjes së propagandës, një brez i ri të fillojë ta shohë atë jo si autor të krimeve të dokumentuara, por si mbrojtës të kombit. Kjo është mënyra se si falsifikohet historia: jo duke e mohuar gjithçka menjëherë, por duke e relativizuar pak nga pak. Nëse të rinjtë mësohen që një person i dënuar për gjenocid të shihet si hero, atëherë nuk kemi më vetëm një debat për të kaluarën, por krijojmë një rrezik për mënyrën se si mund të perceptohen konfliktet dhe dhuna në të ardhmen”, thotë Rexhepi.

Në fund, ish-hetuesi vlerëson se Serbia dhe shoqëritë e rajonit duhet të përballen me të kaluarën pa romantizim dhe pa standarde të dyfishta.

“Nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm pa të vërtetën, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi dhe nuk mund të ketë të ardhme evropiane duke glorifikuar ata që janë dënuar për gjenocid. Mlladiqi mund të ketë vdekur, por ideologjia që e ngriti në piedestal nuk vdes vetvetiu. Ajo mposhtet vetëm përmes së vërtetës, arsimit, drejtësisë, kujtesës dhe refuzimit të çdo tentative për ta bërë gjenocidin të duket si heroizëm”, përfundon Rexhepi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *