TË FUNDIT

30 kompani përfitojnë 536 mijë euro grante për investime në energji të pastër

Tridhjetë kompani janë rekomanduar për mbështetje përmes thirrjes së dytë të skemës së granteve për energji të pastër, rezultatet e së cilës u prezantuan dje në një ngjarje të përbashkët të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, KIESA dhe LuxDev. Skema mbështet investimet e bizneseve në energji të ripërtëritshme dhe teknologji efiçiente, duke kontribuar në uljen e kostove, forcimin e konkurrueshmërisë dhe avancimin e tranzicionit energjetik të vendit.

Gjatë ceremonisë së shpalljes së rezultateve, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi rëndësinë e rolit të sektorit privat në transicionin energjetik të vendit.

“Çdo panel në kulmin e një biznesi apo të një fabrike do të thotë më pak energji e importuar, më pak presion mbi rrjetin në orët e pikut dhe më shumë siguri energjetike për vendin. Bizneset tona nuk janë më vetëm konsumatorë të energjisë, ato po bëhen pjesëmarrëse aktive në sistemin e energjisë”, tha ministrja Rizvanolli.

Konsumatorët komercialë dhe industrialë përbëjnë mbi një të tretën e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë, duke e bërë kontributin e tyre vendimtar për arritjen e objektivave energjetike dhe klimatike të vendit. Investimet në energji të ripërtëritshme dhe në teknologji më efiçiente ndihmojnë bizneset të ulin konsumin e energjisë dhe kostot operative, të rrisin produktivitetin dhe të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë.

Rezultatet e deritanishme dëshmojnë interesin në rritje të sektorit privat për investime të tilla. Në thirrjen e parë të skemës u pranuan 91 aplikime, ndërsa 9 kompani përfituan grante në vlerë prej rreth 120 mijë eurosh për instalimin e sistemeve solare fotovoltaike. Deri më tani, pesë prej këtyre investimeve janë përfunduar, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në fazën e zbatimit dhe monitorimit.

Në kuadër të thirrjes së dytë, 30 kompani janë rekomanduar për grante me vlerë të përgjithshme prej afro 536 mijë eurosh. Në total, përgjatë dy thirrjeve, janë përzgjedhur 39 kompani për mbështetje financiare me vlerë prej rreth 656 mijë eurosh, krahas bashkëfinancimit të siguruar nga vetë bizneset. Një nga risitë kryesore të thirrjes së dytë, është zgjerimi i mbështetjes përtej instalimit të sistemeve solare. Për herë të parë, gjashtë kompani nga sektorët e përpunimit të drurit, përpunimit të ushqimit, ndërtimit dhe prodhimit të betonit do të investojnë edhe në pajisje efiçiente për linjat e tyre të prodhimit. Skema mbështet investime në tre fusha kryesore: sistemet solare fotovoltaike, masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve dhe pajisjet efiçiente për linjat e prodhimit. Përmes këtyre investimeve, bizneset përgatiten më mirë për tregun e liberalizuar të energjisë elektrike dhe kontribuojnë në përmbushjen e objektivave të Kosovës për tranzicion energjetik dhe zbutje të ndryshimeve klimatike. Ministria e Ekonomisë falënderon Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, KIESA-n dhe LuxDev-in për bashkëpunimin në zbatimin e kësaj iniciative

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *