INTERESANTE

MAS’AKRA NË DRENICË SIPAS GAZETËS “HAK”

Juduf Osmani: Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, ruhen shumë gazeta, revista por edhe dokumente që kanë të bëjnë për të kaluarën e Kosovës.

Një ndër to është edhe gazeta “HAK”, Organ i, “Bashkimi për Mbrojtjen e të Drejtave të Myslimanëve jugosllavë” Xhemijeti, që kryetar ishte Nexhip Draga, e pas vdekjes së tij ishte Ferhat Draga. Drejtor dhe pronar i organit “Hak” ishte H. Halidi, kurse redaktor përgjegjës, ishte Hasan Sabri Ibrahimi Është botuar në Shkup. Numri i pare është botuar më 23 shkurt 1920, ndërsa e fundit më 30 dhjetor 1924. Ka dalë tri herë në javë, dy herë në gjuhën turke, shkrimi arab, ndërsa të martën dhe të shtunën edhe në gjuhën serbe, dy faqe. Gazeta është në mikrofilm, në dy rrollne, me nr. 3276, ndërsa signatura e gazetës është 85.663. Disa numra të gazetës mungojnë ose janë të dëmtuar.

Në këtë gazetë ka shumë të dhëna për krimet e masakrat ndaj popullatës shqiptare, si ato në Prishtinë, Prapashticë, Dumnicë-Zagori të Vushtrrisë, Drenicë, Mitrovicë, Vushtrri, në rrethin e Rozhajës, në Sanxhak etj. Institucionet tona shkencore duhet që këtë gazetë të marrin, të deshifrojnë, të përkthejnë dhe të botojnë në gjuhën shqipe dhe angleze që opinion botëror dhe vendor të njihet për krimet e bëra në trevat shqiptare.

Disa numra të kësaj gazete i morra gjatë hulumtimeve të bëra më datën 16 mars 2023. Tani në tërësi po e paraqesim masakrën në Drenicë.

Masakra në Drenicë

“Pas të gjitha masakrave të deritanishme, ku fajtor është regjimi, që është turpi i saj, por edhe turpi i shtetit në shekullin kur ka ndodhur kjo. Regjimi gjakatar i ka montuar të gjitha, por edhe këtë masakër në Drenicë.

Masakra në Drenicë që është bërë më 15 të këtij muaji (korrik 1924 J.O.), në të vërtetë plotësisht e ka zhveshur kalbësinë dhe pavlefshmërinë, që e ka përfshirë shtetin. Kjo ishte njollë për tërë aparatin shtetëror që është shndërruar në lodër gjakatare me budallaqe që ka ndikuar në prestigjin e shtetit.

Ky skandal dhe të gjitha skandalet tjera në opinionin botëror paraqitën plotësisht rrejshëm, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme aspak nuk ka mbetur prapa kësaj në komunikatën e saj të datës 16 të këtij muaji. Përveç të gjitha rrenave të cilat kanë prekur fundin, ky turp i regjimit dhe i pamoralit i vënë në viset jugore, ka sjellë kaos dhe ka helmuar dhe po helmon gjithnjë e më tepër jetën e popullit dhe humbjen e besimit në rregullimin e situatës në jug.

Tërë opinioni ynë është i njohur, se Azem Bejta me kthimin në Galicë është qetësuar dhe se ai me pushtetin kishte zhvilluar disa bisedime, dhe se prefektët e qarkut e kanë vizituar në kullën e tij, e cila është ndërtuar me punë angari. Është e njohur se edhe z. Zh. Llaziq i ka shkuar. Azemi ka qëndruar i qetë dhe i papenguar në kullën e tij, të bazuar në besën, të cilën ia kanë dhënë, se askush nuk do ta prek, nëse pushtetit nuk i krijohen telashe.

Nuk do të ndalemi tani në detaje në ato bisedime dhe besës së lidhur dhe të vërtetësisë dhe rregullsisë të asaj bese të dhënë. Do të përmendim vetëm komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të datës 16 të këtij muaji. Kjo e ka ditur më parë se Azemi është në shtëpinë e vet, në fshatin Galicë (“i cili që nga koha e kthimit të tij në shtëpi ka ndërprerë(?) çdo lidhje me pushtetin”). Për të hequr dyshimin se besa është ndërprerë pa arsye, përmend se Azemi ka filluar të barrikadohet në kullën e tij dhe ka tubuar kaçakë. “Sipas disa shënimeve (më mirë të thuhej të plakut Gilerdijevit) Ministria që ka plasuar edhe lidhjet me Bajram Currin dhe çetave të tij. Kjo është ajo që Ministria e ka përmendur si arsyen e këtij aksioni kundër Azem Bejtës, duke i arsyetuar masat e marra kundër tij”.

Ne, as që kemi ndikuar në lidhjen e besës e as që të mbrojmë në gjyq asnjërën e as tjetrën palë. Konstatojmë se Azem Bejta nuk është kapur dhe nuk është vra, por ka dalë jashtë rrethimit, ndërsa popullata e pafajshme ka pësuar…

Aksioni kundër Mehmet Konjuhit në Dumnicë, i cili gjithashtu e ka pasur besën, në të njëjtën mënyrë ka përfunduar. Mehmeti është larguar, e të pafajshmit janë vrarë dhe djegur. Qe pra, këto “aksione” në këtë mënyrë kanë përfunduar.

Pra, edhe këtu mund të ketë dyshime, se tërë veprimi i regjimit shpie në çështjen formale të brendshme për vrasjen dhe shfarosjen e shqiptarëve (myslimanëve), e jo në shfarosjen e kaçakëve.

Se sa rrejshëm është paraqitur kjo masakër, që në çfarëdo forme mendohej të fshihej, më së miri shihet në lajmet e para alarmante për vrasjen e Azem Bejtës me 300 kaçakë! Disa gazeta dhe raporte flasin për 600 dhe 800 kaçakë. Shënimet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se “janë vrarë rreth 120 kaçakë arnautë”.

E vërteta është kjo:

Janë vra dy kaçakë të shpallur dhe katër kaçakë të pashpallur: Bajram Delia, Halit Bajrami, Murat Murseli, Sadik Rama dhe Hys Popova. Viktimat tjera, të cilat xhandarmëria dhe ushtria i ka vrarë në fshatra pas ikjes së Azem Bejtës dhe pesë shokëve të tij si dhe pas vdekjes së pesëshes së përmendur janë rreth 75 veta. Ata janë fshatarët e fshatrave Galicë, Mikushnicë dhe Lubovec, e jo kaçakët.

Këta janë të vrarët (viktimat e pafajshme):

– Nga fshati Galicë: Ahmet Hajra (70 vjeç) me dy fëmijët e tij, djalin dhe vajzën; Sinan Ahmeti (40 vjeç); Shaban Tahiri (72 vjeç); Sylë Sahiti (80 vjeç) me djalin; Osman Mehmeti me djalin 15 vjeçar; Hazir Mehmeti (75 vjeç); Sylë Idrizi (65 vjeç) dhe një grue e plagosur rëndë.

– Nga fshati Mikushnicë: Sadri Zeneli; Ujkan Mehmeti (sakat) dhe 4 punëtorë romë me 2 fëmijë.

– Nga fshati Lubovec: Xheladin Veliu, 55 vjeç; Tefik Jetullahu, 24 vjeç, sa ishte kthyer nga shërbimi ushtarak; Zenun Sherifi, 37 vjeç; Islam Neziri, 90 vjeç (plak i verbët); djali Maksuti, 50 vjeç dhe Tahiri 44 vjeç (janë djegur); Shaban Xhemaili, 70 vjeç; Kurtesh Osmani, 44 vjeç; Sejdi Ismaili, 56 vjeç; Behram Delia, 16 vjeç; Mustafë Abazi, 26 vjeç (në këtë vit e ka krye shërbimin ushtarak), Adem Beqiri, 35 vjeç; Zeqir Beqiri, 15 vjeç dhe vëllau i tij; një grua e Zejnullah H.

Emrat e qytetarëve të vrarë dhe të djegur nuk kemi arritur ende që t’i dimë. Sipas të dhënave që i kemi marrë ishin 76 viktima.

– Të plagosur: Gruaja Shehide Rexha; Bahtir Osmani, Sefer Kadriu dhe Abdul Kadriu.

– Plaçkitje, vrasje dhe djegie: Fshatrat Mikushnicë, Galicë dhe Lubovec ishin pasqyrë e këtij “aksioni”. Me ikjen e Azemit me shokë dhe vdekjen e atyre të gjashtëve, lufta ishte ndalur. Por, ndërmerret një sulm i ashpër ndaj shtëpive të fshatrave. Janë vrarë nëpër shtëpi të gjithë ata të cilët nuk kanë mundur të largohen. Gratë, shumica kanë shpëtuar nga sulmet dhe këtë duhet falënderuar disa oficereve dhe ushtarëve të kulturuar.

Përveç vrasjeve janë plaçkitur të gjitha gjërat e lëvizshme nga fshatrat e afërta dhe të largëta koloniste si Polaci dhe të tjerë, por, edhe të komunës së Çyçavicës (rrethi i Vushtrrisë), ku janë dhënë të gjithë pas plaçkës.

Pas përfundimit të plaçkitjes janë djegur shtëpitë dhe janë shndërruar në gërmadha, e tërë ajo që ka mundur të digjet. Janë djegur 120 shtëpi, disa plotësisht e disa pjesërisht, duke përfshirë edhe objektet ndihmëse. Rreth 3.000 krerë bagëti, buallica, gjedhe, qe, kuaj dhe bagëti e imët janë grabitur dhe janë dërguar në fshatrat e afërta dhe të largëta, në Mitrovicë dhe në Vushtrri. Menjëherë ka filluar shitblerja e këtyre bagëtive të plaçkitura. Duke ikur nga masakra, fshatarët e këtyre fshatrave që kanë ardhur në Mitrovicë, nëpër rrugë e kanë njohur pasurinë e tyre të vjedhur. Një fshatar e ka njohur pelën e vet, në oborrin para postës në Mitrovicë, duke parë se si një kolon malazez i kishte hipur. Duke vrapuar i del përpara, e ndalë dhe ia merr pelën pa kundërshtim dhe shqiptari i zhvilluar i ka hipur pelës së vet dhe e ka kalëruar nëpër qytezë. Disa të tjerë i kanë njohur gjedhet e veta në kazermën ushtarake në Mitrovicë, gjatë kohës kur ushtarë i dërgonin për të pirë ujë. Iu kanë drejtuar zhupanit të madh, duke kërkuar kthimin e tyre. Zhupani, një deputeti popullor i kishte thënë se nuk ka ditur asgjë për këto plaçkitje dhe marrje të bagëtive, duke thënë se bagëtitë do t’u kthehen pronarëve nëpërmjet rrethit. Mirëpo, atë ditë në Mitrovicë janë therur 70 krerë bagëti për nevoja të ushtrisë. Edhe në Vushtrri ka ndodhur e njëjta gjë, e për bagëtinë që i kanë marrë kolonët mos të flasim…

Tërë ky “aksion” është kryer me urdhër të Zhupanit të madh të Rashkës, z. Janko Spasojeviq, i cili ishte prezent gjatë masakrës. Me njësitë e këmbësorisë ka komanduar nënkoloneli z. Diniq, me oficerë, si komandant i njësive dhe të baterive të caktuara. Me këtë forcë prej 1.200 njerëzve të ushtrisë dhe të xhandarmërisë, të pajisur me disa topa dhe pushkë kanë lejuar që Azem Bejta të ikë dhe duke mos pasur sukses, për shkak të vrasjes së 12 ushtarëve e xhandarëve, si dhe plagosjen 16 të tjerëve, vritnin popullatën e pafajshme dhe plaçkitnin pronat e tyre dhe shkatërronin shtëpitë. Kjo ishte një egërsi dhe papërgjegjësi e atyre në këtë shtet.

Reagimi i Ferhat Dragës

Kryetari i Klubit të deputetëve të Organizatës sonë (Xhemijetit, J. O.) menjëherë pas lajmeve të përhapura për ngjarjet në Drenicë, iu dërgon depeshe z. Luba Jovanoviq, kryetar i Kuvendit Popullor, ministrit të punëve të brendshme z. Luba Davidoviq, dr. Spaho, dr. Koroshecit dhe Voja Llazareviqit, me këtë përmbajtje:

“Raporti zyrtar për vrasjen e 120 kaçakëve në fshatin Galicë nuk i përket të vërtetës. Sipas të dhënave të para që i kam marrë në Mitrovicë, lufta është zhvilluar këtu me 19 kaçakë, që ka kaluar në masakër të vërtetë ndaj fshatarëve. Tri fshatra plotësisht janë shkatërruar. Popullata është vrarë dhe e tëra është plaçkitur. Në emër të Zotit dhe njerëzimit veproni të kompetentet për mbrojtje dhe shpëtim të qytetarëve të urtë”.

The post MAS’AKRA NË DRENICË SIPAS GAZETËS “HAK” first appeared on In For.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *