TË FUNDIT

Zyra e BE-së dhe Qeveria ndanë 45 bursa për studimet master në shtete të BE-së

Zyra e BE-së dhe Qeveria ndanë 45 bursa për studimet master në shtete të BE-së

Zyra e BE-së dhe Qeveria e Kosovës kanë ndarë 45 bursa për studime master në shtete të BE-së, për të sapodiplomuar dhe nëpunës civilë. Me këtë rast u tha se përmes këtij programi, studentët kanë mundësinë që pas kthimit të punojnë në Administratë Publike në Kosovë.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se pret me padurim kthimin e këtyre studentëve në Kosovë, pasi sipas tij Administrata Publike ka nevojë për njohuritë dhe kapacitetet që kanë të rinjtë.

“Përzgjedhja është shumë konkurruese, është një garë shumë e fuqishme me provime dhe intervista. Ndonëse keni arritur në një prag të madh në jetën tuaj, tash fillon puna e vërtetë për ju. Së pari duhet të sigurohet një vend në universitet, pastaj të bëni një praktikë të mirë në Administratë Publike dhe në shtator jeni të gatshëm për të filluar studimet tuaja. Studimi në universitet kërkon vendosmëri të lartë dhe shpresoj se ju do të jeni në gjendje të kënaqeni me kohën që do të kaloni në universitet, dhe më vonë në jetë do të shikoni kohen e juaj si student me kujtime të mira. Presim me padurim kthimin tuaj në Kosovës pas përfundimit të studimeve, meqë kjo do të jetë koha kur ju duhet t’i ktheni të mirën komunitetit tuaj. Administrata Publike ka nevojë për njohuritë dhe kapacitetet tuaja. Ka shumë pozita të lira në administratë për momentin dhe shpresoj se do të gjeni një vend pune interesante që përputhet me studimet tuaja. Deri më tani mbi 400 studentë kanë përfunduar këtë program dhe me këtë 2/3 e granteve fituesve janë femra. Shpresoj se fuqizimi i femrës, posaçërisht i komuniteteve pakicë do të vazhdojë në të ardhmen”, tha Szunyog.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se studentët përfitues të kësaj burse do të përfitojnë njohuri dhe specializimin e nevojshëm akademik për t’u kthyer më pas në Kosovë që të japin kontributin e tyre në institucionet publike të vendit.

“Kënaqësia ime është e veçantë sepse sot kam përpara të rinj të përzgjedhur në mënyrën më meritore të mundshme, të cilët do të arsimohen jashtë vendit. Do të përfitojnë njohuri dhe specializimin e nevojshëm akademik për t’u kthyer më pas në Kosovë për të dhënë kontributin e tyre në institucionet publike të vendit tonë. Pra, kemi të bëjmë me një projekt që 100 për qind e ka në fokus rininë e vendit, fillimisht arsimimin e më pas edhe punësimin e tyre. Ky është një nga projektet më të rëndësishme për Administratën Publike të Kosovës, njëkohësisht është një nga projektet me kapacitetin më të madh transformues që BE dhe Qeveria e Kosovës kanë financuar bashkërisht. Është i rëndësishëm sepse ndikimi i tij prek shumë aspekte të zhvillimit personal dhe atij shoqëror”, tha Dobra.

Eksperti i programit YCS, profesor Nikolas Panagiotou tha se ka qenë sfidë e vështirë dhe e rendë në përzgjedhjen e kandidatëve për shkak të cilësisë tyre. Derisa shtoi se përmes këtij projekti Evropa tregon solidaritetin dhe mbështetjen e saj për Kosovën.

“Prej fillimit kur kemi pas këtë projekt ka qenë një mundësi që jo vetëm të mundësojmë diçka për gjeneratën e re por përmes një koalicioni më të gjerë të ndërtojmë raporte afatgjate. Është diçka unike, sepse përfshin sfidë e cila ka pas nevojë që të trajtohet, pra sfida ka qenë si t’i përfshijmë të rinjtë që të nxjerrim më të mirën nga ata. Personat që janë përzgjedhur përfaqësojnë më të mirët e një numri të madh talentesh që ekzistojnë në Kosovë, ka qenë një sfidë shumë e vështirë dhe e rendë si në aspekt të kohës për shkak të cilësisë së kandidatëve dhe presim me padurim që të përfshijmë më shumë njerëz në këtë projekt. Është një projekt shumë i rëndësishëm dhe në këtë mënyrë Evropa tregon solidaritetin dhe mbështetjen e saj për Kosovën, në mënyrë që të modernizojë Administratën Publike të saj”, tha Panagiotou.

Ambasadorja e Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali tha se të rinjtë e kësaj skeme do t’i kontribuojnë marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Greqisë.

“Fakti i parë që i lë përshtypje çdo personi nga nisja deri në momentin kur arrin në Kosovë është potenciali i madh i rinisë së edukuar dhe të buzëqeshur me plot premtime për të ardhmen e vet dhe të Kosovës. Greqia, fqinje e Ballkanit ka hapur mundësitë për të përfshire edhe Kosovën në studimet, në Universitetin e Selanikut dhe marrë parasysh punën e përbashkët, është mundësuar zbatimi i këtij programi “Young Cell Scheme”… Universitetet e mira greke janë shumë pak orë larg Kosovës dhe të rinjtë e kësaj skeme do t’i kontribuojnë marrëdhënieve tona bilaterale mes Kosovës dhe Greqisë, poashtu do t’i ndihmojnë rrugëtimit të Kosovës në BE”, tha Vakali.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot tha se ky është një prej projekteve më të rëndësishme që është zbatuar në vitet e fundit në Kosovë.

“Është një prej projekteve më të rëndësishme që është zbatuar në vitet e fundit në Kosovë, ka kontribuar në fuqizimin e Administratës Publike, gjë që vërehet edhe nga kontributi i kësaj skeme, meqë ka ofruar plotësim të shumë pozitave në Administratë Publike”, tha Guerot.

Vesa Bujupaj, njëra nga studentet e përzgjedhura për këtë bursë është shprehur e lumtur me mundësinë e ofruar. Porse, sipas saj ky program duhet të zgjerohet duke përfshirë edhe drejtime të tjera.

“Ky program ka dëshmuar edhe njëherë se është një dedikim i vendosmërie i BE-së për rininë e Kosovës dhe të ardhmen e saj. Ky program jo vetëm se do të ofrojë anën financiare për ne, për të arritur aspiratat akademike por na ka dhënë besimin për të ndjekur pasionin tonë dhe për të bërë impakt me rëndësi në Kosovë. Është një program i cili kombinon marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci, por dua ta shfrytëzoj rastin që t’i inkurajoj ekipin e programit që ta zgjerojë këtë program duke përfshirë edhe drejtime të tjera”, tha Bujupaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *