TË FUNDIT

Mbetje mortore të 300 personave mbesin që 20 vite në IML

Mbetje mortore të 300 personave mbesin që 20 vite në IML

Që dy dekada kanë mbetur pa u identifikuar mbetjet mortore të rreth 300 personave të cilat ruhen në frigoriferët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Zyrtarët e këtij instituti besojnë se identifikimi i tyre do të ulte numrin e të zhdukurve forcë, meqë më herët pikërisht nga mbetjet mortore ishin identifikuar disa raste.

Çështja e identifikimit të mbetjeve mortore nga lufta e fundit në vend, është shumë e rëndësishme për këtë institut, raporton RTK.

Më të vështirë e bëjnë punën familjarët e personave të zhdukur të cilët hezitojnë të japin një pikë gjak për të verifikuar nëse ato u përkasin familjarëve të tyre.

Për këtë, Ditor Haliti, zëvendësdrejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka një apel.

“Kjo lidhet me dhënien e mostrave të gjakut të familjeve sidomos me ato familje që pas luftës që i kanë identifikuar në mënyrë të ashtuquajtur tradicionale dhe duke marrë parasysh që kanë mundur të ndodhin gabime në të kaluarën identifikimi, atëherë gjithmonë kemi apeluar që ato familje, të cilat i kanë identifikuar të afërmit pa ADN të japin gjakun në mënyrë që të shohim mos rastësisht ka ndodhur ndonjë gabim gjatë procesit të identifikimit dhe të shohim se mos të afërmit e tyre mund të jenë në morgun e IML-së. Në atë mënyrë ne do të dinim për këndë bëhet fjalë dhe sigurisht do t’i qaseshim problemit në mënyrë tjetër”, Ditor Haliti zëvendësdrejtor i IML-së.

Haliti më tej thotë se identifikimi i tyre do të mund të ulte numrin e të pagjeturve nga 1617 sa janë aktualisht.

“Ne kemi pasur edhe të kaluarën, raste të ngjashme kur ka pasur keqidentifikime dhe është vërtetuar që trupit ka qenë në morg është bërë vetëm ndërrimi i trupave dhe normalisht kemi pasur identitet të ri…”, tha Ditor Haliti zëvendësdrejtor i IML-së.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje, në vitin 2021, është themeluar një grup punues.

Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, thotë se nga këto mbetje mortore tashmë janë identifikuar disa raste.

“Në muajt e fundit procesi ka filluar të ketë një dinamikë të re dhe është e rëndësishme që nga procesi për mbetje mortore ne kemi filluar që të kemi edhe rezultate të para të identifikimit, vetëm gjatë këtyre dy muajve të fundit kemi pasur katër identifikme, dy nga të cilat janë identifikime të reja, që lidhen me rastet e personave të zhdukur dhe 2 raste për konfirmim identiteti…”, Kushtrim Gara Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Sipas Halitit e Garës vetëm bashkëpunimi i institucioneve me familjarët e të pagjeturve, mund të japë rezultate konkrete ne identifikimin e individëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *