POLITIKA

Situata në veri, amerikanët Chollet dhe Escobar qëndrojnë në Kosovë

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të hënën do të nisë një vizitë dyditore në Kosovë.

Ai pritet të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përveç në Kosovë, Chollet do që qëndrojë edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë nga 11 deri më 17 dhjetor, është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga DASH-i.

Ndryshe vizita e tyre pritet të ndodhë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të vendit.

Derisa që nga orët e pasdites së djeshme (e diel), rruga drejt Jarinjës, në fshatin Rudarë dhe ajo në drejtim të Bërnjakut, janë të bllokuara nga serbët me kamionë e autobusë.

Ky reagim i serbëve të Kosovës erdhi pas arrestimit të djeshëm të Dejan Pantiqit nga Policia e Kosovës, raporton Klankosova.tv.

I njëjti u arrestua nën dyshimin për kryerjen e veprave terroriste ndaj zyrave dhe zyrtarëve të KKZ-së (Komisioni Komunal Zgjedhor) në Mitrovicën e Veriut ditë më parë, ku po bëheshin përgatitjet për zgjedhjet caktuara për fundjavën e ardhshme. Më 6 dhjetor, disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje, dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri.

E pas arrestimit të Pantiqit, serbët u organizuan menjëherë për t’i bllokuar rrugët. Për pasojë, policia njoftoi se janë mbyllur edhe pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak./KlanKosova.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *