POLITIKATË FUNDIT

Shkup, bllokada e transportuesve privatë vazhdon edhe sot, por kësaj radhe vetëm në Ilindenska

Bllokada e autobus transportuesve privat, foto: Portalb.mk
Bllokada e transportuesve privat, foto: Portalb.mk

Transportuesit privatë vazhdojnë të bllokojnë bulevardin “Ilindenska” afër Qytetit të Shkupit. Korsitë janë bllokuar në bulevardin në shtrirjen nga Fontana në Parkun e Qytetit deri në udhëkryqin në SPQ “8 Shtatori”, transmeton Portalb.mk.

Ndihmë për zgjidhjen e problemit me pagesën e borxhit që u ka Qyteti i Shkupit, të premten kanë kërkuar edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, të cilit, siç thonë, i kanë dërguar kërkesë për takim.

Në një intervistë për MIA-n, kryeministri ka thënë se problemin duhet ta zgjidh kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska dhe shumica në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

“Zgjidhja e problemeve ditore, menaxhuese, siç është kjo me transportuesit, nuk është punë e Qeverisë, duhet ta zgjidhë sa më shpejt kryetarja e Qytetit dhe shumica në Këshill nga VMRO-DPMNE dhe t’ua kthejë qytetin funksional qytetarëve të Shkupit. Qytetarëve nuk u interesojnë zënkat, por zgjidhjet”, tha Kovaçevski, duke shtuar se Qeveria ka bërë gjithçka që është në kompetencat e saj – janë siguruar kushtet ligjore për funksionimin normal të komunave, janë siguruar subvencione, ndërsa në vitin 2023 është planifikuar rritja e subvencionimit të bllokut dhe TVSH-së për komunat.

Shkupi, siç thotë kryeministri, është një qytet jofunksional, i bllokuar, me transport publik të rrënuar, me qytetarë që thjesht nuk mund të kryejnë detyrat e tyre të përditshme, nuk mund të funksionojnë normalisht.

“Qytetarët po paguajnë çmim shumë të lartë për shkak të zënkave në VMRO-DPMNE, mes Mickoskit dhe Arsovskës. Kjo është e papranueshme”, theksoi Kovaçevski.

Transportuesit privatë nga “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres” kanë nisur bllokimin e kryeqytetit më 28 nëntor, kur me rreth 30 autobusë në udhëkryqin afër Mavrovkës, gjegjësisht në bulevardet “Goce Dellçev” dhe “Kërste Petkov Misirkov” kërkuan që t’iu paguhen borxhet, në mënyrë që të fillojnë përsëri punën.

Pasi nuk pati rezultat, më 5 dhjetor të këtij viti, transportuesit privatë bënë një bllokadë më të madhe duke vendosur rreth 200 autobusë në disa pika kryesore të kryeqytetit, pra në udhëkryqet përballë qendrës tregtare “Mavrovka”, Kryqi i kuq, si dhe bulevardi “Ilinden”. Të premten kanë zhbllokuar udhëkryqet në afërsi të Mavrovkës dhe Kryqit të Kuq dhe kanë paralajmëruar se bllokada do të vazhdojë vetëm para barkave të Qytetit të Shkupit deri në zgjidhjen e problemit të tyre, ndërsa ata tashmë kanë ofruar kompromis.

Portalb.mk paraprakisht shkruajti se qytetarët e Shkupit e vazhdojnë ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve mes transportuesve privat dhe Qytetit të Shkupit, derisa Qeveria rri anash dhe shpallet jokompetente për t’ia marrë kompetencat Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik për ta rregulluar çështjen e transportit publik, i cili është jetik për funksionimin e kryeqytetit.

Autobusi që duhet të vijë në 7-8 minuta vjen në 30 minuta e 1 orë. Grumbuj qytetarësh mund të vërehen në çdo stacion autobusi duke pritur për t’u ngjitur në autobusët, të cilët për shkak vonesave janë të stërmbushur me udhëtarë. Në atë gjendje, nxënës, punëtorë, të moshuar, të sëmurë detyrohen të shtypen njëri me tjetrin vetëm për të arritur në destinacionin përkatës, pasi që për autobusin e radhës duhet të presin kushedi sa. Por, ka raste kur për shkak të stërmbushjes, autobusët fare nuk ndalojnë në stacione.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Pas disa ditësh, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”, që nënkupton të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

N. D. Send an email 09:51, 12-12-2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *