POLITIKA

Ekskluzive: Dokumenti i Kosovës që arsyeton aplikimin për anëtarësim në BE

Me 15 dhjetor, Republika e Kosovës edhe zyrtarisht pritet të dorëzojë në Bruksel, aplikimin për antarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë çështje, atje po qëndron Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ende nuk dihet se si do të procedohet me aplikimin e Kosovës, pasi shteti nuk njihet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht Spanja, Qipro, Greqia, Sllovakia e Rumania.

Madje, se si do të procedohet me aplikimin e Kosovës, nuk kanë njohuri tash për tash as zyrtarët e BE-së, kur janë pyetur në lidhje me këtë çështje, duke thënë se do të sqarohet më vonë.

Sidiqoftë, kjo pjesë mbetet punë e BE-së, ndërkohë që Kosova pritet të kryejë obligimin e saj, duke qenë se vendi konsideron se ka përmbushur detyrat përkatëse, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më 27 tetor 2015, në Strasburg.

Por si e ka arsyetuar Kosova aplikimin e saj?

RTKlive ka siguruar dokumentin zyrtar që arsyeton aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i hartuar në nëntor 2022, pjesë të të cilit ka vendosur t’i publikojë.

Dokumenti fillon me një rezyme të rrugës së Kosovës të nisur gati dy dekada pasi Këshilli Evropian në Selanik, premtoi perspektivë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Aty tregohet se nga ajo kohë, Kosova mbetet i vetmi vend që ende nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE.

“Pavarësisht kësaj, anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik për vendin, siç dëshmohet nga angazhimi i fortë i qeverisë për të ndërmarrë reforma kyçe si pjesë e Agjendës së Reformës Evropiane”, shkruan në këtë dokument.

Më tej shkruan se ekziston një konsensus i gjerë në të gjithë spektrin politik dhe qytetarët, në favor të anëtarësimit të Kosovës në BE, e që bazuar në sondazhet rajonale, ato tregojnë nivelin më të lartë të mbështetjes nga popullata e përgjithshme që është në 94% pro.

“Prandaj, koha jo vetëm që është e përshtatshme për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, por ky hap ilustron vullnetin e fortë të qytetarëve tanë dhe shërben si një manifestim i qartë i përkushtimit të palëkundur të institucioneve të Kosovës në rrugën euroatlantike”.

Kosova në rrugën e integrimeve, e fundit në rajon

Kosova në këtë dokument rikujton se në Samitin e Selanikut në vitin 2003, liderët e BE-së morën vendimin strategjik për t’u ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor, anëtarësimin në BE brenda një afati kohor të caktuar, për sa kohë që ato do të ndërmerrnin reforma politike dhe ekonomike.

“Pyetja në atë kohë nuk ishte më se çfarë duhet bërë me Ballkanin, por më tepër se clat janë mjetet e duhura të politikave që Ballkani të arrijë pjesën tjetër të Evropës dhe të futet në union?”, rikujtohet në këtë dokument, qëndrimi i BE-së i para njëzet viteve.

“Sot, vetëm Kroacia është anëtarësuar me sukses në BE, katër vende të tjera kanë hapur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit, një është në pritje të statusit të kandidatit dhe Kosova mbetet më e largëta në proces”.

Kosova në këtë dokument, përmend se pavarësisht këtyre fakteve, integrimi i plotë në strukturat euroatlantike është aspirata më e madhe dhe objektivi strategjik politik i Kosovës.

“Ndërsa BE-ja është kryesisht një ombrellë politike dhe ekonomike, ajo shërben gjithashtu si një referencë socio-kulturore për shoqërinë tonë”.

Më tej në dokument theksohet se qëllimi strategjik i Kosovës, mbështetet nga dëshira e fortë dhe evidente e popullit të Kosovës për t’iu bashkuar familjes evropiane, duke përfaqësuar demonstrimin përfundimtar të vlerave të përbashkëta euroatlantike.

“Përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në BE pasqyron besimin e plotë në BE si një projekt paqeje që mishëron vlerat demokratike, paqen e qëndrueshme dhe prosperitetin ekonomik”.

Zyrtarisht rruga e integrimit për Kosovën, nisi 7 vjet më parë

Në këtë arsyetim të Kosovës për aplikim për antarësim në BE, shkruan se për vendin, në veçanti, vlerësimi për themelet e BE-së është i rrënjosur në historinë e dhimbshme të popullit, gjatë viteve 1990, kohë e cila u dëmtua nga diskriminimi, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe lufta.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Kosovë (MSA), në fuqi që nga prilli 2016, përbën marrëdhënien më të rëndësishme kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, shkruan në këtë dokument prej katër faqesh, raporton RTKlive.

“Është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që ofron një kornizë për dialogun politik dhe mbulon bashkëpunimin në të gjithë sektorët më vitalë për mirëqenien e një shteti, që përfshin drejtësinë dhe punët e brendshme, tregtinë, arsimin, punësimin, energjinë, mjedisin dhe një sërë politikash të tjera.

“Përgjatë viteve, qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës kanë treguar vazhdimisht vullnet politik për të zbatuar obligimet që dalin nga marrëveshja dhe kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e politikave, duke dëshmuar njëkohësisht se Kosova është e aftë të zbatojë kriteret e BE-së”.RTK

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *