Zyrtari i lartë i OKB-së vlerëson Gjykatën e Mitrovicës: Ofron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët
Njëri prej zyrtarëve më të lartë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork u njoftua të martën se Gjykata Themelore në Mitrovicë ofron qasje të barabartë në drejtësi dhe shërbime pa diskriminim për të gjithë qytetarët e kësaj pjese të Kosovës, pa dallim etnie apo përkatësie komunitare.
Kjo u bë e ditur gjatë vizitës së Nënsekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku, siç u bë e ditur nga një kumtesë e kësaj të fundit, ai u informua për punën, funksionimin, sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm në garantimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit theksuan se një sistem gjyqësor i pavarur dhe efikas është faktor kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ata vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë në mbështetje të sundimit të ligjit dhe avancimit të standardeve të drejtësisë.
Lacroix po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite zyrtare dhe në Mitrovicë u shoqërua nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovë dhe njëherazi shefi i UNMIK-ut, Peter N. Due, si dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Delegacioni u prit nga zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi, dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi.
