Zvicra renditet e para në botë për kushtet më të mira për kapitalizëm
Zvicra është renditur në vendin e parë në botë për kushtet më të favorshme për kapitalizëm, sipas Global Capitalism Index, indeksit të ri të Universitetit të Virxhinias.
Në renditjen e vitit 2025, Zvicra ka marrë 96.9 pikë nga 100, duke lënë pas Shtetet e Bashkuara me 95 pikë, Hong Kongun me 94.5, Kanadanë me 93.8 dhe Singaporin me 93.3 pikë. Në total janë vlerësuar 161 shtete, shkruan Waston , transmeton Telegrafi.
Studimi nuk mat pasurinë apo performancën ekonomike të një vendi, por kushtet institucionale që mundësojnë funksionimin e tregjeve.
Në vlerësim përfshihen të drejtat e pronësisë, konkurrenca, tregu i punës, sistemi bankar, tregjet e kapitalit, krijimi i bizneseve dhe qarkullimi i lirë i mallrave dhe kapitalit.
Një nga avantazhet kryesore të Zvicrës është stabiliteti i sistemit bankar. Në këtë kategori, vendi ka shënuar rezultate veçanërisht të larta krahasuar me shtetet e tjera të Evropës Perëndimore.
Sipas të dhënave të indeksit, Zvicra ishte në vendin e pestë në vitin 2009, ndërsa tani është ngjitur në krye të renditjes globale. /Telegrafi/
