TË FUNDIT

Zvicra investon 1 milion franga në Shqipëri për forcimin e pronësisë intelektuale dhe inovacionit

Zvicra dhe Shqipëria kanë nisur fazën e dytë të bashkëpunimit në fushën e pronësisë intelektuale, përmes një projekti katërvjeçar me vlerë prej 1 milion frangash zvicerane, që synon mbështetjen e inovacionit, rritjen ekonomike dhe përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.

Programi i ri, i quajtur “SwissPartnershIP Albania”, është financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe do të zbatohet nga Instituti Federal Zviceran i Pronësisë Intelektuale (IPI).

Lansimi i tij u bë më 26 nëntor në Tiranë, në një aktivitet ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Ambasadës së Zvicrës, bizneseve, startup-eve dhe ekspertë të pronësisë intelektuale.

Faza e dytë e bashkëpunimit vjen pas rezultateve të projektit të parë shqiptaro-zviceran për pronësinë intelektuale (ALSIP), i cili kishte ndihmuar Shqipërinë në forcimin e kuadrit ligjor, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Siri Walt, gjatë hapjes së aktivitetit theksoi rëndësinë e mbrojtjes së pronësisë intelektuale për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e kreativitetit.

“Pronësia intelektuale ka të bëjë me idetë, kreativitetin dhe shndërrimin e talentit në mundësi. Ajo siguron që njerëzit që krijojnë vlerë të mund të përfitojnë nga vlera që krijojnë”, deklaroi Walt.

Projekti do të përqendrohet në pesë fusha kryesore: forcimin e kuadrit ligjor dhe politik, përmirësimin e administrimit të pronësisë intelektuale, promovimin e të drejtave përkatëse, përmirësimin e zbatimit të tyre, si dhe mbështetjen e inovacionit dhe komercializimit.

Një pjesë e rëndësishme e programit është partneriteti ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Shqipërisë dhe Institutit Federal Zviceran të Pronësisë Intelektuale. Përmes këtij bashkëpunimi synohet shkëmbimi i ekspertizës dhe praktikave zvicerane, si dhe forcimi i kapaciteteve të institucioneve shqiptare.

Ndër prioritetet e projektit është edhe zhvillimi i një kuadri për identifikimin e produkteve “Made in Albania”, i frymëzuar nga modeli zviceran “Swiss Made”.

Kjo nismë synon t'i ndihmojë produktet shqiptare të krijojnë identitet më të dallueshëm, të dëshmojnë standardet e cilësisë dhe të rrisin konkurrueshmërinë në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, programi do të kontribuojë gjithashtu në përafrimin e legjislacionit dhe praktikave të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e pronësisë intelektuale. Në raportet e fundit të progresit të BE-së janë evidentuar përparime në fushën e të drejtave të autorit, dizajnit industrial dhe treguesve gjeografikë./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *