Vritet një person në Suharekë
Një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri sot në Suharekë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi cili bëri të ditur se ngjarja është raportuar rreth orës 12:20.
Sipas tij, një person ende i paidentifikuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës.
“Më datën 18.11.2026, rreth orës 12:20, është raportuar se në qytetin e Suharekës, një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi mashkull. Si pasojë e të shtënave, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe, në gjendje të rëndë, është transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencë. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka bërë të ditur se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia po ndërmerr veprime për identifikimin dhe arrestimin e tij.
“I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të tij. Njëkohësisht, është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen e provave dhe dëshmive që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Bytyqi.
Ende nuk dihen motivet e të shtënave, ndërsa hetimet për zbardhjen e rastit po vazhdojnë. /Telegrafi/
