POLITIKATË FUNDIT

Zgjedhjet në Serbi, Mehmeti: Shqiptarët janë në pritje të deputetit të tretë

Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti pritet të jenë dy deputetët shqiptarë që do ta përfaqësojnë Luginën e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare.

Visar Mehmeti ka thënë se mobilizimi i shqiptarëve në këto zgjedhje ka qenë i jashtëzakonshëm, duke veçuar edhe angazhimin e bashkatdhetarëve që jetojnë në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se shpresojnë të sigurojnë edhe një mandat të tretë për përfaqësuesit shqiptarë.

“Mobilizimi ka qenë i paparë deri në këto momente, si asnjëherë më parë, duke pasur parasysh edhe mobilizimin e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Kosovë. Kështu që, si koalicion, jemi në pritje ndoshta edhe të mandatit të tretë”, ka deklaruar Mehmeti në një intervistë për Noval Media .

Sipas tij, përfaqësimi më i madh shqiptar në Kuvendin e Serbisë do të mundësojë që problemet me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës të adresohen me më shumë forcë.

Mehmeti ka theksuar se me një deputet ka qenë shumë e vështirë të shtyhen përpara çështjet e shqiptarëve, ndërsa me dy përfaqësues situata mund të jetë më e favorshme. Nëse sigurohet edhe mandati i tretë, ai vlerëson se mundësitë për të ndikuar në proceset politike do të jenë edhe më të mëdha.

“Ne i kemi hallet tona të përditshme, të cilat na preokupojnë çdo ditë dhe për të cilat e kemi ngritur zërin. Mirëpo, këtë herë jemi më shumë zëra dhe patjetër që ndikimi do të jetë më i madh”, ka thënë Mehmeti.

Ai e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv mundësinë e ndryshimit të qasjes ndaj shqiptarëve në Serbi, pas më shumë se 14 vjetësh të asaj që e ka cilësuar si regjim.

Megjithatë, Mehmeti ka bërë thirrje për kujdes dhe për të mos krijuar pritje të tepruara, duke theksuar se mbetet të shihet se si do të zhvillohen proceset e ardhshme, përfshirë edhe çështjen e listës së studentëve.

Përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë mbetet një çështje e rëndësishme për Luginën e Preshevës, ku qytetarët vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre politike, ekonomike dhe të të drejtave të komunitetit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *