Zgjedhjet e jashtëzakonshme – Voca analizon situatën politike dhe rrjedhën e ngjarjeve
Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidenten e vendit pasi partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje edhe pas katër tentimeve të njëanshme vetëm brenda ditës së martë nuk kishte mundësi që të niste një proces votimi të ri për dy kandidatet e tyre Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Partitë politike opozitare bojkotuan seancën e stërzgjatur, duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh për ta zgjedhur presidenten e re të Kosovës.
Në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese thuhet qartë se Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave dhe kuorumin prej dy të tretave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë.
Afati prej 35 ditësh i dhënë nga Gjykata Kushtetuese skadoi në mesnatën e 28 prillit, dhe në këtë mënyrë, automatikisht sipas atij vendimi, shpërbëhet Kuvendi, pa nevojën e një dekreti presidencial. Sërish duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më së largu brenda 45 ditësh, që i bie në fillim të qershorit.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.
ImageMirsad VocaFoto galeri
Voca thotë se kriza dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme erdhën si pasojë e mënyrës se si u menaxhua situata politike, edhe pse kishte mundësi për një zgjidhje me marrëveshje, dhe se në një moment kyç u bë një përpjekje për të ofruar një figurë që mund të bashkonte palët.
“Situata që çoi drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk erdhi rastësisht, dhe ajo është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mënyrës se si u menaxhua procesi nga LVV. Kjo nuk është një krizë e imponuar prej rrethanave, por një krizë e prodhuar artificialisht nga vendime konkrete politike.
Këtë e kam theksuar vazhdimisht që nga marsi se ka pasur hapësirë reale për një zgjidhje konsensuale që do ta shmangte këtë skenar. Atë që nuk arriti ta bënte LVV-ja, e bëri LDK-ja në një moment kyç, duke u treguar konstruktive dhe duke propozuar Vjosa Osmanin si një figurë me potencial të qartë për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm shtetëror”, u shpreh ai.
Duke vazhduar bisedën, ligjëruesi shprehet se suksesi ndërkombëtar i Vjosa Osmanit ishte i dukshëm dhe pozitiv për Kosovën, por në vend që të shfrytëzohej si përparësi shtetërore, ai u pa si rivalitet i brendshëm politik, gjë që ndikoi në tensione dhe në mënyrën si u menaxhua politika.
“Suksesi i Presidentes Osmani në arenën ndërkombëtare u trajtua si kërcënim, ndërkohë që diplomacia e Qeverisë dhe zonjës Gërvalla mbeti në hije.
Në aspektin profesional, është e vështirë të argumentohet se Vjosa Osmani nuk e ka përmbushur rolin e saj. Përkudrazi, ajo ka siguruar një nivel të lartë përfaqësimi për Kosovën, duke kontribuar ndjeshëm në konsolidimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, ky sukses duket se ka krijuar kosto të brendshme politike. Krahas suksesit të Osmanit, Qeveria dhe veçanërisht Ministrja Gërvalla u ndjenë të eklipsuara. Ndërsa Presidentja korrte suksese diplomatike, politika e jashtme e udhëhequr nga Kryeministri Kurti dhe Ministria e Jashtme nuk shënuan rezultate të prekshme. Ky kontrast në performancë duket se ushqeu kalkulimet politike të VV-së: në vend që suksesi i Osmanit të shihej si aset shtetëror, ai u trajtua si kërcënim politik, duke çuar në anashkalimin e saj.
Kur llogaritë partiake peshojnë më shumë se interesi i shtetit, përgjegjësia politike për bllokadën mbetet definitive”, shpjegoi ligjëruesi.
Në fund, ai sugjeron se vendi u drejtua qëllimisht drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për shkak të mungesës së kompromisit dhe prioritizimit të interesave politike të brendshme mbi stabilitetin, duke e parë këtë si një përgjegjësi të qartë politike.
“A ishte kjo një strategji e paramenduar për të dërguar vendin në zgjedhje? Faktet dhe refuzimi i vazhdueshëm i alternativave dëshmojnë se po. Duke refuzuar kompromiset në kohën e duhur dhe duke sakrifikuar stabilitetin për hir të balancave të brendshme të fuqisë, vendi u shty drejt një rruge të panevojshme, asaj të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.
