POLITIKATË FUNDIT

Zbulohet plani: – Jo vetëm shtet bektashi në Shqipëri, por edhe shtet të fesë ortodokse serbe në Kosovë!

Ish kreu i Dhomës së Tregtisë Amerikane në Tiranë, i mirënjohuri Mark Crawford, më shkroi mbrëmjen e datës 23 gusht 2026, në 7.13 PM, sa më poshtë:

“Për dijeni… Christopher Hyland (amerikani i lidhur me Shtetin Sovran Bektashi) ka promovuar gjithashtu krijimin e një shteti-kishe ortodokse sovrane brenda Kosovës (shihni faqen e mëparshme të internetit të Hyland-it, bashkëngjitur).

Ky grup po promovon “unitetin” duke e përçarë edhe më tej Ballkanin. Kjo duhet të ndalet”.

Ky informacion është aq i vyer për të kuptuar se si lëvizin fijet e veprimtarisë anti-shqiptare edhe përmes atyre që hiqen si miq tanët. Kjo kërkesë e një amerikani që e do Shqipërinë dhe Kosovën është një alarm për ne shqiptarët, sidomos për institucionet, elitën politike, akademike dhe intelektuale. Duke parë CV e Christopher Hyland, dalin në dritë akte të tij pozitive, por edhe negative në qasjen që ai ka për Ballkanin, sidomos Shqipërinë dhe Kosovën. Hyland është 56 vjeç dhe ka kryer studime të shumta në fushën e biznesit, marrëdhënieve ndërkombëtare, arkitekturës, dizanjit, teologjisë dhe politikës. Ndërkohë bir i një avokati anglez ai më parë kishte kryer shkollën e mesme në Angli dhe në Zvicër. Në Universitetin e njohur të Harvardit Hyland ka studiuar në fushat e teologjisë, për çeshtjet e arsimit të lartë, ato të edukimit, për politikën e jashtme të Lindjes së Mesme e ndërkombëtare e madje edhe për mjekësi.

Ai zotëron një kompani të njohur me emrin e tij me seli në New York D.C e me veprimtari në gjithe SHBA-në e jashtë saj. Ndërkaq është përfshirë në shumë sfida dhe misione në vatrat e krizave në botë si në Irlandën e Veriut, Somali, Ukrainë, për njohjen e Sllovenisë, Kroacisë e Kosovës etj. Për këto shërbime ka fituar çmime ndërkombëtare dhe ka marrë dy tituj nderi si Doktor Honaris Causa. Idetë e tij për zhvillimet ndërkombëtare i ka shpalosur hapur në mediet ndërkombëtare. Ndër to ka promovuar në konferenca të ndryshme ndërkombëtare idenë e shtetit bektashi në Shqipëri dhe idenë krijimit të shtetit të fesë ortodokse në Kosovë. Pra për krijimin e dy minishteteve me potencial të sundojnë dy shtetet e sotme sovrane, shtetin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Ose së paku për të strehuar Radioçiqët, Veselinoviçët, kartelin mafioz të Rilindjes, i cili sot sundon me dorë të hekurt shqiptarët në Shqipëri, e të tjera kartele politike, ekonomike, financiare mafioze.

Pikërisht këto dy idetë e fundit të promovuara nga Christopher Hyland janë përvetësuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Shqipërisë hodhi në publik gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator 2024 propozimin e tij për krijimin e shtetit bektashi. Me këtë dua të them se njerëz si Hyland ka e do të ketë në botë, edhe në Shtetet e Bashkuara. Këta njerëz mund të japin ide të ndryshme për të zgjidhur krizat dhe konfliktet në vende të shumta të botës. Por është e paarsyetueshme se çfarë krize do të zgjidhte një shtet bektashi në Shqipëri. Dhe po ashtu e pamendueshme se çfarë do të sillte pozitivisht një shtet i fesë ortodokse serbe në Kosovë. Akoma më e pakuptueshme është pse kryeministri i Shqipërisë i mbështet iniciativa të tilla. Edi Rama i kap në ajr opsione si këto për copëtimin e Shqipërisë, me qëllim që ta marrë vetë autorësinë e këtyre ideve shkatërruese dhe përçarëse për kombin shqiptar.

Krijimi i një shteti bektashi në Shqipëri ose ortodoks serb në Kosovë jo vetëm do të ishte e rrezikshme për të dy vendet tona, por do të ngulte në zemër të Shqipërisë dhe të Kosovës “Gozhdën e Nastradinit”, ku Serbia dhe forca të tjera anti-shqiptare do të “varnin xhaktën” pafundësisht në kohë. Nëse ne do ta lejojmë krijimin e këtyre dy minishteteve për nga sipërfaqja, atëherë Serbia dhe armiqtë e tjerë të shpallur ose të pashpallur të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve do të bëheshin të zotët e shtëpisë sonë. Dmth do të ndërhynin në punët e qeverisjes dhe politikës shqiptare në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke rrezikuar sovranitetin e dy shteteve tona në tërësinë e territorit dhe jo vetëm në territorin e shtetit bektashi ose ortodoks që do të krijohej.

Është shumë interesante të themi se Serbia historikisht ndikimin e saj te shqiptarët e ka realizuar përmes elitës politike dhe të ashtuquajtur intelektuale shiptare. Ajo më e suksesshme ka qenë kur ka përdor shqipfolës antikombëtarë për të implementuar projektet e saj, sesa kur ka bërë luftëra, masakra dhe genocid ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye duhet të çelim sytë. Duhet t’u themi me vendosmëri JO planeve të tilla ogurzeza! Duhet ta mbrojmë Shqipërinë dhe Kosovën me çdo mjet dhe përmes çdo sakrifice. E për t’ia arritur kësaj duhet ta shporrim përfundimisht kryeministrin e Shqipërisë dhe kartelin mafioz të Rilindjes! Jemi akoma në kohë, pavarësisht faktit se kreu i kartelit të mafios rilindase po përshpejton ta bëjë fakt të kryer asgjësimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Fatmirësisht Kosova nuk është në duart e aleatëve të Edi Ramës. Kjo ia vështirëson atij planet në zbatim. Ndërkohë mbetet emergjente rrëzimi i regjimit të tij!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *