Aktakuza zbulon planin “Leptir”: BIA dyshohet se angazhoi Shehollin për diskreditimin e Kurtit dhe ndërhyrjen në zgjedhje
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e ngarkuar atë me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – BIA dhe se vepronte sipas urdhrave të zyrtarit të lartë të këtij shërbimi, Bojan Dimiq.
Në dosjen e Prokurorisë përmendet plani me emrin e koduar “Leptir”, përmes të cilit, sipas pretendimeve të organit të akuzës, synohej diskreditimi politik i Albin Kurtit dhe ndërhyrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Sheholli akuzohet se, nga një datë ende e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, kishte mbledhur, siguruar dhe përcjellë nëpërmjet komunikimeve telefonike informacione dhe dokumente për aktivitetet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ai kishte zbatuar planin operativ të përgatitur nga zyrtari i BIA-s, me synimin që të dëmtoheshin interesat e Republikës së Kosovës, të diskreditoheshin institucionet dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe të ndikohej drejtpërdrejt në procesin zgjedhor.
Në aktakuzë thuhet se më 29 shtator 2025, rreth orës 14:00, Sheholli, i shoqëruar nga një familjar, kishte udhëtuar me një automjet “Audi” drejt Mitrovicës së Veriut. Në parkingun e Shkollës Teknike, pranë një lokali, ai dyshohet se kishte pranuar nga një person ende i paidentifikuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Pretendimi i Prokurorisë është se këto materiale ishin përgatitur për komprometimin e zyrtarëve të kësaj ministrie. Për kryerjen e këtij shërbimi, Sheholli dyshohet se kishte marrë pesë mijë euro.
Dosja pretendon se materialet më pas i ishin dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me një mijë euro, si dhe me udhëzime për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre – disa ditë para zgjedhjeve lokale.
Zeka, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, ka deklaruar se po dëgjonte për herë të parë për pretendimet e tilla. Ai ka thënë se materialet u ishin dhënë edhe gazetarëve të tjerë, ndërsa shuma prej një mijë eurosh, sipas tij, ishte paguar për përkthimin e tyre.
Prokuroria vlerëson se veprimet e përshkruara në aktakuzë kanë dëmtuar interesat shtetërore, kanë synuar diskreditimin e institucioneve dhe kanë kontribuar në thellimin e ndarjeve shoqërore, duke i mundësuar një shërbimi të huaj informativ të ndërhynte në procesin zgjedhor të Kosovës.
Për këto veprime, Sheholli ngarkohet me veprën penale “Spiunazh”.
Akuza edhe për shantazh
Në pikën e dytë të aktakuzës, Sheholli akuzohet se nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, përfshirë periudhën kur ndodhej në paraburgim, kishte shantazhuar pronarin e një biznesi, të identifikuar me inicialet A.J.
Sipas Prokurorisë, ai i kishte kërkuar të dëmtuarit para kinse në formë huazimi, duke e kërcënuar se, nëse nuk paguante, do të publikonte video dhe informacione që do t’ia dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin.
Shuma e përgjithshme e dëmit pretendohet se tejkalon 13 mijë euro. Aktakuza pretendon se Sheholli, edhe nga paraburgimi, kishte dërguar nëpërmjet një familjari kërkesën për pagesën mujore prej 700 eurosh.
I dëmtuari, nga frika e publikimit të materialeve, dyshohet se në një rast kishte dorëzuar 500 euro te familjari i Shehollit.
Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurit dhe konfiskimin, pas përfundimit të gjykimit, të sendeve dhe pasurisë së sekuestruar, përfshirë 3.185 euro.
Si dëshmitarë është propozuar të ftohen ministri Nenad Rashiq dhe gazetari Milaim Zeka. Pas dorëzimit të aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet caktimi i seancës fillestare.
