TË FUNDIT

Zbulohen detajet e kontratës së re të Pulisic me Milanin, amerikani pritet të përfitojë pagë më të lartë

Christian Pulisic është shumë pranë vazhdimit të kontratës me Milanin, pasi klubi italian dhe sulmuesi amerikan kanë arritur marrëveshje për bashkëpunimin e ri.

Sipas raportimeve të gazetës italiane La Gazzetta dello Sport , 28-vjeçari pritet të nënshkruajë kontratën e re gjatë ditëve të ardhshme, duke e lidhur të ardhmen e tij me kuqezinjtë deri në vitin 2031.

Marrëveshja e re do t'i sjellë Pulisic edhe një përmirësim të konsiderueshëm financiar.

Aktualisht, reprezentuesi amerikan përfiton katër milionë euro neto në sezon, ndërsa me kontratën e re paga e tij do të rritet në pesë milionë euro në vit, pa përfshirë bonuset shtesë.

Drejtuesit e Milanit kanë kohë që po punojnë për të siguruar qëndrimin e sulmuesit, kontrata aktuale e të cilit skadon në fund të sezonit.

Paraqitjet e mira të amerikanit kanë bërë që klubi ta konsiderojë vazhdimin e bashkëpunimit si një nga prioritetet kryesore.

Pulisic ka vazhduar të japë kontribut të rëndësishëm edhe këtë sezon, duke shënuar në fitoren e fundit ndaj Venezias. Ky ishte goli i tij i dytë në pesë paraqitje në Serie A gjatë edicionit aktual.

Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes, me Milanin që synon ta mbajë amerikanin si një nga lojtarët kryesorë të repartit ofensiv edhe për vitet e ardhshme. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *