Ylli i “Pretty Little Liars”, Keegan Allen sulmohet pranë makinës, grabitësit i marrin orën
Aktori Keegan Allen, i njohur për rolin e Toby Cavanaugh në serialin “Pretty Little Liars”, ka treguar se është sulmuar dhe grabitur me armë në West Hollywood të Los Angelesit.
37-vjeçari publikoi një video ku shihej me gjak në kokë, pasi dy persona dyshohet se e kërcënuan me armë dhe thikë, e goditën disa herë dhe i morën orën.
Allen u shpreh në rrjetet sociale se sulmi ndodhi pranë një biznesi në zonën e Laurel Supply dhe paralajmëroi se nuk ndihej më i sigurt në West Hollywood. Sipas tij, dy të rinjtë e kishin kërcënuar me vdekje për t’i marrë orën, shkruan DailyMail.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara pas ngjarjes, tregojnë dy të dyshuar që i afrohen aktorit pranë makinës. Ata dyshohet se i drejtojnë armët dhe e godasin disa herë në kokë, përpara se të largohen me sendin e vjedhur.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në bulevardin Santa Monica rreth orës 21:05. Njëri nga të dyshuarit e kërcënoi viktimën me një pistoletë, ndërsa tjetri me thikë, duke i kërkuar orën dhe byzylykun. Pas grabitjes, të dy u larguan me një automjet ende të paidentifikuar.
Aktori pësoi një plagë në ballë dhe u vlerësua nga ekipet mjekësore në vendngjarje, por fillimisht nuk u transportua në spital.
Më vonë, ai u tha ndjekësve në Instagram se kishte shkuar në spital dhe kishte pësuar tronditje. Autoritetet u kanë bërë thirrje personave që mund të kenë informacione për sulmin të kontaktojnë hetuesit e West Hollywoodit. /Telegrafi/
