Vulini në Moskë, Lavrov kërkon garanci nga qeveria e re e Serbisë: Të vazhdojë lidhjet me Rusinë
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, ka kërkuar që qeveria e re e Serbisë të sigurojë vazhdimësinë e partneritetit strategjik me Moskën, ndërsa ka konfirmuar se po zhvillohen bisedime për furnizimin e ardhshëm me gaz dhe për një kontratë të re afatgjatë.
Lavrov i bëri këto komente gjatë takimit në Moskë me Aleksandar Vulinin, kryetar i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë shtetërore serbe “Srbijagas”, më 11 nëntor 2026.
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj të gjitha marrëveshjeve tona, të kaluara dhe të tanishme. Shpresojmë që edhe qeveria e re të sigurojë vazhdimësinë e partneritetit strategjik të Serbisë me Federatën Ruse”, deklaroi Lavrov, sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme ruse.
Kryediplomati rus tha se negociatat për furnizimet e ardhshme me gaz dhe për një marrëveshje të re afatgjatë janë në zhvillim. Ai përmendi edhe vizitën në Moskë të drejtorit të përgjithshëm të “Srbijagas”, Dushan Bajatoviq.
Në këtë takim, Lavrovi e cilësoi Vulinin si një nga figurat kryesore politike të Serbisë dhe vlerësoi angazhimin e tij në bashkëpunimin mes dy vendeve. Nga ana tjetër, Vulin ka qenë vazhdimisht një nga zërat më të drejtpërdrejtë në mbështetje të ruajtjes dhe thellimit të marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë.
Vulini: Serbia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë
Gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Vladivostok, në shtator të vitit 2024, Vulin kishte deklaruar se Serbia, nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit, nuk do të bëhej anëtare e NATO-s, nuk do t’i vendoste sanksione Rusisë dhe nuk do të lejonte që territori i saj të përdorej për aktivitete kundër Moskës.
Ai e kishte cilësuar Rusinë si aleate dhe partner strategjik të Serbisë, duke falënderuar Moskën për qëndrimin e saj lidhur me sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, si dhe për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Edhe gjatë vizitës në Moskë në gusht të vitit 2024, ku ishte takuar me Lavrovin, Vulin kishte deklaruar se ishte krenar që Serbia nuk ishte pjesë e asaj që ai e quajti “histeri anti-ruse” dhe se Beogradi nuk kishte vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse.
Në atë takim, dy zyrtarët kishin diskutuar edhe për mundësitë e thellimit të partneritetit strategjik, përfshirë bashkëpunimin me organizatën BRICS.
Në prill të vitit 2025, gjatë një forumi ekonomik në Moskë, Vulin kishte shkuar edhe më tej në mbrojtje të qëndrimit të Serbisë ndaj Rusisë.
Ai kishte pretenduar se, po t’i kishte vendosur Serbia sanksione Moskës, në vend nuk do të kishte pasur atë që e quajti “revolucion me ngjyra”.
Sipas tij, Serbia dhe Rusia historikisht kanë qenë në të njëjtën anë.
Qëndrimet e Vulinit ndaj Rusisë janë shfaqur edhe në deklaratat e tij për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.
Në shtator të vitit 2024, Bashkimi Evropian kishte reaguar ndaj takimit të tij me Putinin, duke vlerësuar se forcimi i lidhjeve me Moskën, në kohën e agresionit rus kundër Ukrainës, nuk ishte në përputhje me procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE./Telegrafi.
