TË FUNDIT

Pakënaqësi për zgjedhjet në Odën e Mjekëve në RMV, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë: Zëvendëskryetari i zgjedhur nuk na përfaqëson neve

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni shpreh shqetësimin dhe pakënaqësinë e saj lidhur me procesin e formimit të organeve të Odës së Mjekëve të Maqedonisë, veçanërisht me zhvillimet në mbledhjen konstituive, ku nuk u respektua vullneti dhe përfaqësimi i mjekëve shqiptarë, të cilët përfaqësohen nga Shoqata jonë.

Nga shoqata thonë se zëvendëskryetari i zgjedhur dhe anëtari i zgjedhur i Këshillit Drejtues nuk e përfaqësojnë Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni dhe nuk kanë mandat për të përfaqësuar qëndrimet apo vullnetin e mjekëve shqiptarë.

"Shqetësim i veçantë mbetet edhe mënyra e zgjedhjes së delegatëve përmes listave, ku nuk janë respektuar dispozitat statutare dhe parimi i përfaqësimit prej 20%. Po ashtu, gjatë zgjedhjes së organeve drejtuese të Odës nuk është respektuar ky parim, duke mos siguruar përfaqësimin e duhur të mjekëve shqiptarë.

Konsiderojmë se respektimi i Statutit, përfaqësimi i drejtë dhe barazia në vendimmarrje janë parime themelore për funksionimin demokratik dhe institucional të Odës së Mjekëve.

Në këtë drejtim, bëjmë të ditur se Shoqata do të ndërmarrë të gjithë hapat dhe mekanizmat ligjorë në dispozicion, përfshirë inicimin e procedurave përkatëse pranë Gjykatës Administrative, me qëllim që të evidentohen dhe konstatohen shkeljet e bëra gjatë këtij procesi dhe të kërkohet mbrojtja e të drejtave të përfaqësimit të mjekëve shqiptarë", thuhet në reagimin e Shoqatë së Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni.

Kujtojmë se dje Oda e Mjekëve të Maqedonisë për kryetar të saj të ri zgjodhi Nikolla Jankullovski, ndërsa nënkryetar u zgjodh Idriz Orana./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *