TË FUNDIT

Vjen reagimi i Zelenskyt pasi Trump njoftoi ‘një armëpushim energjetik’ ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë

Presidenti ukrainas ka reaguar pak pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se armëpushimi energjetik "ishte një lajm për mua".

Reagimi i tij ka ardhur pak pasi, presidenti Trump tha se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës.

“Me efekt të menjëhershëm, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës hyn në fuqi një armëpushim energjetik. Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

E lidhur me këtë, Volodymyr Zelensky shtoi për median amerikane Axios: "Por nëse rusët bien dakord për një armëpushim energjetik, edhe Ukraina do të pranojë".

Megjithatë, sipas mediave botërore, përcjell Telegrafi, Moska ende nuk ka bërë ndonjë koment lidhur me këtë njoftim të Trump.

Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte thënë se Kievi ishte i gatshëm të ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Moska ndalte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Ai theksoi se çdo ulje e tensioneve duhet të jetë reciproke dhe e mbështetur nga garanci.

Kujtojmë se Trump ka fajësuar luftën mes Rusisë dhe Ukrainës për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe jo konfliktin në vazhdim që përfshin Iranin.

Njoftimi erdhi pas marrëveshjes për furnizimin me naftë dizel, të cilën Trump e bëri të ditur të premten pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas marrëveshjes, Moska ra dakord të furnizojë me karburant SHBA-në dhe tregjet globale.

Zelensky e kritikoi marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një “dhuratë” për Putinin.

Ai paralajmëroi se lehtësimi i kufizimeve për eksportet ruse të naftës dizel mund të ndihmojë në financimin e përpjekjeve luftarake të Moskës. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *