“Urat dentare, estetika dhe gabimet që mund ta dëmtojnë buzëqeshjen” – stomatologia Rajmonda Halili në “Shëndeti në rend të parë”
Shëndeti dhe estetika e buzëqeshjes janë bërë ndër temat më të diskutuara në stomatologjinë moderne, sidomos në kohën kur shumë pacientë kërkojnë zgjidhje të shpejta për dhëmbë më të bukur, më të bardhë dhe më funksionalë.
Për këtë temë ka folur Rajmonda Halili, specialiste e protetikës stomatologjike, në episodin e 92-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati .
Në këtë episod u diskutua për urat dentare, kurorat, vinerët, gryerjen minimale, gabimet gjatë trajtimit, mirëmbajtjen dhe jetëgjatësinë e punimeve protetike.
– YouTube www.youtube.com
Halili shpjegoi se pacientët shpesh i ngatërrojnë termat kurorë, urë dhe viner, ndonëse këto punime nuk janë e njëjta gjë dhe përdoren në raste të ndryshme.
Sipas saj, ura dentare vendoset kur pacientit i mungojnë dhëmbët dhe duhet të plotësohet hapësira e krijuar.
“Një urë dentare është një punim indirekt, i cili krijohet në gojën e pacientit kur atij pacienti i mungojnë dhëmbët”, tha ajo.
Ndërsa kurora vendoset kur dhëmbi ekziston, por është i dëmtuar, i shkatërruar ose ka një problem estetik që nuk mund të korrigjohet me restaurime të tjera.
Vinerët, nga ana tjetër, vendosen vetëm në pjesën e përparme të dhëmbëve dhe zakonisht kërkojnë gryerje më të vogël.
Një nga mesazhet kryesore të Halilit ishte rëndësia e ruajtjes së strukturës së dhëmbit. Ajo theksoi se gryerja duhet të bëhet vetëm kur është e domosdoshme dhe sa më minimale që të jetë e mundur.
“Krejt specializimin tim jemi shkolluar në atë formë që gryerja duhet të jetë sa më minimale”, tha Halili.
Ajo shtoi se është “ruajtëse e strukturës së dhëmbit”, sidomos te moshat e reja, ku dëmtimi i panevojshëm mund të ketë pasoja afatgjata.
Sipas saj, stomatologjia moderne po avancon drejt preparimeve minimale, ndërsa pacientët duhet të informohen mirë para se të marrin vendime për trajtime estetike.
“Sot stomatologjia e re avancon kah mosgryerja, kah gryerja minimale”, tha ajo.
Halili paralajmëroi se shumë të rinj, të shtyrë nga dëshira për një buzëqeshje të bardhë dhe të bukur, rrezikojnë t’i dëmtojnë dhëmbët e shëndoshë.
“Dua t’i kursej krejt vajzat dhe djemtë e rinj, të cilët në kontekstin estetik sot po i dëmtojnë dhëmbët e tyre”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se nuk do të pranonte të gërryente një dhëmb të shëndoshë, kur ekziston mundësia që estetika të rikthehet me gryerje minimale ose pa gryerje fare.
“Nuk ka mundësi në karrierën time të gërryej një dhëmb i cili është i shëndoshë, kur e di që ekziston mundësia që pacientit t’ia kthej estetikën me gryerje minimale ose pa gryerje fare”, tha Halili.
Në podcast u diskutua edhe për faktin se vinerët pa gryerje nuk janë zgjidhje për çdo pacient. Halili tha se kjo varet nga madhësia e dhëmbëve, forma e tyre dhe mënyra e kafshimit.
“Restaurimet ose punimet pa gryerje nuk janë zgjidhje për secilin pacient”, shpjegoi ajo, duke shtuar se nëse pacienti ka dhëmbë të gjatë apo të mëdhenj, shtimi i një strukture tjetër mund të duket jo estetik.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte mundësia që pacienti ta shohë paraprakisht buzëqeshjen para vendosjes së punimit final. Halili tha se në stomatologjinë moderne kjo është e mundur përmes punimeve të përkohshme.
“Në stomatologjinë e re pacienti mund të ketë një pamje komplete në materiale të ndryshme të përkohshme”, tha ajo, duke theksuar se pacienti ka të drejtë ta shohë veten se si do të duket dhe të zgjedhë formën.
Sa i përket materialeve, Halili shpjegoi se pacienti mund të ketë një ide, por vendimi final duhet të merret në bashkëpunim me stomatologun, varësisht nga rasti klinik.
Ajo tha se E-MAX zakonisht përdoret më shumë në pjesën frontale, ndërsa zirkoni në pjesët e pasme, ku kërkohet më shumë rezistencë ndaj forcave të kafshimit. Sipas saj, pacientët shpesh vijnë me kërkesa estetike, por për mjekun ana funksionale mbetet bazike.
“Gjithmonë pacienti, kur vjen në ordinancë, e ka kërkesën estetike, por për mjekun ana funksionale është bazike”, theksoi ajo.
Halili foli edhe për rëndësinë e cimentimit dhe bondingut, duke e quajtur këtë proces pikën kryesore për jetëgjatësinë e një kurore, ure apo vineri.
“Cimentimi është pika më kryesore për qëndrueshmërinë e një punimi protetikor”, tha ajo.
Sipas saj, mosndjekja e protokolleve të ngjitjes apo mungesa e njohjes së teknikave moderne mund të bëjë që pacientët të vuajnë pasojat e gryerjeve të mëdha.
Ajo theksoi se stomatologjia avancon shumë shpejt dhe ndjekja e këtyre avancimeve është e domosdoshme për mjekët.
Një gabim i vogël në ngjitje, sipas Halilit, mund të ndikojë shumë në estetikë. Ajo tha se në punimet protetike rëndësi kanë fusha e thatë, protokollet e bondingut, forma, ngjyra dhe imitim sa më natyral i dhëmbit.
“Sa më shumë imiton dhëmbi natyral, aq më estetik është; sa më shumë largohet prej këtij imitimi, aq më joestetik është”, tha ajo.
Në pjesën e mirëmbajtjes, Halili tha se një kurorë apo urë që bie pas disa muajsh nuk mund të vlerësohet vetëm si gabim i njërës palë. Sipas saj, përgjegjësia mund të jetë dypalëshe, pasi ndikojnë si puna e mjekut, ashtu edhe kujdesi i pacientit.
“Mjeku i mirë nuk vlerësohet me punimin final që e ka dorëzuar në ditën e parë, por me jetëgjatësinë e punimit”, tha Halili.
Ajo përmendi mënyrën e ushqyerjes, kafshimin e gjërave të forta dhe shtrëngimin e pavetëdijshëm të dhëmbëve si faktorë që mund të ndikojnë në dëmtimin apo thyerjen e punimeve protetike.
Sa i përket bruksizmit, apo kërcitjes së dhëmbëve gjatë natës, Halili tha se te këta pacientë ndryshon plani i trajtimit, materiali dhe forma e punimit.
“Këta pacientë vijnë me smalt komplet të harxhuar. Prandaj, tek këta pacientë ndryshon plani i terapisë, materiali, forma e punimit, ndryshon gjithçka”, tha ajo.
Ajo shtoi se pacientët me bruksizëm mund të përdorin shabllone apo goma të buta gjatë natës, të cilat ndihmojnë në parandalimin e kërcitjes së vazhdueshme dhe dëmtimit të dhëmbëve apo punimeve.
Një problem tjetër i shpeshtë pas vendosjes së kurorave është gjakosja e mishrave të dhëmbëve. Halili tha se higjiena është pika bazike dhe se pacientët nuk duhet të mendojnë se, pasi kanë vendosur punime protetike, nuk kanë më nevojë t’i pastrojnë dhëmbët me kujdes.
Ajo sqaroi se bakteret mund të krijohen pikërisht në vendin ku bashkohet kurora me mishin e dhëmbëve.
“Pastrimi duhet të jetë korrekt dhe pas çdo vakti që pacienti e merr”, tha ajo.
Halili këshilloi përdorimin e brushave të buta ose mesatare, pa shumë presion, ndërsa tha se nuk është adhuruese e pastave zbardhuese, sidomos te pacientët që kanë punime si zirkoni apo E-MAX, pasi këto nuk e ndryshojnë ngjyrën nga pastat e ndryshme.
Në pjesën estetike, Halili dha një mesazh të fortë për pacientët që kërkojnë të kopjojnë buzëqeshjen e dikujt tjetër. Sipas saj, forma e fytyrës, forma e dhëmbëve, harku dentar dhe ngjyra janë individuale.
“Buzëqeshja është individuale, forma e fytyrës është individuale. Edhe forma e dhëmbëve, edhe harku i dhëmbëve është individual”, tha Halili.
Ajo kritikoi trendin e buzëqeshjeve të njëjta, duke thënë se punimi final duhet të ruajë natyralitetin dhe individualitetin e pacientit.
“Po bëhemi ata që s’jemi”, tha Halili, duke bërë thirrje që pacientët të ruajnë jo vetëm dinjitetin, por edhe shëndetin e tyre. /Telegrafi/
