Universiteti i Shkupit rrezikon terrin për shkak të borxheve – kush do t’i paguajë faturat e energjisë?
Universiteti „Shën Kirili dhe Metodi“ (UKIM) në Shkup mbeti përkohësisht pa energji elektrike për shkak të faturave të papaguara. Furnizimi është rikthyer me kushtin që borxhi të shlyhet deri në fund të javës, ndërsa Ministria e Arsimit siguron se nuk do të ketë shkyçje të reja.
Të mërkurën, Rektorati i UKIM-it, si dhe fakultetet e Makinerisë, Elektroteknikës, Shkencave Matematiko-Natyrore dhe Bujqësisë mbetën pa rrymë. Edhe pse energjia u rikthye disa orë më vonë, çështja e borxheve të grumbulluara mbetet e hapur.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi sot se fakultetet nuk kanë arsye të frikësohen nga ndërprerjet e reja, duke theksuar se me publikimin e ribalancit të buxhetit në „Gazetën Zyrtare“, borxhet po servisohen rregullisht.
Sipas raportimeve mediatike, borxhi i përgjithshëm për këtë grup institucionesh kap vlerën e rreth 500 mijë eurove, ndërsa kompania shpërndarëse EVN ka dhënë afat deri të premten për shlyerjen e detyrimeve, të cilat kryesisht bien mbi buxhetin e Ministrisë së Arsimit. Nga kompania EVN refuzuan të japin detaje, duke u thirrur në konfidencialitetin e marrëdhënieve me klientët. Nga ana tjetër, dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Dean Jankuloski, konfirmoi se e kanë zgjidhur vetë problemin pas një ndërprerjeje prej rreth një ore e gjysmë, duke paguar me mjete vetanake një pjesë të faturave që duhej t’i mbulonte ministria.
Situata shkaktoi reagime të ashpra politike dhe rinore. Partia opozitare „E Majta“ (Levica) e cilësoi rastin si tregues të paaftësisë së pushtetit dhe kërkoi përgjegjësi, ndërsa Rinia Liberal-Demokrate (LiDeM) kritikoi faktin se ndërsa flitet për digjitalizim, studentët përballen me mungesën e kushteve elementare për mësim.(INA)
