Ukraina thotë se ka nxjerrë jashtë funksionit mbi 51 për qind të kapaciteteve ruse të përpunimit të naftës
Ukraina pretendon se sulmet e saj të njëpasnjëshme me rreze të gjatë kanë nxjerrë jashtë funksionit më shumë se 51 për qind të kapaciteteve të përpunimit të naftës në Rusi.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes tha se vlerësimi është bërë nga inteligjenca dhe analistët e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, pas analizimit të rezultateve të sulmeve të fundit ndaj objektivave energjetike ruse.
“Inteligjenca dhe analistët kanë vlerësuar rezultatet e sulmeve të fundit me rreze të gjatë. Më shumë se gjysma e kapaciteteve të armikut janë nxjerrë jashtë funksionit”, tha kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Yevhen Khmara, sipas Ukrinform.
Sipas ministrisë, forcat ukrainase kanë goditur së fundmi rafineritë e naftës në Moskë, Yaroslavl, Perm, Ilsk, Saratov dhe Syzran, si dhe kompleksin Kiryshinefteorgsintez dhe rafinerinë në Ust-Luga, transmeton Telegrafi.
Ministria thekson se pasojat e këtyre sulmeve nuk janë gjithmonë të dukshme menjëherë, por dëmet grumbullohen me kalimin e kohës dhe përfundimisht ndikojnë në kapacitetet e industrisë ruse të naftës.
“Kjo përbën një goditje të rëndësishme ndaj ekonomisë së armikut, aftësisë së tij për të zhvilluar agresionin dhe për të mbështetur dislokimin e trupave. Sulmet tona në thellësi po vazhdojnë ta zhvendosin luftën edhe në territorin rus”, deklaroi Khmara.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, një nga prioritetet kryesore të Ukrainës është zhvillimi dhe përdorimi i dronëve sulmues me rreze të gjatë, të cilët mund të godasin objektiva qindra kilometra brenda territorit të Rusisë.
Kievi thotë se gjatë këtij viti ka trefishuar prodhimin dhe prokurimin e këtyre dronëve dhe planifikon të rrisë më tej kapacitetet për sulme në thellësi të territorit rus.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar më herët se Ukraina do t’i intensifikojë sulmet ndaj rafinerive ruse, në përgjigje të asaj që ai e ka cilësuar si strategji të re të Moskës për sulme masive ndaj infrastrukturës civile.
Pretendimi për dëmtimin e mbi 51 për qind të kapaciteteve ruse të përpunimit të naftës vjen nga pala ukrainase dhe nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/
